Integrimi Evropian

Ministrja Hoxha kërkon angazhim nga të gjitha institucionet për liberalizimin e vizave

20 Shtator, 2017

Prishtinë, 20 shtator 2017 – Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ishte e pranishme në takimin e përbashkët ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës të prirë nga Kryeministri Ramush Haradinaj me ambasadorët e BE-së në Kosovë.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, dhe theks i veçantë u vu në prioritetet kyçe në kuadër të agjendës evropiane si niveli i zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendës për Reforma Evopiane, të njohur si ‘ERA’, dhe programeve të BE-së. Po ashtu, u theksua gatishmëria e institucioneve për realizimin e aktiviteteve në kuadër të procesit të Liberalizimit të Vizave.

Me këtë rast Ministrja Hoxha foli për rëndësinë që ka koordinimi me Zyrën e BE-së dhe shtetet anëtare përgjatë avansimit të Kosovës me agjendën evropiane.

“Një vit pas hyrjes në fuqi të MSA-së, është arritur progres i jashtëzakonshëm në zbatimin e MSA-së dhe posaçërisht në krijimin e shtrukutrave institucionale me qëllim të zbatimit sa më efikas të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, për periudhën në vijim” , ka theksuar Ministrja Hoxha.
Ndër të tjera Ministrja Hoxha kërkoi promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i sundimit të ligjit do të duhet të jenë prioritet yni, në mënyrë që Kosovarët mos të vazhdojnë të jenë të izoluar”, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha.

Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë, vlerësuan përkushtimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës në shtyrjen përpara të agjendës evropiane.

 

Last modified: 10 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *