Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kundershtohet dhuna ndaj lirise dhe shprehjes

15 Dhjetor, 2012

Prishtinë, 15 dhjetor 2012. – Ministria e Integrimeve Europiane ka përcjellur me vëmendje situatën në lidhje me një protestë të disa grupeve ekstremiste në mbrëmjen e se premtes, e që kanë rrezikuar rendin publik dhe të drejtat e shprehjës dhe lëvizjes së lirë dhe lirive të mediave.

Përshëndesim dedikimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka dërguar forcat policore për të parandaluar eksceset dhe rrezikimin e pronës dhe lirive qytetare dhe inkurajojmë organet e rendit të veprojnë edhe më tutje kundër diskriminimit në baza etnike, gjinore, fetare, të orientimit seksual, etj. Njekohesisht falënderojmë për reagimin e Ombudspersonit të Kosovës dhe ftojme shoqatat, organizata e shoqerise civile dhe tifozët sportive të përdorin vetëm mjetet e dialogut qytetar për të diskutuar çështjet shoqërore në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast përkujtojmë qytetarët se Konkluzionet e Komisonit Europian obligojnë Qeverinë të përmirson situatën në lidhje me shprehjen e lirë dhe liritë e mediave si kusht esencial të identifikuar në Studimin e Fizibilitetit. Ministria e Integrimeve dhe Qeveria e Kosovës është e dedikuar respektimit të drejtave dhe lirive njerëzore, politike dhe fetare duke respektuar dhe mbrojtur të gjitha kategoritë kushtetuese nga diskriminimi si obligim ligjor dhe si drejtim principiel i të gjitha institucioneve dhe spektrit politik qe perkrah agjenden e Integrimeve Europiane.

Ekstremizmi i cfarëdo lloji nuk është produkt vendor por fenomen i importuar nga shtetet fqinje dhe shoqëritë tjera.

Ministria e Integrimeve poashtu njofton se për vitin 2013 ka ndarë buxhet të vecantë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, liritë mediale dhe për kundërshtimin e diskriminimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kosova nuk do të jetë teren për veprimin e grupeve që cenojnë të drejtat dhe liritë e cilido minoritet.

Ky premtim është bazë e dedikimit tonë për anëtarësinë në familjen e kombeve europiane.

Last modified: 16 Gusht, 2022