Programet e BE-së
Me qëllim të mbështetjes së zbatimit të reformave, në plotësim të mbështetjes financiare të BE-së, me 25 nëntor 2016 u nënshkrua Marrëveshja Kornizë ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian mbi parimet e përgjithshme për pjesëmarrjen në Programet e BE-së. Marrëveshja përfshin një listë të 17 Programeve të BE-së në të cilat Kosova ka të drejtë pjesëmarrje. Programet e BE-së janë programe 7 vjeçare të dedikuara për të promovuar dhe mbështetur politikat e BE-së dhe për të forcuar bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së (dhe anëtarëve të tjerë) në fusha të caktuara siç janë hulumtimi dhe inovacioni, arsimi, kultura, shëndeti, mbrojtja e mjedisit, tatimet, drejtësia etj. Për të përmbushur më mirë përgjegjësitë që rrjedhin nga pjesëmarrja në MSA, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë e pjesëmarrjes në programet e BE-së që të krijojë mundësi për entitetet institucionale, biznesore dhe shoqërisë civile të familjarizohen me praktikat, metodat dhe standardet e BE-së dhe të përforcojë kapacitetet e saja teknike e administrative në rrugëtimin krahas agjendës evropiane.
Marrëveshjet në fuqi ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen në Programet e BE-së
Marrëveshja kornizë ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së
COSME (2014-2020)/Programi Tregu Unik (2021-2027)
Në kuadër të ciklit financiar shtatë-vjeçar (2014-2020) të BE-së, Kosova ka fituar statusin e vendit të asociuar në Programin COSME në vitin 2019. Programi COSME kishte 4 komponentë të cilat synim kryesor kanë rritjen e qasjes në financa, qasjes në tregje, përmirësimi i ambientit të të bërit biznes si dhe stimulimin e ndërmarrësisë. Nga ky program mundësi përfitimi kanë pasur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, autoritetet lokale dhe rajonale, korporatat, agjencitë/zyrat qeveritare, agjencitë publike si dhe dhomat e tregtisë dhe industrisë.
Në ciklin e ri financiar 2021-2027, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka shprehur interesin formal për t’u bë pjesë e programit pasues të COSME – Programi Tregu Unik (SMP) i cili ofron mundësitë e njëjta sikurse COSME duke përfshirë edhe mundësi tjera të reja për përfituesit potencial nga Kosova. Kosova pritet të bëhet pjesë e këtij programi në fillim të vitit 2022.
Erasmus+
Erasmus+ është programi i BE-së për fushën e edukimit, trajnimit, rinisë dhe sportit. Ai ndërthur së bashku programet e Lifelong Learning, Youth in Action, Erasmus Mundus dhe Tempus. Erasmus+ është krijuar për të mbështetur përpjekjet e vendeve pjesëmarrëse për të përdorur në mënyrë efikase potencialin e kapitalit njerëzor dhe shoqëror të Evropës, ndërsa konfirmon parimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës duke lidhur mbështetjen me mësimin zyrtar, joformal dhe informal në të gjithë fushat e arsimit, trajnimit dhe rinisë. Programi gjithashtu rrit mundësitë për bashkëpunim dhe lëvizshmëri me vendet partnere, veçanërisht në fushat e arsimit të lartë dhe rinisë.
Kosova merr pjesë që nga viti 2015; marrëveshja ndërkombëtare midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen në Erasmus + u nënshkrua më 05.06.2018 por Kosova ka një përvojë më të hershme me programin TEMPUS; Kosova mori pjesë në TEMPUS/Erasmus Mundus dhe Rinia në Veprim.
Marrëveshja e vitit 2018 përmirësoi pjesëmarrjen e Kosovës dhe vlerën e shtuar në aspektin e perspektivës evropiane dhe duhet të shihet si një hap tjetër i vlefshëm drejt BE-së. Duke azhurnuar pjesëmarrjen e saj, Kosova vazhdon të marrë pjesë në dimensionin ndërkombëtar të programit si vend partner, në gjendje të përfitojë nga rrjetet e ndryshme të mbështetjes së politikave evropiane siç janë Korniza Evropiane e Kualifikimeve, Eurydice, Europass dhe Euroguidance dhe platformat elektronike (përfshirë eTwinning dhe EPALE). Kjo e sjellë Kosovën në baza të barabarta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor si dhe Shtetet Anëtare të BE kur bëhet fjalë për ato rrjete mbështetëse të politikave. Gjithsesi, duhet theksuar se Kosova nuk ka agjenci nacionale (national agency) për implementimin e Erasmus+ por Zyre të Erasmus+ e cila shërben si qendër administrative/koordinuese e këtij programi në Kosovë.
Kosova edhe më tutje do jetë pjesë e programit të ERASMUS+ për ciklin financiar 2021-2027 për të cilin Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë përgatitjet e nevojshme së bashku me Zyrën e Erasmus+ në Kosovë
Programi Evropa kreative
Ky program synon të mbështesë kapacitetin e sektorëve kulturorë dhe krijues për të vepruar, bashkëpunuar dhe promovuar kulturën ndërkombëtarësh. Gjithashtu qëllimi i këtij programi është të rris qarkullimin ndërkombëtar të kulturës dhe krijimtarisë e të arrij audienca të reja në Evropë dhe më gjerë si dhe të mbështesë bashkëpunimin e politikave trans-nacionale në mënyrë që të nxisë politikat e zhvillimit, inovacionit, ndërtimit të audiencës dhe modeleve te bizneseve te reja.
Evropa Kreative është e ndarë në tre nën-programe, më saktësisht në:
- Nën-programin e Kulturës;
- Fusha Ndër-Sektoriale
- Media
Kosova në ciklin financiar 2014-2020 ka marrë pjesë në nën-programin e Kulturës, në Fushën Ndër-Sektoriale me përjashtim të Fondit për Garantimin e Sektorëve Kulturorë dhe Kreativë, por jo edhe në nën-programin Media.
Nën-programi Media është i një rëndësie të lartë për Republikën e Kosovës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës nisur nga suksesi i madh që kanë film-bërësit në vend dhe jashtë vendit me pjesëmarrje nëpër festivale të ndryshme, nga të cilat shpeshherë janë kthyer me çmime.
Për t’u bërë pjesë nën-programit Media, nga Komisioni Evropian kërkohet që të harmonizohet/transpozohet Direktiva EU/2018/1808 me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM). Zyra Ligjore (ZKM) është në proces të transpozimit të direktivës dhe në momentin kur ligji aprovohet në Kuvend do t’i hapë mundësi Kosovës që pa vështirësi të bëhet pjesë e nën-programit Media.
Në aspektin e përfitimeve, Kosova përmes thirrjes Western Balkan Coop Call 2020 kanë përfituar 6 operatorë kulturorë si partner. Kjo konsiderohet si sukses nga Pika e Kontaktit (MKRS) marrë parasysh anëtarësimin e vonshëm në program.
Aktualisht, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përfunduar negociatat për tu asociuar në programin Evropa Kreative duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta koordinuar këtë program. Kosova pritet të rifitojë statusin e anëtarit të asociuar (nën-programet 1 dhe 2) në fillim të vitit 2022.
Programi Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat (CERV)
Në nëntor 2019, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen në mes të Kosovës dhe BE-së për asociimin e Kosovës në programin ‘Evropa për Qytetarët’. Evropa për Qytetarët synim kishte nxitjen bashkëpunimin në mes qytetarëve dhe organizatave të ndryshme si dhe nxitjen e ndjenjës së të qenurit pjesë e vlerave dhe idealeve Evropiane. Programi gjithashtu promovoi rëndësinë e Integrimit Evropian. Gjatë ciklit financiar 2014-2020, programi në tërësi ka pasur 229 milion euro të dedikuara për projekte të ndryshme që kryesisht menaxhohen nga OJQ-të dhe spektri i shoqërisë civile në përgjithësi. Në ciklin e ri financiar 2021-2027, Evropa për Qytetarët, është grupuar në kuadër të programit Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat (CERV) me një buxhet total prej 1.55 miliardë euro.
Aktualisht, Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim (ZBZH) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), është ngarkuar për të koordinuar këtë program. Kosova pritet të bëhet pjesë e këtij programi në vitin 2022.
Programi Horizon Europe
Programi ‘Horizon Europe’ është program kyç dhe ndër më të mëdhenjtë të BE-së i dedikuar për hulumtim dhe inovacion. Horizon Europe ndihmon bashkëpunimin me fokus shkencor dhe përkrah politikat e orientuara drejt hulumtimit dhe inovacionit. Ngjajshëm sikurse programet tjera, Horizon Europe fokusohet në zhvillimin, përkrahjen dhe implementimin e politikave të BE-së duke adresuar qështjet globale në të njëjtën kohë. Në ciklin e ri financiar (2021-2027) Horizon Europe edhe më tutje përkrahë krijimin dhe shpërndarjen më të mirë të njohurive dhe teknologjive, vë theks të vecantë tek përfshirja e qytetarëve në zhvillimet shkencore si dhe adreson ndikimet pozitive të hulumtimeve edhe inovacionit sic janë përparimet në sektorët e shëndetësisë dhe ambientit Për të arritë këtë, programi ështe i strukturuar në ‘misione’ e caqe specifike që do të arrihen deri më 2027.
Aktualisht, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka përfunduar ciklin e negociatave për anëtarësim dhe pritet që Kosova të behet anëtare e asociuar në fillim të vitit 2022.
Programi Fiscalis
Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 Gusht ka ratifikuar marrëveshjen Fiscalis 2020. Fiscalis 2020 është një program bashkëpunimi i BE-së i cili u mundëson administratave kombëtare të tatimeve të krijojnë dhe shkëmbejnë informacione dhe ekspertizë. Buxheti i Fiscalis 2020 ishte 223.4 mil € për periudhën 2014-2020.
Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është përmirësimi i funksionimit të duhur të sistemeve të tatimeve në tregun e brendshëm duke forcuar bashkëpunimin midis vendeve pjesëmarrëse, autoriteteve të tyre tatimore dhe zyrtareve të tyre. Kurse objektivat specifike kanë të bëjnë me mbështetjen e luftës kundër mashtrimit tatimor, evazioni tatimor dhe planifikimit agresiv të tatimeve dhe zbatimi i ligjit të unifikimit në fushën e tatimeve. Këto objektiva arrihen përmes sigurimit të shkëmbimit të informacionit, mbështetjes së bashkëpunimit administrativ, dhe kur është e nevojshme dhe e përshtatshme rritja e aftësisë administrative të vendeve pjesëmarrëse me qëllim të ndihmës në zvogëlimin e barrës administrative për autoritetet tatimore dhe kostot e përmbushjes tatimore për tatimpaguesit.
Kosova edhe më tutje do jetë pjesë e programit në ciklin e ri financiar 2021-2027 dhe pritet ta nënshkruajë marrëveshjen e re deri në fund të vitit 2021. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët nga Komisioni Evropian për të bërë përgatitjet e nevojshme konform risive të programit.
Programi Customs
Programi “Customs 2020” është program bashkëpunimi i cili ju ka mundësuar administratave doganore nacionale që të shkëmbejnë informacion dhe ekspertizë nga fusha doganore. Më 6 gusht 2020, është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e bashkimit “CUSTOMS 2020” ku vetëm Kosova nga vendet e rajonit nuk ishte pjesëmarrëse.
Objektivi i përgjithshëm i këtij programit është mbështetja e funksionimit dhe modernizimit të Doganave në tregun e përbashkët doganor, kjo duke rritur dhe forcuar bashkëpunimin midis vendeve pjesëmarrëse, administratave doganore dhe zyrtarëve të tyre. Programi parasheh mbrojtjen e interesave financiare dhe ekonomike, rritjen e sigurisë, mbrojtjen e qytetarëve dhe mjedisin, ngritjen e kapaciteteve administrative doganore, luftën kundër mashtrimeve dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore intelektuale etj. E gjitha synohet të arrihet përmes kompjuterizimit, harmonizimin e procedurave dhe kontrolleve doganore, lehtësimin e tregtisë së lirë, zhvillimin e praktikave më të mira të punës, përforcimin e aftësive dhe kompetencave të zyrtarëve doganor etj.
Programi i ri “Customs Programme” parashihet të zgjasë 2021-2027 me buxhet total prej 950 milionë € për dallim nga programi “Customs 2020” i cili ka pasur buxhet 523 milion € për periudhën 2014-2020. Buxheti i ri planifikon që të ndihmojë administratat doganore në menaxhimin e rritjes së fluksit tregtare, teknologjitë në zhvillimin e sipër siç është e-commerce, block chain etj. Fokus më i madh do ti jepet gjithashtu rritjes së bashkëpunimit në teren dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore.
Programi Mekanizmi i mbrojtjes civile
Në tetor 2001, Komisioni Evropian themeloi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Mekanizmi synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve tjera pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe Kosovën, për mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj fatkeqësive. Kur një emergjencë mposht aftësitë e reagimit të një vendi në Evropë dhe më gjerë, ai mund të kërkojë ndihmë nëpërmjet Mekanizmit.
Kosova, gjegjësisht Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka qenë partnerë i BE-së pranë këtij mekanizmi, por pa një status të anëtarësimit nga ku Kosova do të mund të krijonte mundësinë e përfitimit direkt nga ky program i BE-së.
Aktualisht, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shprehur interesimin për t’u bë pjesë e këtij programi dhe janë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët nga Komisioni Evropian. Pritet që Kosova të bëhet anëtare e këtij programi në vitin 2022.
Programi i Punësimit dhe Inovacionit Social
Programi i Punësimit dhe Inovacionit Social (EaSI) është një instrument financimi në nivel të BE-së për të promovuar një nivel të lartë të punësimit cilësor dhe të qëndrueshëm, duke garantuar mbrojtje sociale të përshtatshme dhe të denjë, duke luftuar përjashtimin social dhe varfërinë dhe duke përmirësuar kushtet e punës.
Për periudhën 2021 – 2027 programi EaSI do të bëhet pjesë e Fondit Social Evropian Plus (ESF +).
Aktualisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka shprehur interesimin dhe ka filluar diskutimet për anëtarësim të mundshëm në këtë program.