Integrimi Evropian

Ministrat Çollaku dhe Veliaj flasin për avancimin e bashkëpunimit bilateral

6 Mars, 2015

Prishtinë, 6 Mars 2015 – Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Erion Veliaj, me të cilin ka biseduar për avancimin e bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian dhe për bashkërendimin e punëve për mbledhjen e dytë të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Çollaku është shprehur mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Shqipërisë për Kosovën në procesin e Integrimit Evropian. Fryt konkret i kësaj përkrahje dhe i bashkëpunimit të mirë, sipas Çollakut, është edhe puna e përbashkët në përkthimin e legjislacionit të BE-së. “Kosova ka pranuar deri tani 1,500 faqe të përkthyera nga Qeveria Shqiptare”, ka thënë Çollaku.

Ai ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme të nënshkruajë MSA-në dhe të përmbush këtë vit të gjitha obligimet në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.

Në anën tjetër, ministri Veliaj rikonfirmoi përkrahjen e qeverisë shqiptare për Kosovën, me theks të veçantë në forcimin e forumeve të reja për koordinim më të mirë të angazhimeve të përbashkëta dhe për rritjen e shkëmbimit të njohurive e përvojave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Last modified: 12 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *