Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

U mbajt mbledhja e gjashtë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

2 Maj, 2024

Prishtinë, 2 maj 2024

Ditën e sotme u mbajt mbledhja e gjashtë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, për të diskutuar mbi Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe reformat kyçe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028. Mbledhja u kryesua nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministra, drejtues e udhëheqës të institucioneve e dikastereve relevante.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së si dhe rikujtoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në unionin evropian: “Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit.” u shpreh kryeministri.

Më tej, ai përmendi përkushtimin e Qeverisë në lidhje me procesin e integrimit evropian, gjegjësisht nivelin e lartë të zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane si dhe angazhimin në kuadër të Planit të Rritjes, si hap të duhur në drejtimin e duhur.

“Gjithashtu, masat që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe me Planin e Rritjes e me qëllimet e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese, dhe këto masa duhet të largohen.” shtoi kryeministri Kurti.

Pas kryeministrit, fjalë mbajti edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, diskutimet për Programin Kombëtar për Integrim Evropian, shprehu se është dokument i yni strategjik që përfaqëson spektrin e gjerë të reformave që i ndërmarrim vit pas viti në realizimin e marrëveshjes së MSA-së.

“Këto reforma, para se të na ndihmojnë në avancimin tonë drejt integrimit në BE, na ndihmojnë edhe në arritjen dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit drejt një standardi më të lartë të jetesës dhe mbulojnë kështu të gjitha fushat dhe sektorët që mbulon puna e Qeverisë.” u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi.

Më poshtë fjala e plotë hyrëse e kryeministrit Kurti:

I nderuar zëvendëskryeministër i parë, z. Besnik Bislimi,
Të nderuar ministra e zëvendësministra
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve të pavarura,
Të nderuar pjesëmarrës të tjerë,
Zonja dhe zotërinj,

Po e hapim mbledhjen e gjashtë me radhë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku do të diskutojmë për dy tema. E para është Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht për reformat e planifikuara për 4 vitet e ardhshme, dhe e dyta është Programi Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028, përkatësisht për masat e planifikuara për t’u zbatuar gjatë këtij viti.

Para se t’i diskutojmë këto dy dokumente dua t’i theksoj tri elemente të rëndësishme.

E para, pas një dekade stagnimi, zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në agjendë. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka rikthyer rëndësinë e zgjerimit të BE-së jo vetëm si zonë e prosperitetit socio-ekonomik por edhe e paqes dhe sigurisë.

Në dhjetor 2023, Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, rikonfirmoi të ardhmen e rajonit tonë në BE. Më 15 dhjetor 2022, në Pragë të Republikës Çeke e cila po e mbante Presidencën asokohe, ne dorëzuam aplikacionin për anëtarësim në BE. Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit.

E dyta, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje andaj, Agjenda e Reformave Evropiane në Qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet. Mobilizimi për të kapur hapin në procesin e integrimit evropian, pas stagnimit disa vjeçar, ka bërë që shumë reforma, ligje e strategji të përmbyllen. Nga 1 janari, 2024 qytetarët tanë tashmë po udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Sa i përket Agjendës për Reforma Evropiane, kemi zbatuar mbi 70% të reformave që kemi planifikuar së bashku me Komisionin Evropian, ose 245 nga 341 reforma të planifikuara. Nëse e krahasojmë me fazën e parë të prioriteteve politike, kur janë zbatuar gjithsej 100 veprime reformash, kjo i bie se kemi zbatuar dukshëm më tepër se dyfishin e reformave të planifikuara. Më tej, sa i përket Programit Kombëtar për Integrim Evropian, niveli i zbatimit është përmirësuar vazhdimisht; nga më pak se 60% në vitin 2022 në rreth dy të tretat në vitin 2023.

E treta, javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka aprovuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili i ka dy qëllime: të përshpejtojë zhvillimin socio-ekonomik të rajonit me BE-në dhe në këtë mënyrë, të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE. Planin e Rritjes e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. Ne besojmë se Bashkimi Evropian mund të reformohet dhe të zgjerohet, dhe se përfitimet e Tregut të Përbashkët të Bashkimit Evropian duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Prandaj, ne iu qëndrojmë me vendosmëri parimeve, në të cilat ky plan është i rrënjosur. Nuk duhet të ketë përfitime nga Bashkimi Evropian, pra as fonde, pa i përqafuar vlerat e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, masat që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe me Planin e Rritjes e me qëllimet e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese, dhe këto masa duhet të largohen.

Të nderuar pjesëmarrës,

Tani më lejoni t’i kthehemi dy dokumenteve strategjike për të cilat jemi mbledhur sot.

Së pari, Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje (2024 – 2027). Si pjesë e Planit të Rritjes, Kosova është ftuar të prezantojë Agjendën e Reformave, e cila fokusohet në masa socio-ekonomike që stimulojnë zhvillimin dhe konvergjencën me BE-në. Ekipi i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë është ngarkuar me përgatitjet e këtij dokumenti. Puna ka vazhduar me shumë intensitet ku pas disa muaj negociata me Komisionin Evropian janë identifikuar rreth 30 reforma dhe mbi 100 aktivitete konkrete të shpërndara në 5 fusha e të cilët janë:
1. Qeverisja, reforma e administratës publike dhe menaxhimi i financave publike,
2. Tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital,
3. Zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi afarist,
4. Kapitali njerëzor dhe
5. Bazat e anëtarësimit në BE / Sundimi i ligjit.

Kjo agjendë gjithëpërfshirëse reformash synon të reformojë më tej administratën publike dhe të avancojë menaxhimin e financave publike. Ajo vendos një fokus të veçantë në agjendën e gjelbër dhe digjitalizimin. Në fushën e sektorit privat kemi paraparë veprime që rrisin investimet dhe eksportet dhe masa që mundësojnë më tej qasjen në financa. Ajo synon të sigurojë arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe përafrim me nevojat e tregut të punës. Dhe jo më pak e rëndësishmja: kjo agjendë reformash do të avancojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të fuqizojë mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave themelore.

Ne po përgatisim gjithashtu një listë indikative të projekteve, të cilat synojnë mbylljen e boshllëqeve infrastrukturore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, që do të financohen përmes Planit të Rritjes duke përshpejtuar më pas rritjen dhe konvergjencën me Bashkimin Evropian. Fondet nga Plani Evropian i Rritjes për Kosovën do të jenë shtesë krahas atyre nga IPA, derisa nga gjithsej rreth 950 milionë euro gjysma do të shkojë në buxhet për zbatimin e reformave derisa gjysma tjetër në projekte investive.

Tashmë konsultimet publike për këtë agjendë të reformave kanë filluar. Javën e kaluar janë konsultuar Institucionet Ndërkombëtare Financiare, për nesër është planifikuar një takim me Organizatat e Shoqërisë Civile, derisa javën tjetër në kuadër të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime do t’i konsultojmë edhe bizneset dhe odat ekonomike. Paralelisht, dialogu me Komisionin Evropian po vazhdon dhe pritet që gjatë muajit maj të finalizohet e tërë agjenda e reformave, e cila duhet edhe të aprovohet në qeveri e të dorëzohet në Bruksel.

Programi Kombëtar për Integrim Evropian është dokument ligjërisht i detyrueshëm për secilin organ të administratës shtetërore, prandaj kërkoj nga ju si ministra përkushtim maksimal për zbatimin e tij gjatë tërë vitit. Gjatë këtij takimi pres nga ju të na informoni për ecurinë e zbatimit të reformave që keni planifikuar dhe për sfidat me të cilat po përballeni në këtë drejtim, ndërsa gjatë tërë vitit do të kërkoj përgjegjësi dhe llogari, përmes Kabinetit Qeveritar, strukturave koordinuese për integrim evropian dhe mekanizmave të tjerë në dispozicion.

Sa u përket reformave të planifikuara nga institucionet e pavarura, ne si Qeveri dhe unë si Kryeministër, ofrojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë në zbatimin e tyre.

Për shkak të strukturës dhe përmbajtjes së këtyre dy dokumenteve, në pjesën e parë do të diskutojmë për Programin Kombëtar për Integrim Evropian, me të gjitha institucionet tuaja, ndërsa në pjesën e dytë do të vazhdojmë diskutimin për Agjendën e Reformave të Planit për Rritje Ekonomike vetëm me ato institucione që kanë detyrime në kuadër të këtij instrumenti.

E çmojmë lart punën e të gjitha institucioneve shtetërore në hartimin e këtyre dy dokumenteve kryesore për zbatimin e reformave për integrim në BE. Gjithashtu dua të theksoj vlerësimin tim për punën e bërë deri tani nga të gjitha institucionet tuaja në zbatimin e reformave me prioritet gjatë tri viteve të fundit, në veçanti të fazës së dytë të prioriteteve politike për integrim në BE, ose Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) dhe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian.

Për diskutim më të hollësishëm, tani ftoj Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi të marrë fjalën dhe t’iu ftoj për diskutim aktiv dhe punë të mbarë gjatë vitit në zbatimin e këtij dokumenti.

Ju falemnderit për vëmendjen tuaj.

Last modified: 2 Maj, 2024

Comments are closed.