Integrimi Evropian

Verëtarët e Rahovecit i qasen tregut të BE-së

26 Prill, 2019

Rahovec 25 Prill 2019 – Industria e verës në Rahovec ka shënuar përparim të dukshëm në prodhim dhe eksport në vendet e Bashkimit Evropian. Në Shtëpinë e Verës në Rahovec, në një panel diskutimi që u organizua në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin e integrimit evropian”, i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, prodhuesit vendor kanë kërkuar që të mbështeten më shumë prodhuesit vendor nga Institucionet e Kosovës.

Kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se përkundër vështirësive që kanë fermerët, ai krenohet me rezultatet që kanë arritur. “Ne kemi gjetur rrugë për të eksportuar në tregun e jashtëm, si vera, rakia e rrushit, prodhime që dalin nga rrushi. Ekportojmë edhe perime dhe produkte që vijnë nga perimet, mirëpo shtimi i eksportit dhe vazhdimi i reformave për krijim të lehtësirave të mëtutjeshme për prodhuesit tanë, sigurisht që ndikon në rritjen e rezultateve për prodhuesit tanë. Ne jemi të interesuar për më shumë mundësi që të përfshihemi më mirë në skemën e granteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe në parteritetet e tjera që kanë edhe Ministria e Integrimit Evropian, si dhe nga fondi mbështetës i BE-së në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Bejtullah Haxhimurati, nga Biopak Winery, ka deklaruar se kompania që ai përfaqëson, rreth 80% të prodhimit e eksporton në tregun e jashtëm. “Kjo është arritur falë punës tonë të pandalshme dhe donacioneve në teknologji që kemi marrë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë”, është shprehur Haxhimurati.

Ndërkohë, Arton Osmani, menaxher i projekteve për bujqësi në zyrën e BE-së në Kosovë, ka kërkuar nga prodhuesit vendor të verës që bashkërisht të punojnë në përmirësim të infrastrukturës dhe të plotësojnë standardet e BE-së, në mënyrë që t’i qasen një tregu me më shumë se 300 milion banorë. “Në 10 vitet e fundit e kemi mbështetë sektorin privat të Bujqësisë me grante. Ne planifikojmë të vazhdojmë të mbështesim rajonin e Rahovecit edhe këtë vit, sepse është vlerësuar si potencial për zhvillim të mëtutjeshëm, dhe tregu për eksport është më lehtë i qasëshëm në raport me prodhimet tjera”.

Sipas Hysni Nurës, shef i Divizionit për bujqësi, pylltari, zhvillim rural dhe siguri të ushqimit, në Ministrinë e Integrimit Evropian, në negociatat me Komisionin Evropian për implementim të Marëveshjes së Stabilizimit, është arritur që t’i mundësohet prodhuesve vendorë që të eksportojnë në tregun e BE-së pa asnjë tarifë doganore. “Kosova, që nga hyrja në fuqi e MSA-së, ka shfuqizuar tarifat doganore për 1,044 nga 2,564 produkte bujqësore nga BE-ja. Në saje të koncesioneve me BE-në, i lejohet Kosovës që të gjitha produktet bujqësore t’i eksportojë në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero”, ka thënë ai.

Projekti “Mbështetje e komunikimit të procesit të integrimit evropian” i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, synon që të rrisë vetëdijen e qytetarëve për katër fusha me rëndësi që parashihen në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si Bujqësia, Mbrojtja e konsumatorit, Siguria e ushqimit dhe Siguria në punë.

Last modified: 5 Gusht, 2022

One Response to " Verëtarët e Rahovecit i qasen tregut të BE-së "

  1. best world news thotë:

    You can definitely see your enthusiasm within the article you write.
    The arena hopes for more passionate writers like you who are not afraid to say
    how they believe. Always follow your heart.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *