Integrimi Evropian

Emigrimi ndalet në Kosovë, jo në BE

9 Shkurt, 2015

Prishtinë, 9 shkurt 2015 – Intervistë e Ministrit Çollaku për të përditshmen “Zëri” – Emigrimi ndalet në Kosovë, jo në BE.

Zëri: Fluksi i ikjes së qytetarëve të Kosovës po vazhdon edhe këtë vit. Sa qytetarë kërkuan azil gjatë viti 2014 në vendet e Bashkimit Evropian?

Bekim Çollaku: Në bazë të të dhënave të fundit nga EUROSTAT për vitin 2014 numri i Kosovarëve që kanë kërkuar azil sillet rreth 26,000. Kjo shifër mund të plotësohet meqë ende janë duke u raportuar disa nga të dhënat për muajin dhjetor për disa shtete. Pavarësisht numrit ekzakt që do ta kemi të konfirmuar në ditët e ardhshme, një gjë është dhimbshëm e qartë, që numri i migruesve të parregullt në vendet e Bashkimit Evropian nga Republika e Kosovës ka shënuar një rritje në vitin krahasim me vitet e fundit. Këto janë shifra alarmante dhe kjo çfarë kemi parë gjatë muajve të fundit, vërtetë është tragjike. Këto ikje euforike të qytetarëve tanë të cilat janë të shtyra nga faktorë të ndryshëm, janë duhet të marrin fund së më shpejt. Për më tepër, ky migrim i parregullt  është duke vënë në rrezik vetë jetët e atyre qytetarëve të prekur nga kjo dukuri, nuk i kontribuon vendit dhe ecurisë së integrimit dhe liberalizimit të vizave.

Zëri: Pse si Ministër i Integrimeve Evropiane ende nuk i keni vizituar qytetarët e Kosovës në kampet hungareze apo gjermane?
Bekim Çollaku: Unë shpresoj se t’i shoh të gjithë qytetarët që kanë migruar sa më shpejtë në Kosovë, të kthyer në vendin e tyre dhe t’i takoj këtu. Unë jam i sigurt që të gjithë e kanë kuptuar se sa keq janë mashtruar që në momentin e parë që ata e kanë kaluar kufirin dhe janë regjistruar në qendra të azilkërkuesve, apo janë dërguar në kampe. E dimë që shumë nga ta dëshirojnë të kthehen, por ekzistojnë procedura që duhen ndjekur. Është shumë e qartë që gjendja në këto kampe është e mjerueshme edhe pa i vizituar drejtpërdrejtë. Sidoqoftë fokusi im është që së bashku me të gjitha institucionet tjera ta ndalojmë këtë trend shumë negativ dhe të krijojmë kushte për jetë dinjitoze në Kosovë. Ambasadat e Republikës së Kosovës në baza ditore merren me këtë çështje dhe raportojnë rregullisht. Për mua dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës është e qartë se në çfarë kushtesh të vështira ballafaqohen ata që pretendojnë se mund të fitojë azil. Prandaj edhe vazhdimisht po bëjmë çmos që qytetarët të kuptojnë se në çfarë rrugëtimi të dhimbshëm dhe të pashpresë po  nisen. Vizita ka pasur deri më tani dhe çfarë mund të bëja nga një vizitë e tillë është vetëm të duplifikoj mesazhin e qartë të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Hyseni i cili ka përfaqësuar qeverinë në vizitën e tij në një nga këto qendra ku po qëndrojnë azilkërkuesit nga Kosova. Nga pozita ime si Ministër unë kam qenë i fokusuar të punoj drejtë gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për të adresuar sfidën e migrimit jo të rregullt me përfaqësues të institucioneve tona dhe shteteve evropiane, dhe në të njëjtën kohë kam filluar vizitat në nivel lokal, sidomos në  ato lokacione ku kjo dukuri ka qenë më e shprehur.

Zëri: A ka mundësi t’iu jepet statusi i azilantit qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së?
Bekim Çollaku: Jo, jo, jo. Qytetarët e Kosovës nuk kualifikohen për azil. Azili jepet në bazë të arsyeshmërisë dhe evidencës së fortë kur dikush përndjeket dhe persekutohet në bazë të përkatësisë racore, fetare, nacionale, bindjeve politike apo në raste të shkeljeve të drejtave njerëzore por jo në baza të kushteve socio-ekonomike. Të gjitha vendet e BE-së janë shumë mirë të informuara për gjendjen në Kosovë dhe ato mirë e dinë që ato lloje të përndjekjeve ka kohë të gjatë që nuk kanë ndodhur në Kosovë. Shtetet e BE-së kanë përfaqësitë e tyre diplomatike në Kosovë dhe ato nuk do të mashtrohen, andaj as qytetarët e Kosovës nuk duhet të mashtrohen qoftë edhe nga ato raste individuale ku dikush mund të ketë dëgjuar që dikujt i është pranuar azili. Ato janë vetëm thashetheme dhe gënjeshtra që e kanë një qëllim të vetëm, që është të sjellin sa më shumë përftime për trafikantët që po përfitojnë nga kjo dukuri.

Zëri: Çfarë masash keni ndërmarrë ju si ministër parandalimin e këtij eksodi?
Bekim Çollaku:  Së pari, duhet të kemi  kujdes me terminologjinë. Nuk pajtohem me këto përshkrime të përmasave biblike si eksodi etj. Ju lutem të mos më keqkuptoni, sepse nuk dua të them që nuk është kjo problematike dhe tragjike nëse nuk ndalet. E them që kemi një problem dhe një sfidë të madhe me rritjen e numrit me një hap të përshpejtuar sidomos gjatë disa muajve të fundit, dhe sigurisht që po i kushtojmë të gjithë vëmendjen që e meriton për ta zbutur dukshëm dhe sa më shpejtë.

Sa i përket punës sime në këtë drejtim, besoj që ju kujtohet që kam folur për këtë çështje shumë hapur qysh në fillim. Një nga gjërat që e bëjmë është që do të mbikëqyri zbatimin e shpejtë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, që në vete përmban veprime të shumta që do të kenë ndikimin e vetë. Sidoqoftë situata e tanishme është pak më e jashtëzakonshme andaj edhe  do të bëhen përpjekje shtesë si intensifikimi i fushatës vetëdijësuese. Gjithashtu kam filluar vizitat nëpër komunat e Kosovës për të parë sfidat dhe punën po bëhet në nivel lokal në adresimin e sfidave te migrimit jo të rregullt dhe për të koordinuar veprimet tona të përbashkëta në këtë drejtim.  Ndërsa më në fund duket se të gjitha institucionet e vendit, duke filluar nga parlamenti, presidenca, qeveria, shoqëria civile, mediet janë të përkushtuara për ti dhënë fund kësaj dukurie të dhimbshme dhe shqetësuese.

Zëri: A është punësimi sezonal në vendet e Bashkimit Evropian, ndihmesë në këtë aspekt?
Bekim Çollaku: Po besoj se mundësitë e punësimit sezonal do të kishin një efekt zbutës, andaj e kam ngritur këtë në shkëmbime me përfaqësues të vendeve të BE . Por të mos e zhvendosim vëmendjen dhe mendojmë që zgjidhjet janë diku jashtë Kosovës. Zgjidhjet për këtë problematikë janë në Kosovë. Prandaj, besoj se një përkushtim i shtuar për zhvillim ekonomik dhe për të rritur mundësitë e punësimit do të jep efektin e vet të qëndrueshëm që kjo dukuri të ndalet dhe të mos përsëritet.

Zëri: A do të ndikoj migrimi ilegal në shtyrjen e liberalizimit të vizave?
Bekim Çollaku: Shpresoj që të ky trend të ndalet së shpejti në bazë të veprimeve të përbashkëta të institucioneve dhe se nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në afatet për liberalizimin e vizave. Unë ende besoj se diçka e tillë mund të bëhet. Por duhet të shohim një ndryshim së shpejti. Procesi i liberalizimit është i tillë që i ka vënë qartë pritjet e shteteve anëtare të BE sa i përket ndikimit të reformave, që ndër të tjera do të thotë edhe numër më të vogël të migruesve të parregullt”. Imazhet e migruesve nga Kosova që po kalojnë në këmbë kufijtë do të nguliten në koshiencën e evropianëve që edhe ashtu nuk e kanë ndonjë disponim edhe aq të madh për të pritur më shumë migrues, sidomos tash kur janë cak i flukseve të migruesve nga zona të luftës në kohë të krizës. Por, me një përkushtim mbarë institucional, në bashkëpunim me partnerët tanë Evropian, me një ndihmesë të gjerë të gjithë aktereve në shoqërinë tonë jam i bindur se  do të mund ta bëjmë një kthesë të shpejtë dhe të mos e lejojmë këtë dukuri të rritet më tej dhe ta shtyj liberalizimin e vizave. Sa i përket asaj që ka ndodhur deri tani, vështirë të kuantifikohet, por assesi nuk sjellë asgjë të mirë.

Zëri: Kur besoni që do të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës?
Bekim Çollaku: Për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për Ministrinë e Integrimit Evropian procesi i liberalizimit të vizave mbetet prioritet kyç. Kriteret e fundit të mbetura janë të shtrira nëpër institucione të ndryshme. Raportet e fundit nga këto institucione përgjegjëse tregojnë se jemi në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve . Besoj që këtë pjesën e parë të vitit do të përmbushim kriteret teknike dhe do të vazhdojmë edhe veprimet për të adresuar sfidat e migrimit. Pas kësaj mbetet për BE-në që të vlerësoj dhe të merr vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova e meriton vendimin për heqjen e vizave për shkak të punës që kemi bërë në përmbushjen e kritereve të parapara nga udhërrëfyesi. Çfarë do prolongimi i një vendimi të merituar pas përmbushjes së kritereve të mbetura, do të ishte zhgënjyes dhe dekurajues për qytetarë dhe institucionet e Kosovës në rrugën tonë drejt realizimit të synimit tonë nacional-anëtarësimit në BE dhe NATO.

Last modified: 12 Gusht, 2022