Integrimi Evropian

Ministrja Hoxha në Lisbonë: BE-ja të jetë më efektive dhe kohezive

8 Prill, 2019

Lisbonë, 08 Prill 2019 – Konferenca Globale Horasis, e cila po mbahet në Lisbonë të Portugalisë, dedikuar perspektivave të BE-së, nën moton: Viti 2019 është viti i Përtëritjes së Bashkimit Evropian, ku po marrin pjesë qindra personalitete nga të gjitha kontinentet, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mbajti fjalë rasti, duke cekur se Ballkani Perëndimor po përballet me shumë sfida që kërkojnë veprim të njëzëshëm nga BE-ja.

“Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian të lidhur ngushtë me vlerat, perspektivat, sfidat dhe shqetësimet e BE-së. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të ndërtojmë dhe të thellojmë partneritetet në mënyrë që të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të sigurojmë mbështetje të ndërsjellë”, potencoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se ka unitet për negociata dhe për të siguruar zbatim të procesit integrues.

Ministrja ceku po ashtu faktorët që dobësojnë procesin e vendimmarrjes së BE-së si dhe procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Përkundër që qytetarët e Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave. Prandaj, theksoi Ministrja, liberalizimi i vizave është një çështje kyçe për Kosovën, por edhe për kredibilitetin e BE-së.

“Me gjithë izolimin e vazhdueshëm, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave në sektorët e ndryshëm. Përkundër mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga 5 shtete anëtare të BE-së, Republika e Kosovës mbetet vendi më pro BE në Evropë”, ceku Ministrja Hoxha, duke shtuar se BE është gur themeli i stabilitetit dhe prosperitetit evropian.

“Duke ardhur nga Ballkani Perëndimor, rajon që ka nevojë për mbështetje nga BE-ja si politikisht edhe ekonomikisht, shqetësohemi për ngadalësimin e procesit integrues. Besoj se do të transformohet BE-ja në një entitet më efektiv dhe koheziv. Ne po bëjmë Reformën e Administratës, po sjellim legjislacion në përputhje me Acquis, zbatojmë ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Por, ende nuk jemi të kënaqur me zbatimin efektiv të ligjeve.

Konferenca Globale Horasis 2019, po mbahet në një moment historik, në të cilin zemërimi i globalizimit po vërshon në mbarë botën, thuhet në dokumentet e konferencës. Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat për të rivendosur besimin në idenë e globalizimit të baraspeshuar me plane të hartuara vepruese për të siguruar që frytet e globalizimit të jenë të shpërndara në mënyrë më të barabartë.

Last modified: 5 Gusht, 2022

One Response to " Ministrja Hoxha në Lisbonë: BE-ja të jetë më efektive dhe kohezive "

  1. … [Trackback]

    […] Read More here to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/ministrja-hoxha-ne-lisbone-be-ja-te-jete-me-efektive-dhe-kohezive/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *