Integrimi Evropian

Ministri Çollaku në Kuvend prezanton Projekt-Ligjin për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike

23 Janar, 2015

Prishtinë, 23. janar 2015 – Ministri i Integrimeve Evropiane z. Bekim Çollaku, në seancën e sotme të Kuvendi të Republikës së Kosovës, prezantoi në shqyrtim të parë Projekt-Ligjin për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike, duke theksuar se projekt-ligji është pjesë e pakos së legjislacionit që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave, dhe është hartuar në bazë të standardeve evropiane.

Në vazhdim gjeni fjalimin e Ministrit të Integrimit Evropian z. Bekim Çollaku.

I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputet,

Më lejoni të paraqes para jush Projektligjin për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike.  Hartimi i Projektligji filloj si kërkesë e Komisioni Evropian, në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, në shkurt 2014.

Drafti i parë i Projektligjit është bërë nga Ministria e Integrimit Evropian. Drafti i parë ka marr për bazë Rezolutën e Këshillit të datës 17 janar 1995 për Përgjimin e Ligjshëm të Telekomunikimeve, Konventën kundër Krimit Kibernetikë e Këshillit të Evropës e vitit 2001 dhe Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e vitit 1950.

Po ashtu, Projektligji ka marr për bazë modelin e rregullimit ligjor të kësaj çështje nga vendet anëtarë të BE-së siç janë Italia, Gjermania, Austria, Anglia, Franca. Në nivel të BE-së nuk ekziston një rregullim uniform i përgjimit. Në nivel të vendeve anëtare, fushëveprimi i përgjimit, qasja në komunikimet elektronike, kapaciteti i përgjimeve, konfidencialiteti i përgjimit, siguria e përgjimit, kategoritë e të dhënave që duhen ruajtur dhe periudha kohore deri kur këto të dhëna duhen ruajtur, raportimi, kompensimi, dhe mbikëqyrja, dallon nga vendi në vend.

Pas përfundimit të draftit të parë, ka filluar procesi i konsultimeve paraprake në nivel qeveritar. Ndërsa, pastaj ka filluar edhe procesi i konsultimeve publike me shoqërinë civile. Në total janë mbajtur shtatë (7)  takime dhe janë përfshirë CIVIKOS-ë, rrjeti i gjithë organizatave të shoqërisë civile në nivel të Kosovës. Gjatë konsultimeve publike, çdo plotësim-ndryshim në Projektligj i’u është përcjellë shoqërisë civile për komente shtesë.

Projektligji është konsultuar në mënyrë intensive me Komisionin Evropian dhe EULEX-in. Në këtë drejtim, Komisioni Evropian ka marr 6 muaj kohë për të analizuar çdo aspekt të Projektligjit. Në fund jemi dakorduar për versionin final të Projektligjit në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Kushtetuta garanton të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën e privatësisë, dhe pashmangshmërisht përcakton edhe kufizimin e privatësisë. Në kontekst të Projektligjit për Përgjime nuk cenohet e drejta e privatësisë që është e definuar në pikën 3  të Nenit 36 të Kushtetutës. Projektligji, definon që “operatori i rrjetit dhe ofruesi i shërbimeve i përgjigjet vetëm urdhrit të ligjshëm” që do të thotë që asnjë e dhënë personale nuk mund të transmetohet nga operatorët e rrjetit tek agjencitë për zbatimin e ligjit pa pasur një urdhër të ligjshëm.

Projektligji definon qartë urdhrin e ligjshëm. Mirëpo, e drejta e privatësisë, në kontekst të përgjimit mund të kufizohet, vetëm nëse këto të dhëna janë subjekt që përcaktohet në legjislacionin penal dhe në kontekst të kufizimeve dhe përjashtimeve të përcaktuara për mbrojtjen e të dhënave personale duke përfshirë, sigurinë kombëtare, mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike, parandalimin, hetimin, zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale.

Projektligji për Përgjimet është i ndërlidhur me Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për AKI-në, Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike. Këto institucione, ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas ligjeve përkatëse dhe i nënshtrohen mbykëqyrjes dhe kontrollit demokratik. Në kontekst të Projektligjit për Përgjime, këto institucione ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e përgjimit për arsye të sigurisë kombëtare, mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike, parandalimin, hetimin, zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale, vetëm në bazë të urdhrit të ligjshëm që është i përcaktuar në Projektligjin për Përgjime.

Ju faleminderit për vëmendje.

Last modified: 12 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *