Prishtinë, 5 Qershor 2018 – Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot në takim, Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin diskutoi rreth liberalizimit të vizave dhe përmbushjes së kritereve për këtë çështje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
Ministrja Hoxha, ka theksuar se të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave janë plotësuar, andaj, theksoi ajo, në qershor presim sinjalet e fuqishme për zbatimin në tërësi të këtyre kushteve në mënyrë që të mund të ecë tutje procesi i liberalizimit të vizave.



“Ne jemi të vetëdijshëm se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është i lidhur me afate, andaj, konsiderojmë se edhe pas heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, institucionet vendore nuk do ta ndalin luftimin e këtyre dukurive”, ka theksuar Ministrja Hoxha, duke shtuar se qytetarët e Kosovës presin që progresi i Kosovës të vlerësohet nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Raportuesi i Parlamentit Evropian, Z. Sholtes, ritheksoi se Kosova nuk duhet ta lejojë që korrupsioni të pengojë përparimin e procesit integrues, duke vënë në dukje se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është padyshim prioritet për BE dhe sidomos kur është fjala për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë, Kosova duhet të vazhdojë të tregoj rezultate.
Last modified: 9 Gusht, 2022