Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Zëvendëskryeministri Bislimi u takua me Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman

Në fillim të vizitës zyrtare në Bruksel, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman. Zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua në këtë takim nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Drejtori i Përgjithshëm Koopman e filloi takimin duke shprehur ngushëllime për sulmin e 24 shtatorit ku u vra në krye të detyrës Rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Zëvendëskryeministri Bislimi e falenderoi z. Koopman për mesazhin e tij, duke thënë se ky ishte një sulm terrorist tashmë i faktuar me përfshirje të institucioneve të Serbisë e akt agresioni me një seri përgatitjesh të mëhershme e objektiv të qartë: shkeljen e integritetit territorial, sovranitetit të Republikës së Kosovës e tentativë për destabilizim të vendit tonë e të rajonit.

Temë qendrore e diskutimit, ishin projektet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian si dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Republika e Kosovës e vlerëson lartësisht iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, znj. Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.

Kosova e sheh veten pjesë të familjes evropiane. Viti i kaluar ka qenë veçanërisht vit evropian për Kosovën ku vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës, si dhe pas punës së përkushtuar të institucioneve të Republikës për arritjen e Liberalizimit të Vizave. Përtej barrierave me të cilat jemi përballur, vendi ynë ka performuar më lart edhe se vendet e tjera të rajonit veçanërisht në indikatorë ekonomikë e të sundimit të ligjit. Kjo është dëshmi e potencialit tonë për rritje e zhvillim dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, andaj është momenti që Kosovës t’i hiqen pengesat në rrugëtimin drejt BE-së.

Në anën tjetër, Ministrja Rizvanolli foli mbi projektet në kuadër të Pakos për Energji e financuar nga BE-ja, si dhe impaktin e shpejtë pozitiv që po e kanë këto projekte. Sektori i energjisë është një nga sektorët ku Qeveria është përqëndruar në trajtimin e barrierave të të gjitha aspekteve, andaj Pako e Energjisë si dhe projekte të tjera të financuara nga BE, Qeveria e Republikës, apo institucione tjera ndërkombëtare janë mirë të planifikuara dhe po tregojnë rezultate pozitive.

Së fundmi, u theksua se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave.

Comments are closed.