Ministria e Integrimit Evropian në kuadër të një punëtorie tre ditore ka mbledhur rreth 30 ekspertë të ministrive të linjës për të lansuar hartimin e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Përgatitja e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore është kërkesë zyrtare e Komisionit Evropian e cila ka për qëllim identifikimin e projekteve të rëndësisë strategjike infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit, energjisë dhe sektorëve social. Kosova vazhdon të këtë nevoja të mëdha në kuadër të përmirësimit të sistemit të rrugëve dhe hekurudhave, furnizimit me ujë, trajtimin e ujërave të zeza, qëndrueshmërisë së furnizimit me energji, modernizimin e infrastrukturës shëndetësore dhe çështje të tjera infrastrukturore. Qëllimi i përgatitjes së Listës Prioritare është identifikimi i të gjitha projekteve infrastrukturore të cilat do të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës për dekadat në vijim, si dhe rrjedhimisht negocimin e financimit të tyre me Institucionet Ndërkombëtare Financiare dhe donatorët. Gjatë muajit korrik, Këshilli Kombëtar për Investime ka vendosur që deri me 15 nëntor të finalizohet përgatitja e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Në këtë drejtim, Ministria e Integrimit ka përgatitur metodologjinë për përzgjedhjen dhe prioritizimin e projekteve infrastrukturore. Gjatë punëtorisë 3 ditore pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë rreth metodologjisë si dhe procedurave nga identifikimi i prioriteteve deri në hartimin e projektit përkatës. Në hapje të punëtorisë Zëvendës Ministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, nënvizoj rëndësinë politike të procesit të Berlinit dhe ndërlidhjes së tij me përgatitjen e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Zëvendësministri Ilazi i njoftoj pjesëmarrësit për hapat e ardhshëm në kuadër të procesit të përgatitjes së Listës Prioritare, me ç’rast deri më 1 tetor duhet të finalizohet përgatitja e Formave Identifikuese të Projektit, ndërsa deri më 1 nëntor duhet të finalizohet Vlerësimi Strategjik i Relevancës së çdo projekti.
Last modified: 11 Gusht, 2022