Prishtinë, 19 Mars 2019 – Ministria e Integrimit Evropian (MIE), në bashkëpunim me JICA Association Alumni of Kosovo, që përfaqëson ish-trajnuesit e programeve të Agjencisë së Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), shënuan 10 vjetorin e bashkëpunimit Kosovë-JICA.
Hapjen e takimit e bërë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian, z. Kushtrim Cukaj me ç’rast theksoi se gjatë këtyre 10 viteve të bashkëpunimit, Kosova ka pasur përkrahje të konsiderueshme nga Japonia.
“Shuma e projekteve arrin vlerën e 17 milionë euro. Ne kemi më shumë se 360 të trajnuar nga Kosova në programet e JICA në Japoni, për ngritjen e kapaciteteve institucionale. Pjesëmarrësit në trajnime kanë mësuar shumë nga përvojat e marra në Japoni”, theksoi Z. Cukaj duke e konsideruar përkrahjen si të mirëseardhur për institucionet e Kosovës.
Në shënimin e 10 vjetorit të bashkëpunimit, fjalën e morën edhe z. Takeuçi, ministër në ambasadën e Japonisë në Vjenë, z. Kobajashi, përfaqësues kryesor i JICA-s për Ballkanin dhe znj. Hakaj, Kryetare e JICA, ndërsa me videomesazh tubimin e përshëndeti z. Malazogu, Ambasador i Kosovës në Japoni.
Po ashtu, në shënimin e 10-vjetorit të bashkëpunimit me JICA morën pjesë edhe zyrtarë qeveritarë dhe pjesëmarrës të programeve të trajnimit në JICA.
Ndërsa me performancë muzikore, morën pjesë nxënësit e shkollës së muzikës “Tefta Tashko”, Filarmonia e Kosovës si dhe u shfaq filmi i shkurtër, “Udha 10-vjeçare JICA Alumni Association of Kosovo”.
Në fund u zhvillua sesioni teknik se si të ripërtërihen idetë për nevojat e Kosovës bazuar në përvojën e kaluar të bashkëpunimit me JICA.
JICA është organizatë qeveritare që mbështet vendet në zhvillim përmes bashkëpunimit teknik, ndihmës së grantit dhe huas koncensionare. Sa i përket Kosovës, JICA ka siguruar përkrahjen teknike të bashkëpunimit dhe ndihmës së grantit me gjithsej 2.14 miliardë jen japonez (16.95 milionë euro) nga viti fiskal 2019. Mbi 360 shtetas të Kosovës kanë shkuar në Japoni për programe trajnimi dhe tash në mënyrë aktive i zbatojnë njohuritë dhe përvoja e fituara nga Japonia në Kosovë.
Last modified: 5 Gusht, 2022