Fjalimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës në njërën anë dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër
I nderuari Kryetar Veseli,
E nderuara presidente Jahjaga,
Të nderuar deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Kam nderin të prezantoj sot para jush Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në paraqet hapin e parë dhe më të rëndësishëm të ndërmarrë deri më tani në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pa dashur të ekzagjeroj, rëndësia e kësaj marrëveshjeje për orientimin strategjik, politik dhe ekomomik të vendit është jetike. Kosova tani është e gatshme për të marrë përsipër detyrimet dhe të bëjë reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE. Pa dyshim, si rezultat i kësaj marrëveshjeje, fati i Kosovës dhe i BE-së do të jetë i lidhur më ngushtë – dhe besoj fuqishëm se kjo është një e arritur e madhe, e drejtë dhe plotësisht në përputhje me interesin tonë shtetëror për integrime euro-atlantike.
Përfitimet nga kjo marrëveshje për qytetarët dhe për rrugëtimin e integrimit evropian të vendit tonë, nuk përfundojnë me të hyrë kjo marrëveshje në fuqi – përkundrazi është ai momenti nga i cili puna e vërtetë e integrimit të vendit do të fillojë dhe këto përfitime do të fillojnë të manifestohen.
Gjersa deri tani ne kemi zbatuar kritere dhe reforma të shumta dhe shpesh të dhimbshme bazuar thuajse vetëm në disa premtime të përgjithshme nga ana e BE, dhe bindjen e besimin tonë se shteti ynë e ka vendin në Bashkim Evropian – nga ky moment këto reforma do të bëhen me një qëllim të qartë dhe të pajtuar nga të dy anët.
Por, të kthehemi një hap prapa, dhe të kujtojmë edhe njëherë pse po e bëjmë këtë? Pse qytetarët e Kosovës me entuziazëm dëshirojnë ta shohin vendin e tyre në BE? Cilat janë arsyet që na kanë sjellë deri këtu?
Arsyet janë të qarta: sepse vlerat e BE-së qytetarët e Kosovës i konsiderojnë si vlera të veta. Por edhe për shkak se vendit i duhet stabilitet, paqe, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, liri, dhe sundim i ligjit.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim ngërthen në vete të gjitha këto. Ajo do të sjellë një motiv dhe shtyrje dhe obligim të ri për t’i zbatuar reformat që aq shumë i duhen vendit tonë: duke filluar me përforcimin e mëtejmë të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri tek reformat ekonomike, me qëllim të rritjes së vendeve të punës dhe rritjen e këmbimit tregtar me BE, duke e rritur eksportin e prodhimeve kosovare.
Të gjitha këto do ta bëjnë Kosovën më të zhvilluar dhe të gatshme t’iu bashkuar familjes evropiane.
Me lejoni shkurtimisht t’i adresoj edhe disa çështje që kanë zënë vend të madh në diskutimet publike që përcollën nënshkrimin e kësaj marrëveshje. U dhanë shumë mendime se a është apo jo, kjo marrëveshje si ato të rajonit. Një përgjigje e shkurtë në këtë drejtim: Në çdo aspekt kjo marrëveshje është e ngjashme me ato të vendeve të rajonit që gëzojnë një perspektivë anëtarësimi.
Por është fakt i pamohueshëm që kemi një rast më specifik në raport me BE-në dhe se BE-ja e sotme nuk është BE e para 5 apo 10 viteve. Sa i përket pozicionit të BE-së në raport me ne, të gjithë janë të vetëdijshëm që pesë shtete anëtare të BE-së nuk na kanë njohur ende. Por po këto vende, me pajtimin e tyre për miratimin e kësaj marrëveshje kanë treguar konstruktivitet – pra kanë pranuar që pavarësisht qëndrimeve të tyre momentale shtetit tonë të mos i mohohet përafrimi drejt BE-së. Andaj, besoj se kjo është diçka që duhet çmuar të gjithë.
Kjo marrëveshje është një garanci shtesë për këto vende për orientimin tonë, dhe sigurisht se do të shërbej si hap drejt bindjes së këtyre shteteve që njohja e Republikës së Kosovës është e domosdoshme, dhe jo e kundërta.
(2) Ndërsa sa i përket BE-së, korniza ligjore e BE-së me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës ka ndryshuar, andaj tani BE ka fuqi që të lidhë MSA në emër të shteteve, gjë që ka rezultuar me një proces të përshpejtuar në krahasim me atë nëpër të cilin kanë kaluar fqinjët.
Tjetër, së fundmi u fol shumë edhe për obligimet e kësaj marrëveshje që kanë të bëjnë me dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
BE i e sheh zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes vendeve që aspirojnë anëtarësim si diçka thelbësore. Kosova gjithnjë ka promovuar fqinjësinë e mirë në kuadër të politikës së jashtme. Kjo ka qenë padyshim një nga arsyet që kanë bindur partnerët tanë se Kosova është e gatshme për të filluar rrugëtimin formal të integrimit përmes MSA-së. Obligimet që dalin nga kjo marrëveshje janë në plotni në pajtim me qëllimet tona për shtrirjen e ligjit të Republikës së Kosovës përgjatë gjithë territorit dhe integrimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës në kornizën institucionale.
