Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, janë takuar me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule

19 Mars, 2013

Prishtinë, 19 mars 2013 – Pas takimit, të përbashkët të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe ministres së Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, është mbajtur konferencë e përbashkët për media.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e zëvendëskryeministrit Kuçi, ministres së Integrimeve Evropiane, Çitaku dhe komisionerit për Zgjerim, Fule:

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi:

Më lejoni që të shpreh kënaqësinë time për takimin që e patëm me komisionarin Fule, dhe ta falënderojmë për vizitën e tij që po i bën Republikës së Kosovës.

Duhet ta pranojmë faktin që është një lajm i mirë për vendin tonë vizita e komisionarit Fule, dhe po ashtu duhet ta pranojmë faktin që komisioneri Fule brenda muajit takon për dy herë zyrtarët e Republikës së Kosovës, me të cilin kemi një bashkëpunim të qartë.

Më lejoni të them se çdo takim me komisionarin Fule paraqet një prezantim të të arriturave tona, në fushën e integrimeve evropiane, por po ashtu edhe marrjen e obligimeve të cilat lidhen drejtpërdrejt me procesin tonë integrues.

Sot kemi biseduar për tri çështje konkrete, që shkurtimisht mund të them, e para ka qenë lidhur me për procesin e Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, për çka duhet të them që Republika e Kosovës ka përfunduar kriteret afatshkurta, dhe tani më jemi në fazën ku ne presim hapa konkret gjatë muajit prill edhe nga Komisioni Evropian. Besoj që në muajt e ardhshëm do të jemi të aftë që të fillojmë një proces të tillë që është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe për Kosovën. Nga ky proces do të vazhdojmë me plotësimin e kritereve afatmesme.

Po ashtu kemi biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar në veçanti për detyrat që duhet t’i plotësojnë institucionet e Kosovës, Republika e Kosovës, por edhe të gjithë mekanizmat tjerë në Kosovë, por gjithashtu kemi kërkuar për dy proceset një përshpejtim të dinamikës së tillë të dyanshme, edhe nga ne që të plotësojmë detyrat tona, por njëkohësisht edhe nga institucionet e BE-së që të ndihmojnë në këtë proces, që të jetë sa më i shpejt, sa më i shkurtë, por natyrisht efektiv dhe duke i plotësuar detyrat.

Tema e tretë, e pashmangshme, që lidhet edhe me vizitën e komisionarit në rajon, ka të bëjë me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në emër të Qeverisë së Kosovës i shpreha gatishmërinë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që nesër të jemi konstruktiv në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që Qeveria e Republikës, respektivisht kryeministri, do të shkoj me vullnet që të arrij marrëveshjen në mes të dy vendeve tona, me qëllimin tonë më të mirë, që të kemi paqe, stabilitet dhe normalizim të raporteve në mes të dy vendeve tona.

Natyrisht, do të kemi gjithmonë parasysh respektimin e sovranitetit të Kosovës, tërësisë territoriale, Kushtetutës dhe rendit juridik të vendit tonë.

Ne kontribuojmë në këtë drejtim dhe do të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm. Më lejoni të shpreh admirimin tonë për rolin që po e luan BE-ja, në veçanti zonja Ashton në procesin e dialogut, por edhe për kontributin e zotit Fule drejtpërdrejt, edhe në procesin e integrimeve evropiane, edhe në procesin e dialogut.

Ne e dimë që kemi obligime që duhet t’i kryejmë përballë BE-së, por jemi të bindur që edhe BE-ja ka një gatishmëri për procesin integrues të Kosovës, ku edhe kemi vendin, ku duhet të jemi edhe ne si shtet, por edhe rajoni në tërësi.

Edhe njëherë më lejoni t’i dëshiroj mirëseardhje z. Fule dhe ta falënderoj për vizitën e tij në Kosovë.

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku:

Është gjithmonë kënaqësi që të takohemi me komisionarin Fule, i cili përkundër sfidave më të cilat ballafaqohet politika e zgjerimit sot në Bashkimin Evropian, vazhdon të mbetet kampion i përfshirjes dhe anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit në familjen e madhe evropiane.

Ajo çfarë ne e siguruam komisionerin është që Kosova do të vazhdoj të prodhoj argumente, që puna e tij të jetë më e lehtë, që t’iu ndihmojmë më shumë që ju të jeni në gjendje të shtyni përpara agjendën evropiane për Kosovën.

Një relacion i cili është definuar deri vonë nga ne, ka marrë një trajtë konkrete kohëve të fundit, pas Studimit të Fizibilitetit dhe përmbushjes së kritereve afatshkurta nga ana jonë. Presim materializimin e relacionit, përkatësisht hyrjen në marrëdhënie kontraktuale përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si hap të parë drejt anëtarësimit në BE.

Ne jemi të vetëdijshëm që na pret një rrugë e gjatë. Kosova vazhdon të ketë sfida. Ne vazhdojmë të ndajmë me vendet e rajonit shumë probleme. Por vullneti është shumë i madh. Nuk ka fije dyshimi që zgjerimi si praktikë bazohet në mësimet e marra dhe sfidat për Kosovën ndonjëherë janë më të mëdha dhe më komplekse.

Megjithatë, është e rëndësishme që në fund të këtij proces, sado i gjatë dhe sfidues të jetë ai, Kosova do të sendërtoj brenda vetes të gjitha vlerat dhe parimet evropiane.

