Vizita në Bruksel e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vijoi me prezantimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe situatën aktuale në “European Policy Center”, në diskutimin me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: Si ta tejkalojmë ngërçin?”.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se integrimi evropian është prioritet kryesor për Qeverinë. Arritja e liberalizimit të vizave, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës e aplikimi për anëtarësim në BE, dhanë sinjalin vitin e kaluar për rëndësinë dhe vëmendjen e veçantë ndaj rrugëtimit evropian. Përmes progresit të dëshmuar veçanërisht në indikatorët ekonomikë e të sundimit të ligjit, kemi treguar gatishmërinë e Qeverisë për hapa të rëndësishëm drejt integrimit në BE.
Përtej pengesave e barrierave, vendi ynë njohu rritje e zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të reja të punës, u punua në formalizimin e ekonomisë, në ligje që targetojnë luftën kundër korrupsionit e në strategjinë anti-korrupsion. Pra punësim e drejtësi ishte përgjigja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të avancuar agjendën evropiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi e vlerësoi lartësisht dhe iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, znj. Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030. Theksoi se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet.
Sa i përket situatës aktuale, ai theksoi se sulmi i 24 shtatorit ishte një akt agresioni, i dizajnuar, mbështetur e orkestruar nga Serbia. Këtë e dëshmojnë tashmë qartazi dhe faktet e shumta, nga prezenca e organizimi i agresionit nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre. Objektivi ka qenë i qartë: shkelja e integritetit territorial, sovranitetit të Republikës së Kosovës e tentativë për destabilizim të vendit tonë e të rajonit.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator. Në përfundim ai i falenderoi organizatorët për mundësinë e bashkëbisedimin e frytshëm.
Last modified: 5 Tetor, 2023