Integrimi Evropian

Takimi i 2-të i Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës

9 Tetor, 2018

Prishtinë 9 Tetor 2018 – Takimi i 2-të i Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës u zhvillua në Prishtinë më 9 tetor 2017. Takimi u bashkë-kryesua nga z. Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë për Integrime Evropiane, dhe z. David Cullen, Shef i Njësisë së Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerim të Komisionit Evropian. Takimin e hapi me një fjalim mirëseardhës znj. Dhurata Hoxha, Ministre për Integrime Evropiane në Kosovë.

Komiteti për Stabilizim dhe Asociim diskutoi zhvillimet kyçe që nga takimi i dytë i Këshillit për Stabilizim-Asociim, dhe bëri një pasqyrë të gjendjes aktuale në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, harmonizimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së (acquis), bashkëpunimit financiar si dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) gjatë kësaj periudhe në të gjitha fushat e mbuluara nga ai.

Gjatë këtij takim u vlerësuan dhe aprovuan rezultatet e raundit të dytë të takimeve të shtatë nën-komiteteve dhe dy grupeve speciale të realizuara gjatë vitit të kaluar. Gjatë diskutimeve, Komiteti bëri një vlerësim të progresit në fushat me rëndësi për Agjendën e Reformës Evropiane, Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA dhe Programin e Reformave Ekonomike. Të gjitha këto korniza luajnë një rol të rëndësishëm në drejtimin e përpjekjeve kosovare për reforma dhe zbatimin e MSA-së në të gjitha fushat, ku prioritetet me rëndësi politike përqendrohen në fushat e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, konkurrencës dhe klimës së investimeve, punësimit dhe arsimit.

Në takim u diskutua për prioritetet në reforma në të gjitha fushat, duke i përfshirë reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, dhe reformat ekonomike. Komisioni Evropian mirëpriti ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe rikujtoi propozimin e tij për liberalizimin e vizave si dhe diskutimet e vazhdueshme në Këshillin dhe në Parlamentin Evropian. Gjithashtu, i bëri thirrje Kosovës që të bëjë më shumë përpjekje në ndërtimin e koncensusit me gjithë spektrin politik në mënyrë që të mbështet agjenda e reformave ekonomike, dhe sidomos të përshpejtohet zbatimi i reformave gjithëpërfshirëse për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të MSA-së.

Takimi vuri në theks rëndësinë e përparimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit dhe zbatimin pa vonesë të gjitha marrëveshjeve tashmë të arritura. Aty po ashtu u nënvizua rëndësia e progresit të mëtejshëm në integrimin rajonal, duke e përfshirë zonën rajonale ekonomike dhe agjendën e konektivitetit.

Në takim u theksua rëndësia e harmonizimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kryesorë, sidomos në lidhje me reformën e administratës publike, zhvillimit ekonomik, tregut të brendshëm, arsimit, energjisë dhe mjedisit. Në lidhje me një numër të iniciativave që aktualisht promovohen nga qeveria dhe diskutohen në Kuvend, Komisioni theksoi rëndësinë e ruajtjes së politikës makro-ekonomike të orientuar drejt stabilitetit.

Palët me padurim i presin diskutimet e mëtejshme mbi progresin e arritur në fushat kryesore gjatë takimit të tret të Këshillit të Stabilizim-Asociimit më 17 dhjetor 2018.

Last modified: 8 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *