Prishtinë, 8 mars 2013 – Nën drejtimin e Agjencisë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, është mbajtur takimi me temën “Qasja në drejtësi për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.
Për të diskutuar për temën ishte e ftuar edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ku ndër të tjera tha se “8 marsi është një datë historike e avancimit të rolit të gruas në shoqëri, por njëkohësisht kjo ditë duhet gjithashtu të tërheq vëmendjen, kundër diskriminimit të Grave në nivel kombëtar, dhe po ashtu, dua që të shfrytëzoj rastin, që të bëjë thirrje për avancimin e më tutjeshëm të të drejtave të Grave, dhe për ngritjen e vëmendjes e sensibilizimit të barazisë gjinore në shoqërinë Kosovare”.
Gjeni më poshtë fjalimin e plotë të Ministres Çitaku:
I nderuari Zëvendëskryeministër
Te nderuar ministra, deputet,
Te nderuara Nëna, gra dhe vajza,
Zonja dhe zotërinj,
Tema: Qasja në drejtësi për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Më lejoni, që fillimisht t’ju përshëndes dhe t’ju uroj 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Por, ne nuk jemi këtu sot për të folur për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Edhe pse kjo është një datë historike e avancimit të rolit të gruas në shoqëri, por njëkohësisht kjo ditë duhet gjithashtu të tërheq vëmendjen, kundër diskriminimit të Grave në nivel kombëtar, dhe po ashtu, dua që të shfrytëzoj rastin, që të bëjë thirrje për avancimin e më tutjeshëm të të drejtave të Grave, dhe për ngritjen e vëmendjes e sensibilizimit të barazisë gjinore në shoqërinë Kosovare.
Sepse ende duhet të trajtojmë dhimbjet e mëdha te shoqërisë tone, siç është sot tema e kësaj tryeze, ne ende duhet të luftojmë dhunën në familje, ende duhet të luftojmë për shkollimin dhe emancipimin e femrës anë e mbanë Kosovës. Dhe ende duhet të luftojmë për paragjykimet që i bëhen femrës kosovare.
Të nderuar/a
Tema e kësaj tryeze, është shume më komplekse, e ndërlikuar dhe emocionale, sepse i dedikohet grave dhe vajzave të dhunuara gjatë Luftës në Kosovë. Për këtë arsye kjo tryezë ka një rëndësi të veçantë, sepse elaborimi dhe pesha e kësaj teme, implikon shume faktorë, që duhet edhe njëkohësisht të përçoj një mesazh shumë të qartë dhe të fuqishëm përtej kufijve, për të sensibilizuar të gjithë opinionin, si të brendshëm dhe atë të jashtëm; se kësaj kategorie të veçantë do t’i sigurohen të gjitha mjetet e nevojshme, juridike, sociale, ekonomike, shëndetësore dhe politike, për të qene pjese e shoqërisë dhe institucioneve Kosovare, dhe rrjedhimisht pjese përbërëse e shtet-ndërtimit dhe shtet-formimit së Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, do të ketë një sërë nismash për programe përkatësisht projekte zhvillimore për avancimin e kësaj kategorie, megjithëse, ndonjëherë kjo kategori, nëse mund te them apo shprehem kështu kanë qenë të “harruara” edhe nga shoqëria, familja dhe Institucionet. Që nga pas –lufta e tutje, gjendja e këtyre grave, jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë social, shëndetësor, juridik, edhe shpirtëror, ka qene dhe është e mjerueshme. Ne si shoqëri dhe institucione, duhet të përballemi dhe t’i japim zgjidhje këtyre grave. Për këtë arsye, qëllimi i natyrës së këtyre projekteve do të jetë një mundësi për dinjitet dhe prosperitet të kësaj kategorie të grave.
Sepse jemi të bindur, që gjendja e grave dhe vajzave, viktimave te dhunimeve, nuk do të përmisohet vetëm me ndihma, por me projekte dhe ligje konkrete, që kanë të bëjnë me zhvillimin, edukimin, arsimin dhe emancipimin. Vetëm në këtë mënyrë do të ulim, në një shkallë shumë të vogël papunësinë, varfërinë dhe, në këtë formë do të rrisim mirëqenien e kësaj kategorie.
Ashtu siç mund të shihni edhe nga agjenda qeveritare, çështja e grave dhe vajzave, viktimave te dhunimeve, mbetet njëra nga objektivat të Republikës së Kosovës. Pra, kjo tryezë, duhet të na motivoj dhe rikujtoj që të rrisim edhe më shumë angazhimet tona si shoqëri.
Për këtë arsye, Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës, që nga Qershori i këtij viti do të fillon me kampanjën për vetëdijesimin e shoqërisë, (për gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë Luftës në Kosovë), që gratë e dhunuara, janë viktima të luftës, dhe nuk janë “vetëm gra dhe vajza të dikujt” por janë nënat, motrat dhe vajzat tona, dhe mbi të gjitha janë heroina të këtij populli: për të cilat nën një: duhet të kërkojmë drejtësi, për të gjitha gratë dhe vajzat e përdhunuara gjatë luftës, që kriminelët duhet të ndjeken dhe të dënohen për krimet e bëra gjate luftës, dhe nën dy: që të jemi sa më afër tyre, si në aspektin Ligjor, social dhe human.
Të nderuar/a pjesëmarrës
Detyra kryesore e Institucioneve dhe ministrisë së integrimeve është që të promovoj, inicioj dhe të mbroj të drejtat e grave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë. Që do të thotë se vullneti politik është shumë i fuqishëm, që kjo kategori e veçantë të përkrahet dhe ndihmohet në të gjitha aspektet, e sidomos në aspektin Ligjor, dhe në këtë mënyrë kujdesi institucional dhe shoqëror do të jetë maksimal, produktiv, praktik dhe efikas.
Qëllimi ynë primar është që të ofrojmë dinjitet dhe drejtësi, e jo lëmoshë e lule.
Faleminderit për vëmendje!
Last modified: 16 Gusht, 2022