Oslo, 16 qershor 2015 – Në kuadër të vizitës zyrtare në Oslo, Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku është pritur sot në takim nga ministri për Zonën Ekonomike Evropiane dhe për Çështje të BE-së dhe njëherit Shefi i Stafit të kryeministrit të Norvegjisë, z. Vidar Helgesen.
Duke e vlerësuar lartë kontributin e Norvegjisë dhënë shtetit të Kosovës në vazhdimësi, gjatë të gjitha fazave të konsolidimit, e duke e falënderuar në veçanti për mbështetjen e madhe financiare, ministri Çollaku, e ka njoftuar ministrin Helgesen për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe me progresin e shënuar në procesin e integrimit evropian.
Konkretisht, ministri Çollaku e ka informuar ministrin Helgesen për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe për arritjet në procesin e liberalizimit të vizave me qëllim që qytetarëve të Kosovës tu mundësohet lëvizja e lirë pa viza në BE dhe zonën Schengen.
Më tej të dy ministrat kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral mes të dyja shteteve si dhe për përkrahjen zhvillimore që mund t’i ofrohet Kosovës nga Norvegjia.
Last modified: 11 Gusht, 2022