Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian diskutojnë për ekonominë, statistikat dhe kontrollin financiar

30 Shtator, 2014

Prishtinë, 30 shtator 2014 – Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian (KE) mbajtën takimin e tyre të rregullt të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (SAPD) për Ekonomi, Statistikë dhe Kontroll Financiar në Prishtinë. Ky takim u fokusua në një numër fushash politike, përfshirë zhvillimet makro-ekonomike të Kosovës, politikat financiare dhe fiskale, privatizimin, reformat strukturale, zhvillimin e sektorit privat dhe sistemin statistikor.

Në takim u diskutuan treguesit ekonomikë kryesorë, përfshirë rritja e BPV-së, inflacioni, tregu i punës dhe bilanci i pagesave. Në vitin 2013 rritja ekonomike u përshpejtua dhe arriti në 3.4% të BPV-së, por u përmend se një bazë prodhimi e pakonkurrencë ndërkombëtarisht, mjedisi afarist sfidues dhe niveli i ulët i investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë në sektorët e tregtisë së ndërsjellë vështirësojnë edhe më tutje zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Për shkak të situatës së pasigurt të tregut të punës, Komisioni ka rekomanduar heqjen e shtangësive të identifikuara të sistemit dhe adresimin e boshllëkut sa i përket kuadrove në tregun e punës.

Komisioni ka shprehur shqetësimin e tij për qëndrueshmërinë e vendimit të fundit për rritjen e pagave të shërbyesve civile dhe pensioneve sociale për 25%, dhe iniciativave shpenzuese për të burgosurit politikë dhe veteranët e luftës. Këto rritje kanë qenë relativisht më të larta se sa ato që janë paraparë në buxhetin e miratuar, me një ndikim të tyre vjetor që kap shumën mbi 130 milionë €. Financimi i këtyre iniciativave mund t’i japë presion iniciativave shpenzuese që kanë të bëjnë me reformat e rëndësishme dhe ato paraqesin rrezik potencial të grumbullimit të borxhit të qeverisë. Komisioni inkurajon autoritetet që të lëvizin drejt një përbërjeje shpenzimesh të drejtuar kah rritja dhe në veçanti të rritet shpenzimi në investimet jo-rrugore. Trendi në rënie i të hyrave nga kufiri do të kërkojë një reagim në politikat e duhura tatimore me synimin për të fuqizuar bazën e tatimit vendor.

Autoritetet paraqitën situatën aktuale të reformave strukturore kryesore në sektorët, si: shëndetësia, administrata publike dhe privatizimi. Si edhe në vitet e kaluara, Komisioni ka rekomanduar një prioritizim të fuqishëm të shpenzimeve në mesin e nevojave të mëdha dhe urgjente. Komisioni theksoi progresin e arritur, në veçanti në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe në mjedis afarist, veçanërisht sa i përket kohës së nevojshme për regjistrimin e kompanive. Përkundër këtij progresi, Kosova do të përfitonte nga adresimi i pengesave të tjera të shumta në zhvillimin e sektorit privat, si: kapaciteti i pamjaftueshëm administrativ, mungesa e qasjes në financa, infrastruktura e  pazhvilluar mirë, veçanërisht në furnizimin me energji elektrike, mungesa e sundimit të ligjit, ekonomia joformale dhe arsimimi profesional jo i duhur.

Në fushën e statistikës, Komisioni mirëpriti finalizimin e klasifikimit evropian të aktiviteteve ekonomike, të ashtuquajtur NACE Rev. 2 në regjistrin e bizneseve. Autoritetet raportuan për përgatitjet për regjistrimin bujqësor që do të implementohet në nëntor 2014. Kapaciteti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ende ka nevojë të fuqizohet, veçanërisht në fushat e statistikave afariste dhe makro-ekonomike. Po ashtu, duhet të arrihet edhe rregullimi i statistikave të Kosovës sipas standardeve evropiane.

Kosova prezantoi po ashtu situatën aktuale dhe progresin e arritur në kontrollin financiar publik. Komisioni Evropian ngriti shqetësimet e tij sa i përket vonesave në emërimin e Auditorit të Përgjithshëm dhe theksoi nevojën për një ligj të ri për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, dhe veçanërisht nevojën që ky ligj të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së për pavarësi organizative, financiare dhe funksionale të kësaj Zyreje.
Ky takim u bashkë-kryesua nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare si dhe për Zgjerim.

Informata mbi historikun

Dialogu për Procesin e Stabilizim Asocimit (PSA) është një kornizë në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell reformat në Kosovë, dhe po ashtu identifikon mënyrën se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces. Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut të PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Qeveria. Secili takim rezulton në marrëveshje të përbashkët për ndërmarrjen e veprimeve nga ana e autoriteteve kosovare.

Shtatë fusha mbulohen në këto takime sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që e ka BE-ja me kandidatët e tjerë dhe me kandidatët potencialë. Këta shtatë sektorë janë:

– Drejtësi, Liri dhe Siguri;
– Inovacion, Shoqëri Informative, Politikë Sociale, Arsim dhe Kulturë;
– Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim;
– Treg të Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorëve dhe të Shëndetit;
– Bujqësi, Peshkatari, Pylltari, Siguri të Ushqimit;
– Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal;
– Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë.

Koha në mes të mbajtjes së takimeve mundëson implementimin e rekomandimeve dhe veprimet përcjellëse mbi të cilat është pajtuar. Një takim plenar, ku do të diskutohen prioritetet e reformimit pritet të mbahet në korrik të vitit 2013.

 

Last modified: 12 Gusht, 2022

3 Responses to " Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian diskutojnë për ekonominë, statistikat dhe kontrollin financiar "

  1. … [Trackback]

    […] Information on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/qeveria-e-kosoves-dhe-komisioni-evropian-diskutojne-per-ekonomine-statistikat-dhe-kontrollin-financiar/ […]

  2. heavenly harp instrumental

  3. shroom bars thotë:

    … [Trackback]

    […] Find More Info here to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/qeveria-e-kosoves-dhe-komisioni-evropian-diskutojne-per-ekonomine-statistikat-dhe-kontrollin-financiar/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *