Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Drejt integrimeve evropiane

21 Qershor, 2013

Mikpritës të nderuar,
Shkëlqesitë e juaja ,
Të dashur miq ,

– Unë kisha një ligjëratë tjetër në mendje, por pastaj ditëve e fundit kanë qenë paksa të çuditshme dhe në këtë mënyrë agjenda ime këtu në Beograd si edhe fjalimi im ka ndryshuar deri në një masë. Siç e keni dëgjuar deri tani, ish-diplomati ynë Z. Lulzim Peci dha dorëheqjen nga pozita e  rëndësishme e Zyrtarit të parë ndërlidhës të Kosovës. Më erdhi keq të dëgjoj këtë pasi që Z. Peci sapo kishte arritur në Beograd, por unë jam po aq e lumtur që kemi arritur të identifikojmë një zëvendësim shumë kompetent. Ambasadori Valdet Sadiku e ka përfaqësuar Kosovën në Zagreb. Ai ka qenë një këshilltar i Pieter Faith në Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe ka punuar në misionin e OSBE-së në Kosovë, që do të thotë se ai është i përgatitur mirë në çështjet që lidhen me bashkëpunimin ndërkufitar dhe dialogun rajonal.

Por nga e gjithë kjo ngjarje ne mund t’i nxjerrim disa mësime. Unë do të paraqes për audiencën e këtushme disa vëzhgime dhe tri pika. Por para se të filloj me temën kryesore të kësaj ngjarje, me lejoni t’i them disa fjale për vetë vizitën.

Unë e falënderoj Z. Dushan Janjic për pritjen e tij sot.   Siç e dini, qeveritë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi kanë ardhur e vajtur, partitë kane ndryshuar, por njerëzit si Dushani gjithmonë kane qëndruar aty, duke dhëne propozime se si ta përmirësojmë komunikimin tonë dhe se si t’i përmirësojmë marrëdhëniet fqinjësore.  Nëse shikoj mbrapa në dekadën e fundit që nga shpalosja e luftës së fundit në ish Jugosllavi, në vendin tim, atëherë është e qartë se shumë individë që janë pjesë e shoqërisë civile këtu dhe në Prishtine, si dhe në gjithë Ballkanin, i meritojnë  fjalët tona të mirënjohjes për atë se gjithmonë e kanë shtyrë përpara agjendën progresive, duke mos u dorëzuar asnjëherë kur shumica e heshtur apo opozita e zëshme e kane shtyrë mbrapa dhe kanë rritur diskursin nacionalist ose edhe dhunën retorike apo fizike. Këta janë njerëzit që rrëzuan regjimet dhe kanë bërë maksimumin e tyre  që të dërgojnë vendet tona në Bashkimin Evropian, jo vetëm duke asistuar në reforma teknike por gjithashtu edhe duke luftuar për vlerat e vërteta, vlerat Evropiane. Sonja Biserko, Natasa Kandic, Ivan Vejvoda, njerëzit e Sorosit dhe shume të tjerë në Beograd ishin ishuj të mendjes së shëndoshë edhe në kohërat më të vështira. .

Për mua është mjaft interesante që të jem në Beograd. Në një mënyre unë nuk kam ndonjë marrëdhënie me këtë qytet. Kur isha fëmijë, isha e zemëruar me Beogradin, sepse e dija rrëfimin se babai im, një akademik i njohur dhe piktor nuk ishte i pranishëm gjatë lindjes sime sepse ishte duke i kryer studimet post-diplomike në Akademinë e Arteve në  Beograd. Gjithmonë jam pyetur se si Akademia e Beogradit mund të ishte më e rëndësishme për të se sa unë.

Më vonë, isha pjesëtare e një brezi që fatkeqësisht kishte shumë arsye që fuqimisht mos ta pëlqeje kryeqytetin e ish-Jugosllavisë. Ne ishim të tmerruar si adoleshent të rinj duke parë Millosheviqin duke organizuar demonstrata dhe duke kërcënuar Kosovën në fillim të vitit 1990, dhe ishim të shokuar kur ata i mbyllen shkollat tona në gjuhën shqipe.  Ne ishim të hidhëruar kur Beogradi e anuloi autonominë e Kosovës dhe diku mes 40,000 deri 80,000 shqiptarë, përfshirë edhe prindërit e mi u larguan nga puna e tyre vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Gjatë viteve të mëvonshme, ne ishim gjithashtu të tmerruar nga Beogradi, pasi ishte burimi i forcave ushtarake dhe paraushtarake që erdhën për të djegur fshatrat dhe qytetet tona.

