Prishtinë, 23 Maj 2019 – Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, në Mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të cilën e kryesoi kryeministri Ramush Haradinaj, arsyetoi projekt-rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në këtë Ministri dhe nismën për Marrëveshjen financiare trepalëshe, Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë.
Dy propozimet e zëvendësministrit Çelaj, u miratuan nga Kabineti qeveritar.
Ministria e Integrimit Evropian, mbulon një gamë të gjerë fushash të koordinimit, bashkërendimit, monitorimit dhe raportimit me fokus në procesin e integrimit Evropian të Republikës së Kosovës, potencoi Z. Çelaj.
“Kjo projekt-rregullore krijon një bazë më të konsoliduar të menaxhimit të detyrave dhe përgjegjësive brenda Ministrisë së Integrimit Evropian karshi institucioneve të linjës në procesin e integrimit evropian”, ceku z. Lirak Çelaj dhe shtoi se projekt rregullorja ka marr pëlqimin e Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave.
Po ashtu, zëvendës ministri Lirak Çelaj, ka prezantuar për miratim në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2018. Marrëveshja ka të bëj me zbatimin e programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar që financohet në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Programi i bashkëpunimit ndërkufitar me fondet e BE-së, potencoi z. Çela, synon të rrisë bashkëpunimin rajonal dhe të nxis zhvillimin e zonave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Prioritetet e këtij programi mes dy vendeve janë: Mbrojtja mjedisore, adaptimet ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut, Turizmi dhe trashëgimia kulturore dhe ajo natyrore, si dhe Rinia dhe arsimi me fokus në gjenerim të punësimit.
Pas miratimit të kësaj nisme, do të vazhdojmë konsultimet me Komisionin Evropian, në pajtim me procedurat e brendshme qeveritare dhe do të nënshkruhet marrëveshja në kohën e paraparë.
Last modified: 5 Gusht, 2022