Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 7-të të Nën-komitetit të MSA-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe peshkimin

15 Maj, 2023

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisionit Evropian u takuan virtualisht për të diskutuar zhvillimet në fushat e bujqësisë, produkteve bujqësore të përpunuara, zhvillimit rural, peshkimit, sigurisë ushqimore, çështjeve veterinare dhe fitosanitare. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill 2016. Diskutimi mbuloi një gamë të gjerë temash, duke përfshirë zhvillimet politike, legjislative dhe zbatuese në bujqësi dhe zhvillimin rural në Kosovë, forcimin e kontrolleve të importit për ushqime dhe kafshë, sistematizimin e futjes së të dhënave në databazën për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, shfrytëzimin e tokës dhe konsolidimin e tokës, statistikat e importit dhe eksportit të bujqësisë, bujqësinë organike dhe performancën e institucioneve përgjegjëse për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.

Bujqësia dhe siguria ushqimore ka përfituar nga ndihma e konsiderueshme e BE-së deri më tani, veçanërisht nga kontributi i BE-së në zhvillimin rural dhe në fushën e sigurisë ushqimore. Gjatë takimit u rikujtua se standardet e BE-së duhet të zbatohen në praktikë në të gjitha nivelet: në kontrollin e importeve dhe eksporteve, regjistrimin e kafshëve, praktikat e rritjes për ushqim, përpunimin e ushqimit, etiketimin dhe tregtinë. Një sërë organesh kontrolli përfshihen në garantimin e këtyre standardeve, nga zyrtarët shëndetësorë tek inspektorët, veterinerët dhe laboratorët. Këto janë krijuar pjesërisht në Kosovë, për të siguruar zbatimin e standardeve të BE-së dhe duhet të përforcohen. Në këtë drejtim është mirëpritur transferimi i inspektorëve veterinar nga komunat në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe është diskutuar për ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve të tyre. Një sërë ligjesh përkatëse janë miratuar nga Qeveria. Kuvendi miratoi Ligjin për Pijet e Forta Alkoolike dhe Komisioni pret miratimin edhe të Ligjit për Verërat nga Kuvendi. Përpjekjet për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe për vendosjen e sistemeve të informacionit bujqësor duhet të vazhdojnë.

Komisioni përsëriti se përafrimi me standardet e BE-së, për të zhvilluar peshkimin dhe akuakulturën, mund të sjellë edhe mundësi komerciale, vende pune dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet rurale.

Komisioni i rekomandoi Kosovës që të përmirësojë koordinimin ndërministror dhe ndëragjenci, si dhe komunikimin me të gjitha palët e interesuara, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, gjatë përgatitjes, zbatimit dhe monitorimit të politikave.

 

Informata të përgjithshme

  • Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizimit dhe Asociimit, si dhe Nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
  • Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.
  • Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.
  • Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
  • Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.

Koha ndërmjet takimeve mundëson zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve vijuese të dakorduara.

Last modified: 15 Maj, 2023

Comments are closed.