Prishtinë, 2 qershor 2015 – Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku mori pjesë sot në takimin e Grupit të veçantë mbi Reformën e Administratës Publike, ku foli për rëndësinë e saj dhe ndërlidhjen e reformës me procesin e integrimit evropian.
Si anëtar i Këshillit ministror mbi këtë reformë, ka theksuar se në kuadër të qasjes së re për zgjerim të Komisionit Evropian, janë definuar tri shtylla kryesore të procesit të integrimit e që njëra nga to është reforma në administratën publike. “Përcaktimi i reformës së administratës publike si një nga tri shtyllat kryesore përfaqëson qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj reformës së administratës publike. Tani më një kohë kemi filluar dialogun teknik për reformën e administratës publike, por sot po zhvillojmë për herë të parë edhe dialogun politik në kuadër të procesit të integrimit”, ka thënë ministri.
Përveç avancimit të dialogut politik, ka shpjeguar se BE-ja ka paraparë edhe fondet e veçanta financiare në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit për të mbështetur rezultatet që dalin nga dialogu politik dhe teknik i reformës së administratës publike.
“Nën koordinimin e Ministrisë së Integrimit Evropian, Zyra për Planifikim Strategjik në Kryeministri, Ministria e Financave dhe Ministria e Administratës Publike janë në proces e sipër të hartimit të Dokumentit Sektorial Planifikues për raundin e parë të asistencës financiare që do të ofrohet në kuadër të reformës së administratës publike”, ka njoftuar më tej, duke thënë se kjo do të jetë hera e parë kur asistenca e ofruar do të vendoset në dispozicion si mbështetje e drejtpërdrejt buxhetore.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa si dhe z. Jean-Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Komisioni Evropian.
Last modified: 11 Gusht, 2022