Ne fund, më duhet të jem e sinqerte me ju dhe t`iu them se unë nuk isha vetëm e zemëruar me Beogradin, ose se i frikësohesha Beogradit por unë në një pikë ku e urreja Beogradin. Isha një studente shume e re dhe në vitin 1998 fillova të përkthej për gazetarët e huaj në luftën e Kosovës. Kam parë aq shumë masakra dhe burra të vrarë e gra të dhunuara, shumë më shumë se sa  ndonjë i ri ndonjëherë duhet të shoh dhe me siguri që kam dëshiruar që Beogradi të zhduket në zjarrin e ferrit. Por unë nuk do të ndalem shumë në ato vite të tmerrshme të luftës se viteve 1998 – 1999.
Për t`iu thënë të vërtetën, unë shpresoj që gjenerata ime të jetë e fundit që i duhej të rritej tërë jetën në  frikë nga Beogradi. Kur po ecja mbrëmë nëpër rrugët e Beogradit disi e dija që nuk duhet të frikësohesha nga ky qytet, po aq shumë vite të marrëdhënieve të ngrira në mes të Serbisë dhe Kosovës të bazuara në dhunë dhe shtypje nuk harrohen lehtë.

Kjo me sjell në temën e sotme me ç’rast  vëzhgimet dhe referimin tim e ofroj si një kontribut modest dhe i të menduarit nga Prishtina:

Për të vazhduar aty ku fillova, me dorëheqjen e Z.Pecit – Unë mendoj se mund të nxjerrim një mësim nga cikli i lajmeve: procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë është shumë i komplikuar, stresues dhe ka nevojë për shumë durim, besim dhe përkushtim personal. Dy kryeministrat u takun 11 herë dhe kaluan mbi 100 orë në bisedime. Ata do të takohen përsëri nesër për të nxitur përfundimin e disa temave të rëndësishme në planin e implementimit, por është e qartë se procesi do të ketë nevojë për vëmendje të vazhdueshme nga ana e të dy palëve. Ky mulli do të ketë nevojë për shumë ujë dhe përkujdesje personale para se të filloj të japë frytet që ne dëshirojmë të shohim, ato të miqësisë dhe bashkëpunimit. Në raundin e fundit të dialogut, atë teknik të udhëhequr nga Z. Cooper, një nga ankesat dhe sfidat kryesore ishte që Brukseli ndihmoi në lehtësimin e bisedimeve po jo në lehtësimin e zbatimit të marrëveshjeve, që rrjedhimisht solli bllokada dhe u krijoi mundësi atyre që dëshirojnë ti vonojnë proceset. Mos zbatimi i marrëveshjes gjithashtu sjell situata të padëshirueshme siç janë ato të Qershorit të vitit 2011 kur policia e Kosovës u detyrua të marr nën kontroll të plotë Pikën 1 dhe 31 në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi që strukturat paralele veriore kundërshtuan vulën doganore dhe kontrollin kufitar nga ana e policisë së Kosovës. Mos implementimi nënkupton mbajtjen e Status-Quo-së. Mbajtja e Status-Quo-së nënkupton hapjen e rrugëve për përshkallëzim të situatës dhe regresion.

