Integrimi Evropian

MIE organizon konsultime të Nivelit të Lartë rreth procesit të Integrimit Evropian dhe Barazisë Gjinore

30 Qershor, 2016

Prishtinë, 30 qershor 2016 – Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, mbajtën konsultime të Nivelit të Lartë rreth procesit të Integrimit Evropian dhe Barazisë Gjinore.

Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi i hapur dhe thelbësor me akterët përkatës se si mund të avancohet barazia gjinore në Kosovë duke punuar së bashku me shoqërinë civile në kuadër të procesit të integrimit evropian, në veçanti në procesin e zbatimit të MSA-së.
Me këtë rast ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku, potencoi se konsultimet e tilla  ku marrin pjesë institucionet përgjegjëse për promovimin e barazisë gjinore por edhe grupet tjera të interesit, janë tejet të rëndësishme dhe duhet të bëhen praktikë e vazhdueshme në Kosovë.

Po ashtu ministri Çollaku theksoi se ka shumë punë për tu bërë, për ta përmirësuar pozitën dhe rolin e gruas në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër shpjegoi se Kosova ka një bazë ligjore të shkëlqyeshme që mbron dhe promovon  pozicionin e gruas, por se duhet punuar shumë që këto ligje të zbatohen në praktikë. “Procesi i integrimit evropian është një shembull i mirë në këtë drejtim, sepse merr parasysh aspektin gjinor si në rezultatin e politikave, por edhe i kushtohet kujdes që procesi të jetë në pajtueshmëri me standardet më të larta duke u siguruar që gratë të jenë pjesëmarrëse aktive të vendimmarrjes. Kjo qasje nuk duhet të kufizohet vetëm në disa fusha apo disa procese, por duhet të jetë e gjithmbarshme sepse kështu përfitojmë të gjithë”, theksoi ministri Çollaku ndër të tjera, duke shtuar se pjesëmarrja e barabartë e gruas përkthehet në mirëqenie më të mirë, jo vetëm të tyre por për mbarë shoqërinë dhe shtetin tonë.

Pjesë e panelit të kësaj konference të nivelit të lartë ishte kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa, drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore znj. Luljeta Demolli, U.D. Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Kosovë, znj. Edi Gusia, kryetarja e Grupit të Grave Deputetet të Kuvendit të Republikës së Kosovës znj. Blerta Deliu-Kodra, znj. Flora MACULA nga UN Women në Kosovë, znj. Igballe Rugova, kryesuese e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës si dhe znj. Sibel Halimi sociologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

Konferenca u moderua nga znj. Ulpiana Lama, drejtore e Departamentit për Organizata Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

 

Last modified: 10 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *