Integrimi Evropian

Takimi i parë i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit

16 Maj, 2016

Prishtinë, 16 maj 2016 – Fjalimi i ministrit për Integrim Evropian, z. Bekim Çollaku në Takimin e parë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Kuvendin e Kosovës:

Takimi i parë i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA)

Të nderuar bashkëkryesues të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit,
z. Haliti dhe z. Picula;
Të nderuar anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit nga Parlamenti i Kosovës dhe i Bashkimit Evropian;
I nderuari Kryeministër Mustafa;
I nderuari z. Žbogar, përfaqësues i Bashkimit Evropian në Kosovë;
Zonja dhe zotërinj,

Dita e sotme shënon një hap tjetër në formalizmin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për shkak se sot po funksionalizohet një ndër strukturat themelore të përbashkëta për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Fillimi i zbatimit të MSA-së pa dyshim përbënë një arritje historike jo vetëm për të ardhmen tonë evropiane, por edhe për konsolidimin e procesit të shtet-ndërtimit dhe një pikënisje të re në zhvillimin tonë ekonomik, politik e shoqëror.

Si e tillë, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përbën bazamentin e të gjitha reformave strategjike që do të ndërmarr Kosova deri në anëtarësimin e plotë në BE.

Përveç nevojës për ta bërë perspektivën tonë evropiane gjithnjë e më të prekshme, këto reforma do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të vendit përmes një procesi që do të shërbejë si forcë shtytëse për avancimin dhe stabilizimin sistemit tonë ekonomik e politik.

Në këtë kontekst, Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim (KPSA) dhe strukturat tjera të përbashkëta që do të krijohen do të shërbejnë si mekanizma kryesor që do t’i japin orientim strategjik tërë procesit, duke i bërë reformat gjithnjë e më të qarta, konkrete e të prekshme deri në anëtarësimin e plotë në BE. Kjo pasi që në këto forume do të marrim së bashku vendimet më të rëndësishme politike për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Krahas procedurave formale të miratimit dhe hyrjes në fuqi të MSA-së, Institucionet e Kosovës kanë përgatitur Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA), i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në mars të këtij viti.

Programi mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tri aspekte strategjike të aderimit në BE: përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis-në e BE-së; dhe zbatimin e legjislacionit të përafruar me acquis.

Programi parasheh një agjendë të ngarkuar legjislative për këtë vit, konkretisht miratimin e një amendamenti kushtetues, lidhjen e dhjetëra marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe hartimin e plotësim-ndryshimin e gjithsej 83 ligjeve dhe mbi 190 akteve nënligjore e akteve të tjera rregullative.

Duke qenë se programi parasheh në radhë të parë reforma kushtetuese dhe legjislative, zbatimi i të gjitha këtyre masave do të kërkojnë angazhim intensiv të Kuvendit të Kosovës. Në këtë drejtim, Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit do të luaj rol kyç në zbatimin e kësaj agjende të ngarkuar legjislative, e cila vetëm sa do të intensifikohet në vitet në vijim.

Të nderuar anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit;

Tani e tutje kryefjala e çdo angazhimi institucional në kontekst të agjendës evropiane do të jetë zbatimi.

Para vetes kemi një program dhe agjendë ambicioze të reformave legjislative dhe institucionale të cilat duhet të ndërmerren. Në anën tjetër, të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat që sjell ky proces kompleks që kërkon një nivel shumë të lartë të përgatitjes dhe kapaciteteve institucionale.

Megjithatë, kemi besim të palëkundur se të gjitha reformat e kërkuara do të arrijmë t’i zbatojmë me sukses, dhe se kemi parakushte të mira për të arritur këtë.

Ndër më të rëndësishmet prej këtyre parakushteve janë mbështetja e publikut për integrimin në BE, gatishmëria e të gjithë akterëve – institucioneve publike, akterëve politikë, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit e të gjitha palëve të tjera të interesuara – për të bashkëpunuar dhe përkrahur këtë qëllim madhor nacional, si dhe me bashkëpunimin e përkrahjen e institucioneve të BE-së, shteteve anëtare dhe të gjithë partnerëve tanë të tjerë.

Prandaj, është krejt e natyrshme të besohet se nëse kemi përmbushje të këtyre parakushteve të domosdoshme, atëherë në momentin e duhur, Kosova do të ndërmarr hapin e radhës për aplikim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Duke ndjerë barrën dhe përgjegjësinë e koordinimit të procesit të integrimit evropian, si Ministër për Integrim Evropian, ju ftoj juve si bashkë-kryesues dhe anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, të vazhdoni rolin tuaj të pazëvendësueshëm në dinamizimin e procesit përmes këshillimit dhe mbikëqyrjes së mekanizmave implementues, kultivimit të konsensusit dhe llogaridhënies, rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, dhe informimin e publikut rreth procesit në tërësi.

Me lejoni gjithashtu të them se paralelisht me monitorimin e zbatimit të Programit, jemi duke vazhduar me aktivitete në informim të qytetarëve dhe palëve të interesuara, mbi të gjitha komunitetit të biznesit lidhur me mundësitë dhe sfidat të cilat i ofron MSA-ja.

Nesër, së bashku me Komisionerin Hahn, do të mbajmë konferencën e nivelit të lartë gjatë së cilës do të prezantohen dhe elaborohen shumë çështje që ndërlidhen me mundësitë, përfitimet dhe sfidat për ekonominë kosovare që derivojnë nga zbatimi i MSA-së.

Ndërkohë, aktivitete të ndryshme informuese lidhur me zbatimin e MSA-së janë duke u organizuar në vazhdimësi në koordinim me organizata të shoqërisë civile, Zyrën e BE-së dhe akterët tjerë. Këto aktivitete po organizohen dhe do të vazhdojnë të organizohen në nivelin qendror dhe atë lokal me qëllim të informimit të publikut të gjerë Kosovar.

Krejt në fund më lejoni të falënderoj deputetët e Parlamentit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian të cilët pavarësisht përkatësisë së tyre politike vazhdojnë të mbështesin agjendën evropiane për Kosovën.

Ndërsa jam shumë i sigurt se deputet e respektuar nga Parlamenti Evropian do të vazhdojnë ta demonstrojnë këtë mbështetje përsëri në të ardhmen e afërt kur pritet të shqyrtoni nismën ligjore të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe ju uroj punë të mbarë në takimin e parë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.​

Last modified: 10 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *