Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Projekti KSV 019 Asistenca Teknike në Kontekst të Integrimit Evropian i financuar nga Qeveria e Luksemburgut

5 Tetor, 2023

Ftesë

Projekti “KSV 019 Asistenca Teknike në kontekst të Integrimit Evropian“ njofton të gjithë shërbyesit civil të interesuar të cilët i plotësojnë kushtet e parapara sipas rregullativës së zbatimit të projektit dhe Planit të Kapaciteteve, që të aplikojnë për realizimin e hulumtimit për “Vlerësimi i shtrirjes së kuadrit ligjor vendas në zbatimin e legjislacionit për ndihmën shtetërore bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.

Qëllimi i këtij hulumtimi është të vlerësojë shkallën e shtrirjes së legjislacionit vendas dhe të BE-së në zbatimin e legjislacionit për ndihmën shtetërore bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Pyetja që do të hulumtohet më tej është: a mund autoritetet nacionale të përdorin të ashtuquajturin ‘legjislacion i butë’ në vlerësimin e rasteve në territorin e vendit bazuar në legjislacionin kombëtar?

Kjo është sfiduese për autoritetet që janë përgjegjëse për zbatimin praktik për faktin se ato operojnë sipas një kuadri ligjor kombëtar i cili në thelb është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së për shkak të procesit gradual të përafrimit siç tregohet në vetë MSA-në. Prandaj, do të ishte me vlerë të madhe që institucionet vendase që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e ndihmës shtetërore të hedhin më shumë dritë mbi implikimet e disa prej dispozitave të MSA-së, veçanërisht në aspektin e ‘instrumenteve interpretuese’ dhe legjislacionit ‘të butë’ për të udhëzuar më tej modusin operandi për vlerësimin e ndihmës shtetërore në Republikën e Kosovës.

Kushtet për aplikim janë:

– Të jeni shërbyes civil;

– Të keni përvojë relevante së paku 5 vjeçare lidhur me menaxhimin financiar përfshirë edhe në kontekst të kërkesave të procesit të integrimit evropian dhe procesit buxhetor;

– Të keni njohuri të gjuhës angleze, në veçanti kompetencë profesionale në të shkruar;

– Të pranoni kushtet lidhur me të drejtat e publikimit dhe shfrytëzimit të hulumtimit.

Propozimi për hulumtim duhet të përmbajë së paku këto elemente të organizuara në një strukturë adekuate: një hyrje, përshkrim të strukturës së hulumtimit që propozohet, informacion për metodologjinë që do të përdoret dhe një plan të punës (1-2 paragrafë) që elaboron shkurtimisht fazat kryesore të realizimit të hulumtimit të shoqëruar me të dhënat bazë të kandidatëve që aplikojnë (emri dhe mbiemri, pozita, emri i institucionit). Kushtet specifike do të përcaktohen në marrëveshjen e hulumtimit e cila do të ofrohet nga projekti për kandidatët e suksesshëm.

Lejohet edhe aplikimi në bashkë-autorësi, por duhet specifikuar se kush është autori i parë dhe ndarja e punës midis autorëve përmes numrit të ditëve. Propozimi nuk mund të tejkalojë numrin maksimal prej 16 ditëve të angazhimit.

Të gjithë shërbyesit civil të interesuar duhet të dërgojnë propozimin për hulumtim dhe një cv në adresën renea.bula@rks-gov.net dhe Jeton.karaqica@rks-gov.net më së largu deri me datë 12 Tetor 2023 në ora 16:00.

Ftese

Last modified: 5 Tetor, 2023

Comments are closed.