Prishtinë, 20 Mars 2018 – Në konferencën e organizuar nga SIGMA, institucion i BE-së për administratën, kushtuar Reformës së Administratës Publike në Kosovë, me titull: Reforma e Shërbimit civil, strukturat llogaridhënëse shtetërore dhe kontrolli i financave publike, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka cekur se reforma ka ndikim të drejtpërdrejt në procesin e integrimit.
Në 3 muajt e ardhshëm, përcaktohet se si do të vlerësohet Kosova në procesin e saj në kuadër të reformave tashmë të zotuara në kuadër të dialogut me BE-në, si dhe ndikimit që do ketë për qytetarët e saj.
“Synimi strategjik i Kosovës është integrimi në BE. Parakusht themelor në drejtim të arritjes të këtij synimi është sundimi i ligjit, si hallkë kyçe në drejtim të fillimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor. Sundimi i ligjit krijon besimin e qytetarëve ndaj shtetit, funksionalizon shtetin dhe i jep shpresë qytetareve për të ardhmen e tyre”, theksoi Ministrja Hoxha.
Në këtë drejtim, për të arritur një nivel optimal bashkëveprimi në mes të qytetarëve të Kosovës dhe Qeverisë, potencoi Ministrja, është e domosdoshme që të modernizohet administrata publike duke u bërë më efektive dhe duke mundësuar nivel më të lartë të llogaridhënies ndaj qytetarit.
“Reformimi i administratës publike është konsolidimi i kornizës së politikave strategjike. Kjo i mundëson një vendi aspirant për integrim si Kosova që të siguroj mandate të qarta ndër-institucionale, të kanalizojë në mënyrë më efiçente burimet financiare dhe njerëzore në zbatim të politikave si dhe të funksionalizojë plotësisht mekanizmat monitorues të saj”, theksoi Ministrja.
Qeveria, në bashkëpunim me Komision Evropian dhe SIGMA-n, vuri në pah Ministrja, ka miratuar pakon strategjike për reformën e administratës publike, ku përfshihen: Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike, Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike, Strategjia për Rregullim më të Mirë si dhe Strategjia për Koordinim të Politikave.
“Kjo pako përbën kornizën strategjike, e cila është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian dhe është në përputhje me parimet e SIGMA-s për administratë publike”, theksoi Ministrja duke shtuar se kërkohet edhe konsolidimi i kornizës ligjore.
Në përputhje me vlerësimet dhe parimet e SIGMA-s dhe në përputhje me të gjeturat e Raportit të Vendit, ceku Ministrja, Kosova ka iniciuar rishikimin e kornizës ligjore, respektivisht Ligjit për Shërbimin Civil, Ligjit për Administratën Shtetërore si dhe Ligjit për Paga.
“Prioriteti ynë në këtë drejtim është që brenda 3 muajve të ardhshëm të kompletojmë kornizën ligjore dhe të lëvizim nga një sistem relativisht i fragmentuar dhe me paqartësi ligjore në drejtim të një sistemi racional, të barabartë për të gjithë, me organizim më efiçent të administratës dhe me linja të qarta të llogaridhënies”, theksoi Ministrja Hoxha.
Është kryer një analizë cilësore rreth racionalizimit të agjencive të pavarura dhe agjencive të pavarura rregullatore, prioritet që reflektohet në të gjitha dokumentet kyçe të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, potencoi Ministrja Hoxha, duke themeluar Sekretariatin që do të koordinojë këtë proces nga aspekti teknik. Po ashtu, është hartuar Memorandum Mirëkuptimi në mes të Kuvendit dhe Qeverisë për të përkrahur këtë iniciativë të përbashkët në mes të BE-së dhe institucioneve të Kosovës për rishikim të agjencive të pavarura.
Të gjitha këto, theksoi Ministrja Hoxha, janë bërë për një administratë e cila ofron shërbime bazuar në drejtësi, ligj dhe procedura të qarta, të drejta, me qasje për të gjithë, e pranueshme nga aspekti kohor dhe financiar me cilësi dhe transparente. Një administratë e cila do jetë e pranueshme sipas kërkesave të familjes administrative të Bashkimit Evropian
Last modified: 9 Gusht, 2022