Integrimi Evropian

Hungaria mbështetë Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave

9 Nëntor, 2015

Budapest, 9 nëntor 2015 – Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku është takuar sot në Budapest me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, z. Peter Szijjarto.

Në fillim të këtij takimi, ministri Çollaku ka falënderuar ministrin Szijjarto, për kontributin që  Hungaria i ka dhënë Kosovës qoftë përmes bashkëpunimit bilateral ashtu edhe përmes prezencës në misionin e KFOR-it e EULEX-it.

Ministri Çollaku falënderoi ministrin Szijjarto për votën në favor dhe përkrahjen e ofruar për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ministri Çollaku ka diskutuar me kryediplomatin hungarez për procesin integrues të Kosovës në BE, duke u ndalur tek liberalizimi i vizave. Si udhëheqës i këtij procesi, ministri Çollaku, potencoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara dhe se pret që brenda këtij viti të ketë një rekomandim pozitiv nga BE-ja, duke i mundësuar kështu qytetarëve të Kosovës lëvizjen pa viza në vendet e zonës Schengen, nga viti 2016.

Po ashtu ministri Çollaku është përgëzuar nga z. Szijjarto për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së, duke nënvizuar se e vetmja rrugë përpara për stabilitet dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor është integrimi i të gjitha vendeve në Bashkimin Evropian.

Gjatë këtij takimi, ministrat Szijjarto dhe Çollaku u pajtuan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve tani që është nënshkruar MSA-ja, duke i hapur rrugë rritjes së shkëmbimit tregtar dhe investimeve në mes të dy vendeve.

 

Last modified: 11 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *