Integrimi Evropian

Ministrja Hoxha: Rruga jonë integruese është e pandalshme

27 Shtator, 2017

Prishtinë, 27 Shtator 2017 – Në Tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti, ku ishte e pranishme përfaqësuesja e BE-së për Kosovë, znj. Apostolova, diplomatë dhe ekspertë të integrimeve evropiane.

 

Ministrja Hoxha, shprehu përkushtimin për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, dinamika e të cilit konsideron ajo, duhet përshpejtuar.

“Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përmes së cilës Kosova  për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përveç që është sukses, duhet të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Ministrja Hoxha.

Zbatimi i MSA-së, potencoi Ministrja, është prioriteti ynë më  i rëndësishëm.

“Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullnet politik, kapacitete administrative dhe financim të qëndrueshëm”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministria e Integrimit Evropian ka filluar rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është proces i rregullt vjetor i planifikimit të politikave për zbatimin e MSA-së, vuri në dukje Ministrja.

“Qëllimi i rishikimit është përditësimi i këtij programi dhe hartimi i masave afatshkurtra që do të zbatohen gjatë vitit 2018. Me qëllim të monitorimit të zbatimit të MSA-së, në muajin tetor do të mbahet takimi i parë i Komitetit në Bruksel, ndërsa në nëntor do të mbahet takimi i dytë i Këshillit”, potencoi Ministrja Hoxha.

Me qëllim të prioritizimit të reformave para nesh, theksoi Ministrja Hoxha, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën Evropiane të Reformave apo shkurt ERA.

“ERA parasheh zbatimin e 22 prioriteteve konkrete nga një varg institucionesh. Unë do të ndërmarr të gjitha masat për të siguruar se të gjitha institucionet janë të vetëdijshme për prioritetet e tyre si dhe për të ofruar përkrahjen e MIE-së në kuadër të këtij procesi”, theksoi Ministrja Hoxha.

MSA është një kontratë të cilën ne kemi lidhur me Bashkimin Evropian, vuri në dukje Ministrja, dhe në momentin e hyrjes në këtë marrëdhënie kontraktuale ne jemi zotuar se do të përmbushim kriteret e kërkuara dhe do të implementojmë këtë marrëveshje. Të 35 kapitujt e MSA-së janë të qartë sa i përket kritereve që duhet plotësuar, potencoi Ministrja.

Reformat, tha Ministrja Hoxha, duhet të jenë në funksion të zbatimit të MSA-së si dokumenti i vetëm i cili duhet të jetë baza e reformave. Të gjithë kapitujt e MSA-së mund të implementohen duke ndërmarrë reforma të thella në sektorët përkatës.

“Konsideroj se prioritet duhet dhënë reformave në fushën e sundimit të ligjit, perafrimit të legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, zbatimit të legjislacionit, klimës së të bërit biznes, mbrojtjes së konkurrencës, avancimit të politikave të arsimit dhe punësimit si dhe bashkëpunimit rajonal”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha shfaqi sigurinë e përkushtimit dhe seriozitet në zbatimin e MSA-së sepse nga ky zbatim do të varet rruga dhe e ardhmja e Kosovës drejt BE-së. Po ashtu theksoi ajo, pjesë e procesit do të jenë edhe shoqëria civile.

 

Last modified: 10 Gusht, 2022

One Response to " Ministrja Hoxha: Rruga jonë integruese është e pandalshme "

  1. … [Trackback]

    […] Find More Info here to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/ministrja-hoxha-rruga-jone-integruese-eshte-e-pandalshme/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *