Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Zëvendëskryeministri Bislimi: Rritja e progresi ynë është dëshmi e maturitetit dhe gatishmërisë, për të bërë vetëm hapa përpara e shkuar në një nivel tjetër të rrugëtimit tonë evropian

11 Shtator, 2023

Vizita dy ditore në Holandë e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u karakterizua me një takim e bisedë të hapur me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, ambasadorë, shefa misionesh e diplomatë të ambasadave të shteteve nga rajoni, Evropa e më gjerë, në Holandë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi foli për historinë e suksesit të Kosovës. Gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë njohu rritje ekonomike dyshifrore në 2021 si dhe rritje rreth 4% në vitin 2022. Sa i përket vitit 2023, 3.9% ishte rritja e regjistruar në çerekun e parë të vitit. Rritja e shpejtë ekonomike dhe ndër më të lartat në rajon si dhe konstantja e parashikimeve për vazhdimin e kësaj trajektoreje janë tregues të suksesit të Kosovës dhe potencialit për të ardhmen.

Rritja duhet të njohë dhe qëndrueshmëri në vazhdimësi por edhe të garantojë gjithëpërfshirjen dhe ndarjen e barabartë.

Përtej krizave të përballuara si ajo e pandemisë dhe krizës energjetike, vendi ynë ka performuar lartësisht ekonomikisht duke patur rezultat pozitiv dhe në mbajtjen e borxhit publik në nivel të ulët dhe treguar maturitet në politikat fiskale. Kjo u vlerësua dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku Kosova u bë shteti i parë përfitues në Evropë i instrumentit e programit të tyre më të ri financues në muajin prill të këtij viti.

Kosova ka dëshmuar se përtej barrierave mund të performojë dhe më lartë se vendet e rajonit, duke treguar se potenciali është tejet i madh dhe mund të zbulohet dhe më tej. Me liberalizimin e vizave nga 1 janari 2024 dhe aplikimin tonë për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, hapet rruga për përshpejtim dhe rritje të intensitetit të rrugëtimit tonë evropian.

Progresi historik i arritur reflektuar dhe në raportin për vendin të Komisionit Evropian, ku ndër të tjera tregohet se nuk ka regres në asnjë fushë, është dëshmi e maturitetit, përgatitjes dhe gatishmërisë për të bërë vetëm hapa përpara dhe shkuar në një nivel tjetër të rrugëtimit tone evropian. Dëshmi tjetër janë dhe rankimet pozitive dhe rritja në pozicione e Kosovës në indekset e matjet ndërkombëtare. Marrja e pyetësorit është e rëndësishme për ne, dhe avancimi tutje në përmbushjen e objektivit tonë për anëtarësimin në familjen evropiane.

Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e javës së ardhshme të nivelit të lartë. Ai theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive, aktive e me plot ide në proces, e angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike e cila duhet të zbatohet në plotni, pa vonesa e kushtëzime dhe përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e të barabartë.

Takimi u mbajt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Holandë. Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi pjesëmarrësit për bisedën dhe takimin e frytshëm.​

Last modified: 11 Shtator, 2023

Comments are closed.