Integrimi Evropian

Qeveria e Kosovës dhe KE diskutaun sot në Prishtinë politikat sociale dhe të punësimit, të arsimit, kërkimit, shoqërisë informative dhe medias

28 Janar, 2016

Prishtinë, 28 Janar 2016 – Pas takimit të djeshëm për drejtësi, liri dhe siguri, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të Komisionit Evropian diskutuan sot për zhvillimet e vitit të kaluar në fushën e arsimit dhe trajnimit, punës dhe mirëqenies sociale, komunikimit elektronik, shoqërisë informative dhe politikës audio-vizuale, shkencës dhe inovacionit. Këto diskutime u mbajtën në Prishtinë në kuadër të kornizës së Dialogut të rregullt për Procesin e Stabilizim Asociimit.

Lidhur me arsimin, Komisioni ka theksuar rëndësinë që Kosova të vazhdojë me përpjekjet për sigurimin e autonomisë dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të arsimit të lartë dhe me miratimin e një ligji të ri për arsimin e lartë, bazuar në standardet ndërkombëtare. Komisioni ka rikujtuar nevojën për të prioritetizuar sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet, që nga edukimi parashkollor e deri te ai universitar, përfshirë këtu edhe sigurimin e financimit të nevojshëm. Qasja në arsimim cilësor për fëmijët me aftësi të kufizuara  dhe komunitetet minoritare duhet të fuqizohet. Të dhënat e sakta dhe të kontrolluara janë qenësore, si bazë për politikat e ardhshme. Kosova duhet po ashtu të sigurojë ndjekjen e objektivës dhe zbatimin e duhur të rregullave që kanë të bëjnë me angazhimin e stafit dhe zhvillimin e karrierës në sektorin e arsimit të lartë. Komisioni ka nënvizuar se ka pasur përpjekje në këtë drejtim nga menaxhmenti i ri i Universitetit të Prishtinës dhe ka inkurajuar Qeverinë që të mbështesë menaxhmentin në këtë drejtim.

Sa i përket kërkimit dhe inovacionit, Komisioni ka theksuar rëndësinë e kërkimit të mirë dhe kapacitetit novator në nivel kombëtar, për të rritur konkurrencën dhe integrimin në Zonën Evropiane të Kërkimit shkencor dhe pjesëmarrjen në programin “ Horizon 2020”.
Lidhur me punësimin, palët janë pajtuar që ka nevojë për të krijuar sinergji në mes të agjencive të ndryshme shtetërore, ligjeve dhe strategjive, për të siguruar që ka rritje të mundësive për punësim dhe mbështetje më të madhe nga ana e Kosovës për masat për promovimin e punësimit. Komisioni Evropian ka inkurajuar Kosovën që të zbatojë strategjinë për sektorin e punësimit 2014-2020, të monitorojë rezultatet dhe të sigurojë që agjencia e re për punësim të jetë funksionale. Palët vlerësuan se nevojiten përpjekje më të mëdha për fuqizimin e ligjit të punës dhe legjislacionit për shëndet dhe siguri në punë, veçanërisht lidhur me çështjen e numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve të punës.

Sa i përket mirëqenies sociale, Komisioni Evropian ka theksuar nevojën që Kosova të zbatojë Ligjin për Këshillin Ekonomik dhe Social, si një hap të rëndësishëm në sigurimin e një dialogu social përmbajtjesor dhe cilësor.

Në shoqërinë e informacionit, Komisioni theksoi nevojën që autoritetet e Kosovës të sigurojnë burime të mjaftueshme buxhetore në fushën e shërbimeve të shoqërisë së informacionit, në veçanti për zbatimin e strategjisë së e-Qeverisë dhe shërbimeve dhe strategjinë e sigurisë kibernetike. Autoritetet e Kosovës do të sigurojnë kapacitetin minimal të Ekipit Kombëtar për Reagim ndaj Emergjencave Kompjuterike në përputhje me rekomandimet e ENISA-s.

Në lidhje me Komunikimet Elektronike dhe Media, autoritetet e Kosovës do të sigurojë që kalimi dixhital të zbatohet në mënyrë të plotë si një çështje prioritare kombëtare deri në fund të vitit 2016. Për këtë qëllim qeveria do të miratojë sa më shpejt të jetë e mundur një Strategji të kalimit nga sistemi analog ne digjital si dhe që Ligji dhe Strategjia mbi dixhitalizimin të zbatohet nga Komisioni i Pavarur për Media. Autoritetet e Kosovës do të ofrojnë informacion mbi çështjen e financimit të qëndrueshëm të RTK-së para verës 2016, siç është rënë dakord gjatë takimit të djeshëm për drejtësi, liri dhe siguri. Qeveria e Kosovës do të sigurojë buxhetin e nevojshëm për vazhdimin e Fondit për Media të Pakicave.

Informata mbi historikun

Dialogu për PSA është një kornizë në kuadër të së cilës Bashkimi Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Takimet sigurojnë të dhëna direkte për raportin vjetor të progresit të Komisionit Evropian. Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell reformat në Kosovë, veçanërisht për sa i përket prioriteteve të përcaktuara në Partneritetin Evropian, dhe po ashtu identifikon mënyrën se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

Shtatë fusha mbulohen në këto takime sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që e ka BE-ja me kandidatët e tjerë dhe me kandidatët potencialë. Këto shtatë sektorë janë: Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëri Informative, Politikë Sociale, Arsim dhe Kulturë; Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim; Treg të Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorëve dhe të Shëndetit; Bujqësi, Peshkatari, Pylltari, Siguri të Ushqimit; Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë.

Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut për PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe qeveria. Çdo takim rezulton në veprimet që do të ndërmerren nga autoritetet kosovare. Konkluzionet nga këto takime postohen në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së.

 

Last modified: 11 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *