Integrimi Evropian

Ministrja Çitaku informon Komisionin Parlamentar lidhur me raportin mbi Studimin e Fizibilitetit

5 Nëntor, 2012

Prishtinë, 5 nëntor 2012 – Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, u paraqit sot para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian me raport informues lidhur me Studimin e Fizibilitetit.

Ministrja Çitaku ishte e ftuar për të folur lidhur me Raportin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Temë qëndrore e diskutimit ishin katër kriteret afatshkurtra për fillimin e negociatave të përcaktuara në studimin e fizibilitetit që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, trashëgiminë kulturore dhe tregtinë.

Sa i përket plotësimit të katër kritereve për fillimin e negociatave, menjëherë pas publikimit të Studimit të Fizibilitetit është mbajtur takimi i Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Gjatë takimit të Këshillit Ministror për koordinim të procesit të integrimit Evropian, janë shpërndarë detyrat për secilin institucion dhe ka filluar monitorimi i zbatimit të obligimeve të secilit institucion.

Me këtë rast Ministrja Çitaku tha se “Viti 2012 ka qenë vit i konkretizimit të agjendës Evropiane të Kosovës. Gjatë këtij viti me lansimin e procesit të Studimit të Fizibilitetit, Republika e Kosovës ka filluar me procesin zyrtar, afatgjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me 10 tetor Komisioni Evropian publikoj Studimin e Fizibilitetit për Kosovën. Studimi i Fizibilitetit ka konkluduar që Kosova është kryesisht e gatshme të fillon negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që përbën hapin e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.  Në këtë kontekst, publikimi i Studimit të Fizibilitetit dhe propozimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit shënon një moment të ri në diagramin e konsolidimit dhe faktorizimit të pozitës ndërkombëtarë të Kosovës, por edhe fillimin zyrtar të një rrugëtimi të gjatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vazhdoi për të thënë Ministrja.

Gjatë takimit ministrja Çitaku potencoi se : “Republika e Kosovës tani do të jetë partner i barabartë në raport me Bashkimin Evropian, sikur të gjitha vendet e rajonit. Ky akt shënon fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.  Ky do të jetë hapi i parë formal-juridik në rrugën tonë drejt BE-së. Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim asociim. Kosova tashmë ka arritur t’i tejkaloj shumicën e sfidat politike, ekonomike dhe standardeve evropiane për të filluar negocimin e marrëveshjes për stabilizm asociim, dhe ky është një sukses yni i përbashkët i të gjitha institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në mes tjerash, Studimi i Fizibilitetit ka konfirmuar që Bashkimi Evropian nuk ka pengesa ligjore për të lidh marrëdhënie kontraktuale me Kosovën”.

Last modified: 17 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *