Bratislavë, 23-24 shtator 2015 – Zëvendësministri i Integrimit Evropian z. Ramadan Ilazi, së bashku me një grup të shoqërisë civile po qëndron në Sllovaki për një vizitë në kuadër të projektit “Lidhja me Evropën” të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Synimi kryesor i këtij projekti është përafrimi, njoftimi dhe thellimi i komunikimeve të veprimtarëve të ndryshëm të shoqërisë kosovare me ata të shoqërive të shteteve të Bashkimit Evropian që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Sllovaki zëvendësministri Ilazi ka zhvilluar takime me përfaqësues të parlamentit, qeverisë, shoqërisë civile dhe mediat si dhe ka mbajtur një debat publik me temën, “Sfidat e Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së: Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe marrëdhëniet me shtetet jo-njohëse”.
Gjatë prezantimit të tij zëvendësministri Ilazi ka shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës ndaj popullit dhe shtetit sllovak për përkrahjen për perspektivën evropiane të Kosovës, duke kërkuar që kjo përkrahje të vazhdoj sidomos për procesin e liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin e MSA-së.
Zëvendësministri Ilazi po ashtu ka informuar të pranishmit me zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos me rezultatin e procesit të dialogut të normalizimit të raporteve me Serbinë si dhe reformat e ndërmarra prej anës së Qeverisë për plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave. Zëvendësministri Ilazi po ashtu ka përsëritur kërkesën e Qeverisë së Kosovës për themelimin e një Zyre të Ndërlidhjes të Qeverisë së Kosovës në Sllovaki.
Shkëmbimet midis Kosovës dhe Sllovakisë, të ndihmuara dhe lehtësuara nga shoqëria civile, përkatësisht KFOS-i, kanë dëshmuar se komunikimi dhe shkëmbimi i drejtpërdrejt mes njerëzve nga të dy anët ndikon drejtpërdrejt në ndërtim e përshtypjeve të reja për Kosovën e pasluftës dhe njohjen e të arriturave.
Kryesimi i Bashkimit Evropian nga Sllovakia gjatë gjysmës së dytë të 2016, ka qenë po ashtu pjesë qendrore e programit.
Last modified: 11 Gusht, 2022