Implementimi është çdo gjë, por vullneti i mirë është themel i zbatimit. Ne kemi nevojë të besojmë në atë që ne po bëjmë, ashtu siç kemi nevojë të krijojmë mbështetje të gjerë të mundshme me të gjitha rajonet tona,  votuesit tonë dhe popullin tonë mbi domosdoshmërinë e mbylljes së kapitullit të dhimbjeve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e një ‘tabula rase’ të re të një lidhje të bazuar në kriteret e Kopenhagës në marrëdhëniet e mira fqinjësore. Hyrja në këtë proces me objektiv cinik të marrjes së favoreve, financave apo komplimenteve të mira nga Brukseli pa biseduar me zell për publikun tonë është joproduktive. Nëse ne nënshkruajmë një marrëveshje që Kosova të jetë e përfaqësuar në nivel rajonal dhe vendosim që asnjëra palë të mos bllokoj palën tjerët në integrimet evropiane, gjëja e fundit që duhet të bëni është që të bllokoni palën tjetër në proceset rajonale evropiane, siç ndodhi kur Presidenti Nikoliq bojkotoi Samitin e Ohrit për shkak të pjesëmarrjes së Presidentes Jahjaga. Të dy, Kryeministri Thaçi si dhe Kryeministri Daciç kanë qenë të hapur me publikun e tyre, por ky mesazh duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duhet të përsëritet. Kryeministri Thaçi deklaron vazhdimisht se vonimi i Serbisë në Integrimet Evropiane e shtynë integrimin për të gjithë Ballkanin dhe formula e gjetur për implementimin e planit të Ahtisarit në veri do të duhet të shfrytëzohet, edhe nëse nuk pranohet me dëshirë, nga Serbët e Kosovës në veri. Ngjashëm, Daçiçi ka deklaruar se gënjeshtrat duhet të ndalen, propaganda se Kosova është pjesë e Serbisë është e kotë. Komunikimi i sinqertë me publikun tonë duhet të vazhdojë edhe më tutje.

Komunikimi është një pjesë e ekuacionit të implementimit, por ne gjithashtu duhet të mbajmë premtimet tona, në mënyrë që marrëveshja të zhvendoset nga niveli i  kryeministrave tek niveli i  menaxherëve të mesëm të qeverisë dhe më tej deri në nivelin bazë. Kjo nuk do të jetë e mundur vetëm përmes forcës absolute të së vërtetës dhe të komunikimit të sinqertë. Njerëzit kanë nevojë për punë jo fjalë. Në veri, fondi i ngritur për të sjellur investime duhet të jetë një nga karakteristikat e para që normalizimi të funksionojë. Por duhet të ndërrmirren edhe hapa tjerë. Kosovarët kanë humbur rreth 25 milionë euro për shkak të mungesës së kodit telefonik, kështu që me zgjidhjen e saj vijnë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Marrëveshja që ne kemi nënshkruar mbi lëvizjen e lirë të njerëzve është e pavlerë në qoftë se agjencitë tona të sigurimit në Serbi dhe Kosovë nuk bashkëpunojnë pasi që aktualisht lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është edhe aq e lirë – njerëzit duhet të paguajnë qindra euro çdo muaj në qoftë se ata udhëtojnë rregullisht pasi që kompanitë Serbe refuzojnë të pajtohen me Kosovarët për uljen e tarifave dhe reciprokisht të pranojnë pretendimet e sigurimit. Në mënyrë të ngjashme, mua më është dashur të vozis  5 orë për të arritur në Beograd sikurse edhe qindra  Kosovarëve tjerë, jo vetëm Serbët, por edhe Shqiptarët, Goranët, Romët, të cilët vijnë këtu çdo ditë për çështjet e vizave, për të marr pensionet e vjetra, ose për të shkuar në spitale. Ne nuk mund t`i  nisim fluturimet Beograd – Prishtinë, pasi Serbia vazhdimisht është duke refuzuar për të hapur hapësirën ajrore për fluturimet nga dhe drejt Kosovës. Më besoni – nuk mbetet shumë vullnet i mirë atëherë kur dikush duhet të vozis 5 orë nëpër rrugë të këqija në temperaturë  40 gradë vetëm e vetëm për të çuar përpara dialogun. Tani që flasim – Kosova sapo ka përfunduar autostradën e saj nga kufiri me Shqipërinë deri në Prishtinë dhe së shpejti do të arrij në kufi me Serbinë Kjo është e një rëndësie të madhe për të dy palët, Serbinë dhe Kosovën që ne të lidhemi tutje. Nëse ne bëjmë këtë, qytetarët e Nishit, Prokupljes, Vranjës do të udhëtojë në Mal të Zi përmes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe vetë kjo sjellë më shumë normalizim dhe shkëmbime në mes vendeve tona se sa shumë  takime midis politikanëve.

