Integrimi Evropian

Kosova dhe Komisioni Evropian diskutojnë për çështjet e tregut të brendshëm, konkurrencës, shëndetësisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve

2 Shkurt, 2016

Prishtinë, 2 shkurt 2016 – Autoritetet e Kosovës dhe Komisioni Evropian u takuan më 2 shkurt, në kuadër të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA). Në këtë takim ata diskutuan një numër të madh temash, si mbrojtja e konsumatorit dhe mbrojtja e shëndetit, lëvizja e kapitalit, shërbimet financiare dhe ligji për kompanitë, prokurimi publik dhe lëvizja e lirë e shërbimeve, të drejtat e pronës intelektuale dhe politikat e konkurrencës.

Lidhur me shëndetësinë, të dyja palët u pajtuan se është  rëndësishme që Kosova të krijojë një sistem shëndetësor të qëndrueshëm, ekonomik dhe të orientuar kah pacientët, duke e sjellë atë më afër standardeve të sigurisë dhe cilësisë të njohura ndërkombëtarisht. Krijimi i Fondit të Sigurimit Shëndetësor është një hap vendimtar për ta realizuar këtë, ashtu siç është edhe investimi i mëtejshëm në promovimin e jetës së shëndetshme, parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e popullsisë nga kërcënimet shëndetësore të rënda ndërkufitare.

Lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve, Komisioni ka nënvizuar nevojën për rritjen e vetëdijesimit dhe trajtimin e duhur të ankesave të konsumatorëve. Komisioni ka ritheksuar nevojën e themelimit të Këshillit Kombëtar për Inspektim dhe rishikimin e sistemit për mbikëqyrjen e inspektorateve.

Sa i përket lëvizjes së kapitalit, shërbimeve financiare dhe ligjit për kompanitë, Komisioni dhe autoritetet e Kosovës u pajtuan për nevojën e avancimit të legjislacionit dhe të zbatimit të tij. Komisioni theksoi nevojën që të shqyrtohet mundësia për përafrimin e taksës së korporatave të sigurimeve me ato të industrive të tjera.

Lidhur me prokurimin publik, Komisioni ka përshëndetur përpjekjet e qeverisë për të përafruar më tej legjislacionin e Kosovës për prokurim publik me kërkesat e MSA-së dhe lansimin e prokurimit elektronik. Komisioni theksoi se ende nevojiten përpjekje të mëdha në mënyrë që prokurimi publik të përdoret në mënyrë efikase. Mbetet qenësore profesionalizimi dhe depolitizimi i sistemit dhe transparenca dhe llogaridhënia e tij. Kjo përfshin emërimin e anëtarëve kompetentë në bordet e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShPP) në mënyrë që ky i fundit të jetë funksional. Komisioni inkurajoi Kosovën që të zbatojë edhe më tej prokurimin publik të centralizuar dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin efektiv të prokurimit elektronik.

Për lëvizjen e lirë të shërbimeve, Komisioni ka përmendur planet për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën e Shërbimeve si dhe situatën në negociatat për shërbimet profesionale me shtetet anëtare të CEFTA-s.

Lidhur me të drejtat e pronës intelektuale, Komisioni përshëndeti zhvillimet në kornizën legjislative dhe përafrimin e mëtutjeshëm me acquis të BE-së dhe inkurajoi të vazhdohet me përgatitjen e legjislacionit sekondar, që është i nevojshëm për zbatimin e MSA-së.  Komisioni ka inkurajuar fuqishëm Kosovën që të fokusohet në fuqizim dhe zbatim, përfshirë këtu një rol më aktiv të Këshillit Shtetëror për Pronësinë Intelektuale.

Përfundimisht, lidhur me konkurrencën, Komisioni ritheksoi shqetësimin e tij për funksionimin e institucioneve kompetente për konkurrencë dhe ndihmë shtetërore. Kjo është shumë e rëndësishme për shkak të zbatimit të ardhshëm të MSA-së dhe ka nxitur Kosovën që në Bordin e Komisionit për Konkurrencë të emërojë anëtarë të pavarur dhe kompetentë dhe të sigurojë burime të duhura për funksionimin e zyrës së Autoritetit për Konkurrencë dhe Ndihmë Shtetërore.

Informata mbi historikun

Diskutimet dhe konkluzionet e arritura n këtë takim do të përfshihen në raportin për Kosovë 2016. Konkluzionet nga këto takime paraqiten gjithashtu në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së dhe në uebfaqen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

 

Last modified: 11 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *