Integrimi Evropian

Miratohet në Kuvend Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA 2018, Ministrja Hoxha njofton se kjo marrëveshje i sjell Kosovës 90.5 milion euro

22 Gusht, 2019

Prishtinë, 22 Gusht 2019 – Në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur sot me datën 22 gusht, Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, ftoi deputetët për të miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për programin Instrumenti i Ndihmës së Para-anëtarësimit (IPA) 2018. Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA 2018, u miratua me shumicë të votave të deputetëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me Bashkimin Evropian (BE) kanë negociuar dhe nënshkruar Marrëveshjen Financiare IPA 2018 në vlerë prej 94.7 milion euro, ku 90.5 milion euro financohen nga BE-ja dhe pjesa e mbetur bashkë financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nën koordinimin e MIE-së janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme rreth marrëveshjes financiare për IPA 2018”, theksoi Ministrja Hoxha.

Duke theksuar rolin e kësaj marrëveshje, Ministrja Hoxha vuri në dukje se Marrëveshja Financiare IPA 2018, është tejet e rëndësishme për mbështetjen e vendit tonë gjatë procesit integrues në fusha qenësore si sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e ambientit. Kjo marrëveshje e pritet të hyjë në fuqi më së largu deri më 31 dhjetor 2019.

Në fund, Ministrja Hoxha falënderoi deputetët për trajtimin me prioritet ratifikimin e kësaj marrëveshje duke i kontribuar në masë të madhe procesit reformues të Republikës së Kosovës.

Last modified: 4 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *