Prishtinë, 31 maj 2013 – Krijimi i vendeve të qëndrueshme dhe afatgjata të punës, integrimi i komuniteteve me trashëgiminë e tyre dhe përmirësimet në fushën e politikave audio-vizuale ishin tri temat kryesore që u ngritën gjatë takimit për Dialogun e Procesit të Stabilizim Asocimit (DPSA) për Inovacion, Kapital Njerëzor, Politika Sociale dhe Shoqëri Informative, i cili u mbajt këtë javë në Prishtinë. Ky takim dyditor i cili përfundoi të premten, më 31 maj, u fokusua në çështjet e përcaktuara si më të rëndësishmet në Studimin e Fizibilitetit të vitit të kaluar dhe të cilat do të jenë pjesë e Raportit të Progresit këtë vit.
Samuel Zhbogar, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së, tha:
“Takimet sektoriale të Dialogut PSA janë mënyra më e mirë për të vlerësuar përmirësimet konkrete në legjislacionin dhe politikat kryesore të Kosovës. BE do të insistojë dhe do të ndihmojë në krijimin e nevojshëm të vendeve të reja të punës, veçanërisht për të rinjtë, në fuqizimin e mëtejshëm të integrimit të komuniteteve dhe në modernizimin e sektorit audio-vizual”.
Në fushën e shoqërisë informative, ky takim u përqendruar në përmirësimet e nevojshme në fushën e digjitalizimit. Kosova duhet të përgatisë gjithçka për “kalimin digjital” në vitin 2015. Roli i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në finalizimin e ligjit, ekspertiza e pavarur politike e Këshillit të Pavarur për Media dhe financimi i mjaftueshëm janë elementet kryesore për suksesin e këtij procesi.
Takimet për Dialogun e PSA janë organizuar bashkë me Ministrinë e Integrimeve Evropiane.
Vlora Çitaku, Ministre e Integrimeve Evropiane tha:
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që përmes këtij procesi ne mund të dëshmojmë para partnerëve tanë evropianë përmirësimet e nevojshme që i kemi bërë. Ne nuk e bëjmë këtë për të kënaqur dikë, mirëpo për shkak se këto tema janë veçanërisht të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës.”
Para takimit, si gjithnjë, shoqëria civile u konsultua për temat kryesore.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të diskutojë çështjet në këto fusha bashkë em autoritetet kosovare gjatë gjithë vitit 2013. Këto takime do të kontribuojnë në vendosjen e prioriteteve për të ardshmen e Kosovës, veçanërisht në fushën e punësimit dhe tregut të punës, dialogu social, politika audio-vizuale dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.
Informata mbi historikun
• Dialogu për Procesin e Stabilizim Asocimit (PSA) është një kornizë në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politikat lidhur me agjendën evropiane. Këto takime japin rezultate të drejtpërdrejta për raportin vjetor të progresit të Komisionit Evropian.
• Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell reformat në Kosovë, veçanërisht sa i përket prioriteteve të përcaktuara në Partneritetin Evropian dhe po ashtu identifikon mënyrën se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
• Shtatë fusha mbulohen në këto takime sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që e ka BE-ja me kandidatët e tjerë dhe me kandidatët potencialë. Këto shtatë sektore janë: 1) Drejtësi, Liri dhe Siguri; 2) Inovacion, Shoqëri Informative, Politikë Sociale, Arsim dhe Kulturë; 3) Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim; 4) Treg të Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorëve dhe të Shëndetit; 5) Bujqësi, Peshkatari, Pylltari, Siguri të Ushqimit; 6) Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal; 7) Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë.
• Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut të PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Qeveria. Secili takim rezulton në marrëveshje të përbashkët për ndërmarrjen e veprimeve nga ana e autoriteteve kosovare. Një takim plenar, ku do të diskutohen prioritetet e reformës, pritet të mbahet në korrik të vitit 2013. Konkluzionet nga këto takime janë publike dhe mund t’i gjeni në dispozicion në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Last modified: 16 Gusht, 2022