Parimi i barazisë duhet të mbizotërojë. Serbia në fazat fillestare të dialogut dhe ende mundohet sa herë që mundet, të insistojnë në asimetri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E tërë afera me marrëveshjen për Kosovën që të përfaqësohet në nivel rajonal me një fusnotë, ishte vetëm një mënyrë për të vazhduar duke këmbëngulur në një maskaradë. Ne në Kosovë nuk jemi aq të fokusuar mbi simbole dhe semantika, por aty këtu pastaj lindin probleme nëse Serbia insiston në një shpjegim që në njëfarë mënyre ne nuk jemi të barabartë. Sfondi për këtë insistimin nuk është vetëm politik ose kushtetues dhe nuk është qendror vetëm në pyetjen se a kishte të drejtë Kosova të shpallë pavarësinë. GJND-ja tashmë ka dhënë një vendim shumë të qartë se Kosova nuk ka shkelur  ligjin ndërkombëtar, kur ne shpallëm pavarësinë, por kam frikë se insistimi i Serbisë shkon prapa në diçka më të vjetër dhe më ogurzi, ndjenja se Kosovarët – dhe unë e di që ju  këmbëngulni në terma etnike – por unë do të insistojnë në Kosovarë, janë qytetarë të rendit të dytë. Ka diçka raciste në thelb  të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovarëve. Shikoni shtypin e verdhë, shikoni deklaratat, shikoni diskursin publik.  Në gjuhën serbe, të jesh “Shqiptar” është nënçmuese.  Kjo do të thotë “diçka më pak”. Të ju them të vërtetën, këmbëngulja e Serbisë që popullata e Kosovës nuk ka rëndësi apo se ajo mund të injorohet, është e vjetër. Vetëm lexoni Dimitrije Tucoviçin ose Trockin mbi atë sesi Serbia i ka keqtrajtuar Shqiptarët  pas Luftërave Ballkanike dhe ju do të kuptoni rrënjët e konfliktit tonë. Unë nuk jam duke thënë se të gjithë  ju duhet të ndryshoni librat e historisë dhe të shpërbëni Akademinë tuaj të Shkencave dhe të gjitha organet e tjera që kanë ri-fuqizuar një narrativ të tillë nga pikëpamja raciste dhe nacionaliste, megjithatë unë jam duke thënë se në një afat më të gjatë, do të krijohen probleme reale nëse Serbia vazhdon të refuzojë simetrinë dhe barazinë nën diellin e bashkësisë ndërkombëtare. Jeto dhe lejo që edhe të tjerët të jetojnë. A mund ta imagjinoni se Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të veçantë të partneritetit strategjik me Kinën, ndërsa ajo eksporton 20 herë më shumë produkte në Kosovë sesa në Kinë? Kjo është absurde.

Kjo pikë specifike, që Serbia të pranojë Kosovën si të barabartë do të jetë më e vështira. Unë e kuptoj këtë, por politikanët Serbë gjithashtu do të duhet të kuptojnë se kurrë – e them sërish se Kosova kurrë më nuk do të jetë në pozitë të nënshtrimit ndaj Serbisë. Kjo nuk është ajo se cfarë do të Integrimi Evropian. Kjo nuk është ajo se çka do të thotë Marrëveshja mbi normalizimin. Kjo nuk është ajo se çka duhet të jetë e ardhmja e marrëdhënieve tona. Kjo urë psikologjike do të duhet të kalohet nga Serbia, por më duhet të them nga Serbët gjithashtu. Ne kemi sfida të ndryshme në Kosovë, por domosdoshmërish nuk është një sfidë e lehtë që të ndryshohen perceptimet në lidhje me Serbinë. Për një shekull, me një shkallë më të madhe ose më të vogël, kemi pasur një lidhje shumë të veçantë me Beogradin dhe do të kërkoj forcë, kërkoj vullnet të jashtëzakonshëm që të largohemi nga një regjim i viktimizimit në një regjim të partneritetit. Një kontratë e re shoqërore në Kosovë është themeluar nga Ahtisaari, por Plani i Ahtisaarit nuk ka qenë kurrë një produkt, por më tepër një proces që duhet të vazhdojë duke përforcuar dhe mbrojtur idenë e parimit të decentralizimit të pushtetit nga kryeqyteti tek qytetarët.

Përndryshe unë jam optimiste. Kosova pothuajse është e njohur nga 100 vende.  Që nga viti që ne kemi nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, Tanzania, Jemeni dhe Guajana  kanë njohur Kosovën. Kosova gjithashtu javën e kaluar u bë Anëtar sovran i Këshillit të Bankës Evropiane për Zhvillim. Në Integrimet Evropiane, viti 2012 ishte një vit me të vërtet Evropian. Zyra Civile Ndërkombëtare përfundoi mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës dhe Presidentja e Kosovës ka ripërtërirë mandatin e EULEX-it edhe për dy vite të tjera, por është e qartë se Kosova është më e lirë se që ka qenë ndonjëherë. Ne kemi problem me papunësinë që sillet diku rreth 35%, por ne nuk kemi probleme me pensionet pasi që demografitë tona janë pozitive. Borxhi ynë për shkallën PBB-së është më pak se 7%, ndërsa FMN-ja pret që Kosova të regjistrojë rritjen më të lartë  në vitin 2013 në të gjithë Ballkanin. Në vitin 2012 ne kemi lansuar edhe udhërrëfyesin për udhëtim pa viza dhe shpresojmë që së shpejti të bashkohemi me pjesën tjetër të Ballkanit për të qenë në gjendje që të udhëtojmë lirshëm brenda zonës së Shengenit. Ne gjithashtu në këtë qershor presim që të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim. Shumë njerëz gjithmonë kanë insistuar se integrimet evropiane janë vlerësuar në baza individuale, gjë që është e vërtetë – por kjo është sidomos e vërtetë se në rastin e Kosovës dhe Serbisë dhe nuk do të ketë edhe aq shumë progres nëse njëra palë është e bllokuar. Unë shpresoj se në javët e ardhshme implementimi do të fillojë seriozisht dhe se strukturuat e sigurisë do të trajtohen. Sapo t’i largojmë këto nga rruga ne do të vendosim aparatet Kosovare të sigurisë në veri që do të pasqyrojnë përbërjen etnike të atij rajoni. Ne do të jemi në gjendje që të lëvizim drejt zgjedhjeve të lira lokale dhe krijimin e mëvonshëm të Asociacionit të Komunave të cilat mund të ndihmojnë komunat në disa nga detyrat dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Shumë njerëz gjithmonë kanë pretenduar se ajo nuk mund të realizohet në Graçanicë, Shtërpcë apo në  Ranillug por ne ua kemi vërtetuar dhe po që se do të jetë nevoja do tua vërtetojmë përsëri se e kanë gabim.

Ju falënderoj përsëri për ftesën tuaj, faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj,  zonja dhe zotëri më lejoni të përfundoj këtë fjalim duke thënë se rruga e vetme që do të garantojë paqe, prosperitet dhe mirëqenie për qytetarët tonë është rruga jonë drejt Evropës dhe Integrimit Evropian. Këtë e dhëshmon edhe fakti se Robert Schumann, Jean Monnet dhe themeluesit e tjerë të Bashkimit Evropian bazuan idealet e tyre në këtë ide: “Si dallim prej ideve për federata, konfederata ose unione doganore  zhvillimi kryesor në Evropë varet nga themeli  supranacional për ta bërë luftën të pa imagjinueshme , materialisht të pamundshme dhe për ta përforcuar demokracinë”.

Ju faleminderit shumë përsëri.

 

Last modified: 16 Gusht, 2022

3 Responses to " Drejt integrimeve evropiane "

  1. … [Trackback]

    […] Read More on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/drejt-integrimeve-evropiane/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Information to that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/drejt-integrimeve-evropiane/ […]

  3. … [Trackback]

    […] Find More Information here on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/drejt-integrimeve-evropiane/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *