Raportet
Me 18 Korrik 2018, në Raportin e fundit lidhur me progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve të dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur edhe dy kriteret e fundit për liberalizimin e vizave: Krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Komisioni Evropian në tërësi ka miratuar 4 raporte mbi progresin e Kosovës në dialogun për viza. Këto raporte përmbajnë një vlerësim të progresit të arritur nga Kosova, rekomandimet për institucionet e Kosovës dhe të dhënat statistikore në lidhje me ndikimet në migrim dhe në fushën e sigurisë nga regjimi pa viza.
Propozimin për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës Komisioni Evropian e paraqiti më 4 Maj 2016, ku theksohej domosdoshmëria e përmbushjes së plotë të dy kritereve të cilat janë vendimtare për përmbylljen e procesit:
• Krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit,
• Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Në Raportin e fundit të publikuar në Korrik 2018 u konfirmua përmbushja e të gjitha kritereve.
Bazuar në këtë raport, me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018 është përmbushur edhe njëri nga dy kriteret e mbetura. Kurse sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni ka monitoruar të arriturat në këtë fushë dhe ka mbajtur një mision teknik në Kosovë më 3-4 maj për të vlerësuar më tej progresin e bërë. Pas të dhënave të pranuara nga institucionet e Kosovës si dhe misionit vlerësues të përfaqësuesve të KE-së, u konfirmua se autoritetet e Kosovës kanë krijuar një regjistër të qëndrueshëm të hetimeve dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë në rastet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke përmbushur edhe kriterin e fundit.
Kurse, rekomandimeve të cilave Komisioni u kushtoi rëndësi të veçante në Raportin e dhjetorit 2015 ishin:
• Transferimi një numri të mjaftueshëm të gjykatësve, me stafin e duhur mbështetës, të departamenteve të krimeve të rënda në të gjitha gjykatat në Kosovë;
• Krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i dhënë koordinatorit qendror për krime të rënda dhe korrupsion mandatin dhe burimet për të udhëhequr ekipe multi-disiplinare të hetimeve financiare dhe për të monitoruar rastet e tilla;
• Të sigurohet pavarësia operacionale e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Planet e rrepta të integritetit duhet të zbatohen për të mbrojtur pavarësinë e këtij organi dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik;
• Demonstrimi se Kosova ka zbatuar legjislacionin e saj të ndryshuar sekondar mbi ndryshimin e emrit;
• Të bëhet ndarja e Fondit për Riintegrim, me fokus në ofrimin e asistencës për punësim, themelimin e bizneseve të vogla, aftësimin profesional dhe kurset e gjuhës për fëmijë.
• Kuvendi i Kosovës të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi;
• Kosova duhet të monitorojë arsyet për shkallën e ulët të njohjes së azil kërkuesve;
• Në mënyrë që të përmbushen plotësisht kërkesat lidhur me të drejtat themelore lidhur me lirinë e lëvizjes, Kosova duhet të sigurojë hapësirat e duhura dhe të sigurojë pavarësinë e plotë buxhetore të Institucionit të Avokatit të Popullit
Raporti i fundit gjithashtu konfirmon se Kosova vazhdon të përmbushë të gjitha kriteret e tjera të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave në lidhje me ripranimin dhe riintegrimin, sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Sa u përket hapave në vijim në lidhje me procesin e Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës,
• Propozimi i Komisionit i datës 4 Maj 2016 për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës tani duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli;
• Komisioni do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e të gjitha kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Pasi liberalizimi i vizave të miratohet për Kosovën, Komisioni do të ndjekë më tej zbatimin e vazhdueshëm të kritereve në fjalë, përmes mekanizmit të pezullimit të vizave dhe procesit të Stabilizim Asociimit.
Për më shume informata: