Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Informim i Kabinetit Qeveritar mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) gjatë vitit 2023, në mbledhjen e 188-të të Qeverisë

14 Shkurt, 2024

Fjala e plotë e zëvendës kryeministrit Bislimi:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuara Zëvendëskryeministre,

Të nderuar Ministra,

Më lejoni të prezantoj sot të arriturat në zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) gjatë vitit 2023. Ky informim bazohet në raportin vjetor për zbatimin e PKIE-së të bashkëngjitur në materialet tuaja.

Siç e dini, PKIE është dokument ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha organet e administratës shtetërore, të cilat obligohen të zbatojnë masat afatshkurtra nën përgjegjësinë e tyre për përmbushjen e detyrimeve të MSA-së dhe kritereve të tjera për integrim në Bashkimin Evropian (BE).

Ky raport mbulon tërë vitin 2023. Të dhënat janë raportuar nga secili institucion përgjegjës përmes Platformës Online për Monitorim dhe Raportim për Integrim Evropian, sipas matricës së masave afatshkurtra dhe bazuar në udhëzuesin përkatës. Në rastet kur të dhënat janë raportuar me vonesë ose në mënyrë joadekuate, ato nuk janë përfshirë në raport, dhe masat përkatëse janë vlerësuar si të pazbatuara.

Vitin e kaluar në PKIE kemi planifikuar gjithsej 242 masa. 88 prej tyre janë masa legjislative, nga të cilat 29 projektligje dhe një marrëveshje ndërkombëtare.

Në tërësi, deri në fund të vitit 2023 janë zbatuar 160 nga 242 masat e planifikuara ( rreth 66%).

Sa u përket projektligjeve, në Qeveri kemi miratuar këto projektligje:

• Projektligjin për plotësim-ndryshim e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë;

• Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës;

• Projektligjin për regjistrin e pronarëve përfitues;

• Projektligjin për organizimin e tregut të përbashkët të produkteve bujqësore (i miratuar edhe nga Kuvendi);

• Projektligjin për burimet e ripërtëritshme të energjisë;

• Projektligjin për plotësim-ndryshim e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave;

• Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë;

• Projektligji për plotësim-ndryshim e Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror;

• Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor;

• Projektligji për ndryshime klimatike (i miratuar edhe nga Kuvendi);

• Projekt-kodi për plotësim-ndryshimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë.

Më tej, Kuvendi ka miratuar dy ligje:

• Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës; dhe

• Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.

Përveç këtyre, disa nga reformat e tjera të rëndësishme të këtij Programi të zbatuara gjatë vitit të kaluar janë si në vijim:

• Miratimi i 38 akteve nënligjore përmes të cilave janë transpozuar akte të acquis-së dhe rregulla të tjera për zbatimin e standardeve të BE-së;

• Miratimi i Programit për zbatimin e Strategjisë së Energjisë;

• Miratimi i Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetje të Biznesit;

• Miratimi i Agjendës Digjitale për Kosovën 2030;

• Miratimi i Strategjisë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre;

• Miratimi i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2027;

• Miratimi i Planit të Veprimit 2023-2025 për zbatimin e Strategjisë së Transportit Multimodal 2023-2030;

• Miratimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028;

• Miratimi i Strategjisë Shtetërore të Ujërave të Kosovës 2023-2027 dhe Plani të Veprimit 2023-2025 për zbatimin e saj;

• Miratimi i Koncept Dokumentit për Realizimin e të Drejtave Civile, Përfshirë të Drejtën e Palëve për Gjykim brenda Kohës së Arsyeshme;

• Miratimi i Koncept Dokumentit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit;

• Miratimi i Koncept Dokumentit për Hekurudha;

• Miratimi i Koncept Dokumentit për Fushën e Ujërave;

• Miratimi i Koncept Dokumentit për Fushën e Mbrojtjes së Natyrës;

• Themelimi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale;

• Themelimi i Departamentit për Inteligjencë dhe Analizë në Policinë e Kosovës;

• Funksionalizimi i platformës digjitale për raportimin mbi zbatimin e kornizës strategjike të reformës së administratës publike;

• Përgatitja e raporteve tremujore financiare dhe të performancës për të gjitha ndërmarrjet publike;

Tani jemi në fazën finale të përgatitjes së Programit Kombëtar për Integrim Evropian për vitin 2024 – 2028, derisa një numër i masave të pazbatuara afatshkurta nga viti i kaluar janë bartur për këtë vit. Jemi duke adresuar komentet e palëve të jashtme dhe të Komisionit Evropian e më pas ky Program do të vjen në qeveri për miratim e pastaj të dërgohet i njëjti edhe në Kuvend.

Zbatimi sipas planit i masave afatshkurta të përfshira në PKIE këtë vit kërkon angazhim shtesë të secilit prej jush. Përveç kësaj, gjithashtu ju ftoj që si ministra të jeni në kontakt me komisionet përkatëse parlamentare për të siguruar miratimin nga Kuvendi të projektligjeve që përmenda që kemi miratuar në Qeveri.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj,

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Last modified: 14 Shkurt, 2024

Comments are closed.