Në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, u zhvillua mbledhja e pestë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Kjo mbledhje u kryesua nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi. Prezent ishin ministra, zëvendësministra e përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të pavarura, relevante për përmbushjen e agjendës evropiane të vendit.
“Integrimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës, andaj çdo hap që ndërmerret në drejtim të këtij objektivi strategjik është një hap i duhur tutje drejt integrimit të Kosovës në këto institucione dhe organizata.” tha zëvendëskryeministri Bislimi në hapjen e kësaj mbledhjeje.
Fillimisht në pjesën e parë të mbledhjes u diskutua për masat të cilat kanë arritur zbatim në Planin e Veprimit ERA II dhe aspektin e përgjithshëm të gjendjes së zbatimit sipas institucioneve dhe në të dytën hapat dhe reformat kyçe të parapara në kuadër të Programit Kombëtar për Integrim Evropian, PKIE 2023-2027.
Në këtë mbledhje të pestë të këtij Këshilli, u fol dhe rreth detyrave konkrete dhe sfidave të mundshme në zbatimin e arritjen e objektivave drejt rrugës së integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
“Siç e dini, më 15 dhjetor 2022 kemi dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE. Në veçanti tani pas aplikimit për anëtarësim pritet përshpejtim i zbatimit të reformave dhe përmirësimi i cilësisë dhe ndikimit të tyre në jetën e qytetarëve. Fokusi qëndron tek krijimi i momentumit për pranimin e pyetësorit nga Komisioni Evropian për t’u vlerësuar për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim. Prandaj, është me rëndësi kyçe që reformat nën përgjegjësinë e institucioneve që drejtoni të zbatohen brenda afateve kohore të vendosura nga vetë institucionet tuaja, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit si institucionin kryesor koordinues për integrim evropian.” shtoi ndër të tjera zëvendëskryeministri Bislimi.
Zyra e Zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog së bashku me Drejtoritë përkatëse të integrimit evropian do të monitorojnë rregullisht procesin e zbatimit të reformave dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me ministritë, Kuvendin e Kosovës, këshillat dhe agjencitë e pavarura për përmbushjen e obligimeve të agjendës evropiane.
Last modified: 18 Korrik, 2023