Pejë, 22 qershor 2015 – Në kuadër të fushatës vetëdijësuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Ministria e Integrimit Evropian, mbajti sot konferencë informuese në Komunën e Pejës me qëllim të informimit të qytetarëve dhe zyrtarëve komunal për përmbajtjen e kësaj marrëveshje.
Me këtë rast zëvendësministri i Integrimit Evropian z. Ramadan Ilazi, theksoi se marrëveshja historike midis Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, MSA-ja, është një kontratë për të ardhmen e vendit tonë, që hap mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe qëllimi i së cilës është anëtarësimi i Kosovës në BE.
Zëvendësministri Ilazi nënvizoi se me hyrjen në fuqi të MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin zyrtar drejt anëtarësimit në BE dhe tani Republika e Kosovës është pjesë e procesit formal të anëtarësimit, njëjtë sikurse të gjitha vendet e rajonit.
“Procesi i zbatimit të MSA-së do të kërkoj bashkëpunim dhe koordinim të të gjithë akterëve duke përfshirë komunat, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit. Dhe duke qenë që agjenda evropiane përfaqëson një konsensus shoqëror dhe politik, atëherë edhe ky bashkëpunimin nuk është vetëm një opsion, por një obligimin për të gjithë ne.
Përparimi i Republikës së Kosovës në rrugën e vetë evropiane do të arrihet me zbatimin e mirëfilltë të MSA-së dhe ky duhet të jetë fokusi jonë. Komunat e Kosovës, janë kyçe në procesin e zbatimit të reformave evropiane dhe në ketë drejtim ne presim një bashkëpunim të mirë në këtë proces”, ka thënë zëvendësministri.
Pjesë e panelit në këtë konferencë ishin edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë
znj. Gerrie Willems si dhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj.
Kjo ishte konferenca e dytë informuese për MSA-në, pas asaj që u zhvillua me komunat e Rajonit të Prishtinës e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe e përkrahur nga GIZ.
Last modified: 10 Gusht, 2022