Prishtinë, 10 nëntor 2015 – Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku ka pranuar sot zyrtarisht Raportin vjetor për Kosovën për vitin 2015 të Komisionit Evropian, nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë z. Samuel Zhbogar, me rastin e publikimit të Pakos së zgjerimit nga Komisioni Evropian.
Ministri Çollaku, ka mirëpritur publikimin e Strategjisë së Zgjerimit dhe Raportit për Kosovën dhe e ka vlerësuar metodologjinë dhe qasjen profesionale të KE-së lidhur me progresin e arritur dhe fushat ku kërkohet përmirësim i mëtutjeshëm.
Gjatë një konference për media pas këtij takimi ministri Çollaku ka shpalosur disa vlerësime mbi përmbajtjen e Raportit për Kosovën për vitin 2015.
“Ky raport me të drejtë fillon duke e theksuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke e cilësuar si hap vendimtar drejt të së ardhmes evropiane të Kosovës. Përfundimi i procesit të negocimit, miratimi dhe nënshkrimi i MSA-së është dëshmi e fortë se Kosova ka bërë hapa përpara në zbatimin e reformave dhe adresimin e kritereve të rëndësishme”, ka thënë ministri.
Po ashtu është shprehur i inkurajuar që raporti vlerëson progresin e bërë në adresimin e kërkesave të procesit të liberalizimin e Vizave.
Tek Kriteret Politike, ka thënë se Raporti nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj obligimeve ndërkombëtare përfshirë këtu rolin pozitiv në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët.
Raporti vlerëson pozitivisht përpjekjet e Kosovës në reformën e administratës publike duke përmendur si progres kompletimin e kornizës ligjore dhe strategjike.
Sa i përket sundimit të ligjit, ministri ka thënë se raporti reflekton arritjet e bëra me miratimin e plotësim-ndryshimeve në katër ligjet kornizë të gjyqësorit.
Po ashtu ka potencuar se raporti vlerëson përparimet në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit me theks të veçantë në forcimin e koordinimit në mes të shumë institucioneve përgjegjëse por nënvizon nevojën e hetimit dhe dënimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Në anën tjetër vlerësohet pozitivisht angazhimi në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë Çollaku.
Sa i përket kritereve ekonomike, ka shpjeguar se raporti nënvizon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. “Raporti paraqet progres edhe në këtë fushë, sidomos në përmirësimin e sistemit ligjor që ndërlidhet me stabilitetin e sektorit financiar. Gjithashtu, nënvizohet që dokumentet strategjike të qeverisë tregojnë një përkushtim të përforcuar ndaj reformave ekonomike”, ka thënë ndër të tjera ai.
Last modified: 11 Gusht, 2022