Prishtinë, 25 janar 2016 – Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku, u takua sot me shefin e Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, z. David Cullen.
Me z. Cullen kanë diskutuar për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, angazhimet dhe punën që po bënë Kosova në rrugën e saj drejt BE-së e në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit.
Ministri Çollaku, ka potencuar faktin që Kosova, ka dorëzuar inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave, duke thënë se pret që rezultatet dhe të arriturat e paraqitura në të, të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës pret që gjatë vizitës së paralajmëruar të komisionerit të BE-së, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, të konfirmohet zbatimi i rekomandimeve për këtë proces dhe në këtë mënyrë të hapet rruga për procedurat e mëtutjeshme për heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministri Çollaku.
Po ashtu ministri i Integrimit Evropian, ka informuar përfaqësuesit e BE-së, se Kosova është e gatshme për zbatimin e MSA-së.
Palët gjithashtu kanë diskutuar edhe për asistencën e BE-së në Kosovë, si dhe përgatitjet që po bënë Kosova për qasjen në Programet e BE-së.
Ndërkaq shefi i Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, z. David Cullen, ka nënvizuar përkrahjen e Komisionit Evropian për thellimin e agjendës evropiane të Kosovës, në veçanti përmes identifikimit të prioriteteve kyçe për zbatimin e MSA-së, si dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Last modified: 11 Gusht, 2022