Prishtinë, 20 korrik 2015 – Përfaqësues të grupeve punuese teknike për procesin e liberalizimit të vizave nga të gjitha institucionet përkatëse, kanë diskutuar sot për punën e misionit faktmbledhës të KE-së për liberalizim të vizave, ekspertët e të cilit qëndruan në Kosovë nga 13-17 korrik, duke konstatuar se organizimi i misioni ishte i suksesshëm.
Me gjithë përmbushjen e përgjithshme të kritereve, u konstatua që përkushtimi i institucioneve duhet të vazhdoj në nivelin e njëjtë. Përderisa një numër i vogël i kritereve kërkon ende punë për tu përmbyllur përfundimisht, një numër i tyre u tha se kërkon zbatim të vazhdueshëm.
Me këtë rast, zëvendësministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit institucional për kontributin e dhënë dhe i ka përgëzuar për bashkëpunimin që patën me ekspertët e misionit faktmbledhës. Ilazi ka përsëritur se rëndësia e këtij misionit vlerësues është qenësore sepse raporti që do të hartohet nga ekspertët do të hap rrugë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
Ndërkaq z. Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit për Integrim Evropian dhe njëherësh koordinator teknik i procesit të liberalizimit, ka bërë të ditur se ekspertët kanë zhvilluar mbi 50 takime dhe vizita në terren me përfshirje të mbi 100 përfaqësuesve institucional, me ç’rast janë prezantuar të arriturat në adresimin e kritereve teknike të cilat janë vlerësuar nga ekspertët.
Ministria për Integrim Evropian, së bashku me institucionet e tjera do të vazhdoj angazhimin për përmbylljen e dialogut për liberalizim të vizave brenda vitit 2015.
Last modified: 11 Gusht, 2022