Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kosova dhe BE-ja mbajtën Dialogun e PSA për Drejtësi, Liri dhe Siguri

29 Janar, 2015

Bruksel, 29 janar 2015 – Këtë javë në Bruksel u mbajt takimi për Dialogun e Procesit të Stabilizim Asociimit (PSA) për komitetin sektorial të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë. Për tre ditë, autoritetet e Kosovës dhe Komisioni Evropian diskutuan për zhvillimet në mbrojtjen dhe respektimin e komuniteteve pakicë, legjislacionin për të drejtat e njeriut, reformën gjyqësore në lidhje me funksionimin dhe pavarësinë e gjyqësorit, dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto janë prioritetet kryesore për rrugën evropiane të Kosovës.

Komisioni mësoi për më te rejat lidhur me bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile, funksionimin e Kuvendit dhe zhvillimet në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe për çështjet e rëndësishme të drejtësisë tranzicionale dhe të personave të zhdukur.

Për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, u ra dakord që strategjia dhe plani i veprimit për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas nevojitet të zbatohen plotësisht për të ardhur në një përfundim të suksesshëm. Më pas do të nevojitet një angazhim i ri politik për proceset pas vitit 2015.

 

Autoritetet e Kosovës u zotuan për përmirësimin e kushteve për mirëqenien e komuniteteve pakicë. Sa i përket integrimit të këtyre komuniteteve, Kosova u zotua se do të bëjë çmos për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, duke përfshirë edhe çështjen e kthimit. Në këtë takim u diskutua edhe situata shqetësuese e numrit në rritje të individëve dhe familjeve që po ikin nga Kosova.

Në lidhje me zbatimin e të drejtave themelore, u diskutua nevoja për të forcuar organizimin institucional. Komisioni kërkoi që miratimi i ardhshëm i pakos ligjore për të Drejtat e Njeriut të paraprihet nga një proces konsultimi publik, transparent dhe efektiv. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në çështjen e anti-diskriminimit, të të drejtave të grave dhe të fëmijëve, mbrojtjen e komunitetit LGBTI dhe personave me aftësi të kufizuara. Autoritetet e Kosovës u pajtuan se do të trajtojnë këto çështje vendimtare me energji të re, dhe se do të japin rezultate konkrete për to.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në takim u analizua progresi i arritur dhe sfidat në vazhdim. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Komisioni nënvizoi edhe një herë rëndësinë e dhënies së rezultateve në mënyrë proaktive, regjistrimin e qëndrueshëm të rezultateve që arrihen dhe nevojën për të përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Në diskutimet për luftën kundër krimit të organizuar, fokus të veçantë i është kushtuar rëndësisë së konfiskimit të pasurive dhe veprimeve kundër shpërlarjes së parave. Zhvillimet në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe narkotikë u konsideruan si nevojë që duhet të forcohet edhe më tej.  U theksua nevoja për të regjistruar ecurinë e zhvillimeve. Sipas agjendës në këtë takim u adresua edhe çështja e luftës kundër terrorizmit.

Sa i përket gjyqësorit, palët diskutuan bashkëpunimin me EULEX-in, dhe autoritetet e Kosovës ndanë informatat më të fundit lidhur me pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e gjyqësorit. Autoritetet e Kosovës raportuan mbi funksionimin e gjykatave, prokurorive dhe këshillave përkatës dhe për zhvendosjen e gjykatave dhe prokurorisë për në Pallatin e Drejtësisë. Komisioni theksoi rëndësinë e funksionimit të duhur të Pallatit të Drejtësisë për efikasitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit. Si autoritetet kosovare ashtu edhe Komisioni Evropian theksuan nevojën urgjente për emërimin e anëtarëve të KGJK-së, për të siguruar kuorumin për vendimmarrje. Këto diskutime u zhvilluan në kuadër të planeve për nevojën për reforma të mëtejshme gjyqësore dhe planeve legjislative në të ardhmen, si dhe nevojën për strategji dhe koordinim në lidhje me trajtimin dhe zbatimin e të drejtave pronësore.

Takimi i Dialogut për PSA në Drejtësi, Liri dhe Siguri, përfundimet e të cilit do të paraqiten në Raportin e Progresit të këtij viti, është organizuar së bashku me Ministrinë për Integrime Evropiane.

Informata mbi historikun:

• Dialogu për Procesin e Stabilizim Asociimit (PSA) është një kornizë në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Këto takime sigurojnë të dhëna të drejtpërdrejta për raportin vjetor të progresit të Komisionit Evropian.
• Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell reformat në Kosovë, dhe po ashtu identifikon mënyrën se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
• Shtatë fusha mbulohen në këto takime sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që e ka BE-ja me kandidatët e tjerë dhe me kandidatët potencialë. Takimet sektoriale mbahen për Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëri Informative, Politikë Sociale, Arsim dhe Kulturë; Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim; Treg të Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorëve dhe të Shëndetit; Bujqësi, Peshkatari, Pylltari, Siguri të Ushqimit; Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë.
• Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut të PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Qeveria. Secili takim rezulton në marrëveshje të përbashkët për ndërmarrjen e veprimeve nga ana e autoriteteve kosovare. Një takim plenar i nivelit të lartë, ku do të diskutohen prioritetet e reformimit pritet të mbahet në korrik 2015. Konkluzionet e këtyre takimeve janë publike dhe mund t’i gjeni në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

 

Last modified: 12 Gusht, 2022

2 Responses to " Kosova dhe BE-ja mbajtën Dialogun e PSA për Drejtësi, Liri dhe Siguri "

  1. … [Trackback]

    […] Info on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/kosova-dhe-be-ja-mbajten-dialogun-e-psa-per-drejtesi-liri-dhe-siguri/ […]

  2. 다시보기 thotë:

    … [Trackback]

    […] Find More on to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/kosova-dhe-be-ja-mbajten-dialogun-e-psa-per-drejtesi-liri-dhe-siguri/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *