Prishtinë, 3 qershor 2015 – Sot, nën organizmin e Ministrisë së Integrimit Evropian, Ministrisë së Financave dhe Komisionit Evropian, u mbajt takimi përgatitor i Komitetit Kombëtar për Investime (KKI). Gjatë takimit, u diskutuan investimet kyçe infrastrukturore në nivel kombëtar dhe rajonal. Në veçanti u diskutua bashkë-financimi i projektit të linjës hekurudhore 10, me ç’rast Komisioni Evropian konfirmoi gatishmërinë për financim në vlerë prej 40 milion eurosh.
Jean-Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor pranë Komisionit Evropian tha:
“Themelimi i KKI-së dhe Lista prioritare e projekteve janë kërkesa kyçe që duhet plotësuar në mënyrë që të sigurohet bashkëfinancim i projekteve nga Komisioni Evropian nëpërmjet Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor në vitin 2015 si dhe në periudhat e ardhshme programuese. Komisioni Evropian shpreson se KKI-ja e themeluar do të mblidhet para fillimit të verës. Në këtë takim duhet të shqyrtohet dhe të përgatitet një draft i parë i projekteve prioritare për investime në pajtim me rrjetin kyç të ndërlidhjes në Ballkanin Perëndimor dhe projekte me interes për komunitetin e energjisë. Kjo duhet të bëhet në pajtim me strategjinë e përgjithshme të vendit për investime dhe financim, dhe të reflektojë të gjitha investimet aktuale dhe ato të planifikuara, e poashtu duke marrë parasysh kornizën fiskale dhe kufizimet”.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, tha:
“Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e Kancelares Merkel u organizua takimi i Ballkanit Perëndimor në Berlin me qëllim të dakordimit të prioriteteve rajonale për investime infrastrukturore në Ballkan Perëndimorë apo ajo çfarë sot njihet si “Connectivity agenda”. Tani më është krijuar momentum i ri në kuadër të agjendës evropiane për Ballkan Perëndimor nga këndvështrimit i investimeve infrastrukturore dhe rrjedhimisht ofrimi i mbështetjes për rritjen ekonomike dhe sociale të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Bashkimi Evropian tani më ka ndarë 1 miliard euro për financimin e investimeve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit”.
Ministri për Financa, Avdullah Hoti, tha:
“Kemi bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Integrimit Evropian në themelimin e KKI-së dhe mendoj që themelimi i këtij komiteti është i rëndësishëm për përafrimin tonë me Evropën dhe se kjo është një stimul për përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Ky Komitet do të merret me rishikimin në detaje të prioriteve në fushën e energjisë dhe infrastrukturës rrugore. Anëtarësimi i Kosovës në FMN, BERZH, BEI dhe BZHKE paraqet një mundësi të mirë për financimin e projekteve kapitale të shkallës së lartë nëpërmjet kredive zhvillimore, dhe si Ministri e Financave ne jemi të përkushtuar të investojmë në projekte që kanë kthim më të mirë të investimeve”.
Takimet e Komiteteve Kombëtare për Investime janë forumet e krijuara në kuadër të obligimeve nga procesi i Berlinit, e të cilat sigurojnë mbikqyrje të projekteve dhe implementin në nivel vendi.
Last modified: 11 Gusht, 2022