Të nderuar deputet,
MSA që kemi para vetes është rezultat i një procesi të mirëfilltë dhe një negocimi të kujdesshëm nga të gjitha institucionet relevante. Me qëllim të koordinimit të procesit negociator, Qeveria e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2013 themeloi strukturat negociuese për MSA: Ekipin Negociator dhe pesë Grupe Punuese Negociatore.
Negociatat filluan më 28 tetor 2013, dhe përgjatë 6 muajve negociata janë mbajtur 3 takime në nivel të Kryenegociatorëve dhe dhjetëra takime të grupeve punuese. Negociatat përfunduan me 2 maj 2014. Ndërsa më 25 Korrik 2014, u vendosën inicialet fillestare në dokumentin e negociuar.
Me 22 tetor 2015, Këshilli i BE-së miratoi MSA-në me 27 tetor 2015 ajo u nënshkrua. Periudha e zbatimit të MSA-së është 10-vjeçare. Rishikimi do të bëhet pas 5 viteve.
MSA ka gjithësejt 597 faqe, të ndarë në dhjetë tituj, 7 anekse, 5 protokolle dhe 1 deklaratë. MSA përmban 4 pjesë kryesore: Çështjet politike; Përafrimi i legjislacionit; Politikat e bashkëpunimit; Çështje tregtare.
Më lejoni të përmbledh me disa fjalë rëndësinë politike, ligjore dhe ekonomike të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Nga këndvështrimi politik, MSA ka avancuar marrëdhëniet tona me BE nga një marrëdhënie deklarative politike dhe e vullnetit të mirë; në marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe obligime për të dyja palët nënshkruese.
Si e tillë MSA-ja është bazament i procesit formal të anëtarësimit tonë në BE. Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të MSA-së, BE-ja ka marr obligim të realizoj perspektivën Evropiane të Kosovës, duke integruar Republikën e Kosovës në BE, në harmoni me kriteret e Kopenhagës të vitit 1993.
Nga këndvështrimi ligjor, MSA ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur të gjitha MSA-të e vendeve të rajonit. MSA-ja është negociuar në bazë të nenit 218 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian. Kjo bazë ligjore përcakton se Bashkimi Evropian mund të lidh marrëveshje ndërkombëtare me shtete te treta. MSA formalizon dialogun tonë institucional me Bashkimit Evropian përmes krijimit të mekanizmave institucional. Republika e Kosovës ka marr përsipër të përafrojë legjislacionin ekzistues dhe legjislacionin e ardhshëm në mënyrë graduale me tërë legjislacionin e BE-së. Në fazën e parë, rëndësi do t’i japim përafrimit të legjislacionit bazë të BE-së në fushat e tregut të brendshëm, aspekteve tregtare dhe sundimit të ligjit.
Nga këndvështrimi ekonomik, MSA-ja do të këtë një varg të efekteve pozitive. Fillimisht, duhet nënvizuar që MSA-ja synon krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së brenda 10 vite. Nga hyrja në fuqi e MSA-së, do të mundësohet nga një anë, qasja e plotë e produkteve të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër, liberalizimi gradual i tregut të Kosovës për produktet e BE-së. Liberalizimi i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të ndikoj drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë që do të ofron shërbimet më kualitative, produkte më të mira dhe çmime më të lira për qytetarët. MSA do të ofroj më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe rrjedhimisht do të kontribuon në rritjen e investimeve të huaja direkte. Në tërësi, MSA do të ndikon në ristrukturimin e ekonomisë tonë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë.
Të nderuar deputet,
Sot para nesh kemi një marrëveshje ndërkombëtare e cila përfaqëson një ofertë të shkëlqyeshme politike, juridike dhe ekonomike për vendin tonë për t’ju bashkuar bllokut më të fuqishëm politik dhe ekonomik në botë. Kjo marrëveshje është në interes të secilit qytetar të Kosovës.
Dua të falënderoj Komisionin Evropian dhe të gjitha Vendet Anëtare të BE-së të cilat kanë mbështetur dhe investuar shumë që të kemi sot para nesh Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Vlerësoj se ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është ngjarja më e rëndësishme që ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë. Kjo ngjarje nuk është dhuratë nga Bashkimi Evropian por vlerësim real mbi të arriturat tona si vend dhe shoqëri. Momenti i sotëm është meritë e ndërtuar mbi sakrificën e gjeneratave të kaluara dhe shpresës së gjeneratave të ardhshme.
Duke ju falënderuar të gjithëve që jeni prezent për mbështetjen tuaj të vazhdueshme për procesin e integrimit evropian të vendit, me lejoni të ju propozoj që ta miratoni Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës në njërën anë, Bashkimit Evropian në anën tjetër.
Ju faleminderit për vëmendje!
Last modified: 11 Gusht, 2022
… [Trackback]
[…] Information on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/fjalimi-i-ministrit-collaku-ne-kuvendin-e-republikes-se-kosoves-ne-seancen-per-ratifikimin-e-msa-se/ […]