Prishtinë, 4 qershor 2015
Më 4-5 qershor, nën patronazhin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Komisionit Evropian, në Prishtinë do të mbahet takimi i instrumentit rajonal për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA).
Në fjalën hyrëse, Ministri Çollaku deklaroi: “Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve unike rajonale në Ballkanin Perëndimor. Si asnjëherë më parë ekziston vullnet i qartë dhe i fuqishëm për bashkëpunim rajonal në nivel politik dhe teknik.
Në muajin prill, të gjithë Ministrat e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Prishtinë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe projekte konkrete për integrimin e rajonit. Sot, kemi kënaqësinë të jemi nikoqir të takimit rajonal të IPA-s dhe të ofrojmë kontributin tonë në promovimin e marrëdhënieve të mira rajonale në Ballkanin Perëndimor”.
Në fjalën hyrëse, Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Evropian për Programe dhe Bashkëpunim Rajonal, z. Morten Jung deklaroi: “Ne mirëpresim zgjidhjen e ripërtërire për të thelluar bashkëpunimin rajonal në bazë të pronësisë së qartë lokale dhe duke u fokusuar në arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët dhe biznesin siç është përmirësimi i lidhshmërisë brenda rajonit, si dhe me BE-në.“
Është hera e parë që Kosova është nikoqire e takimit në kuadër të instrumentit rajonal të IPA-s. Në takim marrin pjesë të gjitha zyrat e Koordinatorëve Kombëtar të IPA-së nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim si dhe Komisioni Evropian.
Takimi ka për qellim diskutimin e programimit të projekteve rajonale të propozuara në kuadër të programit rajonal IPA 2016.
Një shumë e përgjithshme indikative prej 390 milion € është alokuar për vitin 2016 për të mbështetur veprimet dhe investimet rajonale, programet horizontale dhe bashkëpunimin territorial.
Last modified: 11 Gusht, 2022