Është fat i madh që në Kosovë ka një konsensus të fuqishëm politik. Dhe unë e njoftova komisionari, që përmbushja e kritereve afatshkurta në një kohë aq të shkurtër nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e madhe që partitë opozitare i japin procesit të integrimit evropian.

Po ashtu është diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ndonëse nuk bie drejtpërdrejt në fushëveprimin e komisionerit Fule.

Megjithatë, Komisioni Evropian, zyra e tyre në Prishtinë, EULEX-i, janë një vlerë e shtuar për Kosovën në këtë proces. Ne tashmë kemi hartuar një Udhërrëfyes tonin të përbashkët, në mënyrë që bashkërisht të ndajmë detyrat dhe sa më shpejt të bëjmë përmbushjen e tyre.

Partneriteti është fjala kyçe, dhe unë jam shumë e kënaqur me partneritetin që kemi me komisionarin por edhe me strukturat e tij që ka në Prishtinë.

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule:

Mirëmëngjesi. Jam i lumtur që jam përsëri në Prishtinë.

Është kënaqësi të jem këtu sot – në një moment kyç për të ardhmen evropiane të Kosovës. Nëse keni vërejtur kontakte më të shpeshta mes Prishtinës dhe Brukselit, kjo tregon një shkallë të përkushtimit në të dy anët, për të shtyrë para Kosovën në shtegun e saj evropian.

Sapo jam takuar me dy kolegët e mi, Zëvendëskryeministrin Kuçi dhe Ministren Çitaku dhe së shpejti do të takohem edhe me Presidenten Jahjaga. Porosia ime kryesore për ta dhe për tërë Kosovën është se – unë i mbështes përpjekjet e juaja në dialogun me Serbinë dhe e çmoj përparimin e mirë që është bërë për të përmbushur prioritet afatshkurtra nga studimi i fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit.

Ky përparim është rezultat i punës së zellshme të Kosovës. Është jetike që të ruhet ky ritëm dhe të vazhdohet ky përparim sepse në bazë të tij, Shtetet Anëtare, duhet të vendosin në qershor për hapat e radhës.

Ditët dhe javët në vazhdim do të jenë jetike për marrëdhëniet BE-Kosovë. Një marrëveshje e mundshme me Beogradin nesër dhe jetësimi i saj në terren duhet të trasojnë rrugën për përfundime pozitive në takimin e Këshillit në qershor, rreth negociatave për një Marrëveshje Stabilizim Asociimit.

Kryeministri Thaçi ka punuar shumë për të ardhur deri te ky moment. Tash ai ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve në Kosovë – në interes të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Sepse, të qenit evropian nënkupton të qenit i gatshëm për kompromise dhe po ashtu edhe për konsensuse.

Së shpejti do t’i drejtohem me porosinë e njëjtë Këshillit Nacional për Integrime Evropiane si dhe takimit të përbashkët të Komisioneve të Kuvendit për Integrime Evropiane dhe Çështje të Jashtme.

Kosova duhet të tregoj edhe më shumë guxim tani. Kërkohen më shumë përpjekje në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformën elektorale dhe për zhvillim ekonomik.

Vazhdimi i reformave dhe përmirësimi i marrëdhënieve janë dy anët e së njëjtës medalje. Pa to, nuk mund të ketë Kosovë të lulëzuar dhe të begatë në paqe me veten dhe me fqinjët në rrugë për në Evropë. Jam i sigurt se ju mund t’ia dilni dhe për këtë ju keni mbështetjen tonë të vazhdueshme.

Ju faleminderit.  

 

Last modified: 16 Gusht, 2022

6 Responses to " Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, janë takuar me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule "

  1. 다시보기 thotë:

    … [Trackback]

    […] Information on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/zevendeskryeministri-hajredin-kuci-dhe-ministrja-e-integrimit-evropian-vlora-citaku-jane-takuar-me-komisionerin-per-zgjerim-te-bashkimit-evropian-stefan-fule/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Find More to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/zevendeskryeministri-hajredin-kuci-dhe-ministrja-e-integrimit-evropian-vlora-citaku-jane-takuar-me-komisionerin-per-zgjerim-te-bashkimit-evropian-stefan-fule/ […]

  3. … [Trackback]

    […] Read More to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/zevendeskryeministri-hajredin-kuci-dhe-ministrja-e-integrimit-evropian-vlora-citaku-jane-takuar-me-komisionerin-per-zgjerim-te-bashkimit-evropian-stefan-fule/ […]

  4. … [Trackback]

    […] Read More here on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/zevendeskryeministri-hajredin-kuci-dhe-ministrja-e-integrimit-evropian-vlora-citaku-jane-takuar-me-komisionerin-per-zgjerim-te-bashkimit-evropian-stefan-fule/ […]

  5. More hints thotë:

    … [Trackback]

    […] Information on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/zevendeskryeministri-hajredin-kuci-dhe-ministrja-e-integrimit-evropian-vlora-citaku-jane-takuar-me-komisionerin-per-zgjerim-te-bashkimit-evropian-stefan-fule/ […]

  6. … [Trackback]

    […] Here you can find 71010 more Info to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/zevendeskryeministri-hajredin-kuci-dhe-ministrja-e-integrimit-evropian-vlora-citaku-jane-takuar-me-komisionerin-per-zgjerim-te-bashkimit-evropian-stefan-fule/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *