Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kosova në vazhdimësi është duke u konsuliduar si shteti më i ri në Evropë

8 Prill, 2014

Prishtinë, 08 prill 2014. – Ministrja  e Integrimit Evropian, Vlora  Çitaku, ka mbajtur  sot  një ligjeratë  në Fakultetin e Shkencave Politike të UBT-së  me temë “ Rruga drejtë Evropës”. 

Para studentëve të pranishëm ministrja Çitaku  ka folur për  fushat  që ndërlidhen me integrimin e Kosovës në strukturat  euroatlantike, me theks të veçant  Çitaku  u  është referuar temave si:

Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe Procesi  i  Liberalizimit të Vizave.

Fjalimi i plotë i  ministres Çitaku
Te nderuar student,
Te nderuar Profesorë,

Ju përshëndes te gjithëve, dhe kam kënaqësinë që të jem sot ne mesin tuaj, për të ndarë me ju të arriturat dhe sfidat ne rrugën tonë të përbashkët drejt  integrimit në Bashkimin Evropian.

Në rrjedhën e një dekade, Republika e Kosovës është ballafaquar me shumë sfida. Kemi kaluar një rrugë të gjatë duke filluar që prej daljes nga lufta për liri nga një regjim tiranik, dhe duke u ngritur në një demokraci funksionale, me institucione të qëndrueshme dhe ekonomi të lirë të tregut, ku liria e fjalës, fesë, dhe të drejtat e tjera themelore janë të garantuara.

Sot, ne jemi para një agimi të ri për Republikën e Kosovës. Një epoke të re.  Një epoke të integrimit evropian. Kosova fuqimisht beson që Evropianizimi është mënyra më e mirë për të ecur përpara në përmirësimin e standardit të jetës dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik për të gjithë qytetarët.

Kosova është në përfundim të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). MSA-ja do të ankoron Kosovën fuqimisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht do të shënon një momentum historik në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Procesi i Evropianizimit është më shumë se vetëm miratimi i legjislacionit të BE-së dhe përmbushjes së normave dhe standardeve të BE-së. Në shtete të ndryshme si Polonia, Hungaria dhe Estonia me trashëgimi të ndryshme historike dhe ekonomike dhe tradita politike, procesi i anëtarësimit në BE ka sjellë një transformim të shpejtë të marrëdhënieve shtet-qytetar, reformë të qëndrueshme të administratës publike dhe një cikël të zhvillimit ekonomik, investimeve të huaja direkte dhe zbutjen e varfërisë duke arritur grupet më të cenuara dhe zonat rurale. Fuqia e njëjtë transformuese e procesit të integrimit evropian ka çuar në ndryshime pozitive në  fqinjësinë tonë të afërt.

Qeveria ka shprehur vazhdimisht përkushtimin e saj për agjendën evropian – me vepra, po aq sa edhe me fjalë. Bërthama e përkushtimit tonë qëndron në mbështetjen e madhe të qytetarëve tanë për ndryshimet që do të transformojnë vendin tonë në një anëtar krenar të familjes Evropiane.

Kosova ka një perspektivë të qartë drejt anëtarësimit në BE, në linjë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në tetor të vitit 2012, Studimi i Fizibilitetit konfirmoi se Kosova “…është kryesisht e gatshme për të filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.”

Këshilli i BE-së, më 11 Dhjetor 2012, konfirmoj që Kosova do të fillojë negociatat për MSA-në, pasi që katër prioritetet afatshkurtra, në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së minoriteteve dhe të tregtisë, janë përmbushur. Me 1 Mars 2013, Qeveria Kosovës i ka konfirmuar Komisionit Evropian qe institucionet e vendit kane përmbushur suksesshëm katër prioritetet afatshkurta qe kane qene kusht për fillimin e negociatave për MSA. Me 28 Qershore zyrtarisht Këshilli Evropian ka miratuar mandatin për fillimin e negociatave për MSA.

Pra me ketë është konfirmuar qe Kosova ka një perspektivë të qartë drejt anëtarësimit në BE, në linjë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Nisja e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi në mes të vendit tonë dhe Bashkimit Evropian është një moment historik në kuadër të procesit integrues të vendit tonë.

Një proces i suksesshëm negociator kërkon vullnet politik, hierarki të definuar organizative, procedura të thjeshta dhe të qarta, ekspertizë teknike dhe involvimin e të gjithë akterëve politik dhe shoqëror, përfshirë biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile.

Në këtë drejtim, me 27 shkurt, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar ekipin negociator.

Ekipi negociator kryesohet nga Ministri i Integrimit Evropian, ndërsa anëtarët janë: 

Ministri i Punëve të Jashtme;
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë;
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
Minitri i Financave;
Ministri i Zhvillimit Ekonomik;
Ministri i Drejtësisë.

Ekipi negociator ka për mandat të udhëheq negociatat në nivel politik dhe të ofrojë një kornizë të qartë politike për negociatat teknike.

Sa i përket negociatorëve dhe grupeve punuese të negociatave Qeveria ka themeluar 3 grupe punuese:

1.    Grupi punues për çështje tregtare;
2.    Grupi punues për përafrim të legjislacionit;
3.    Grupi punues për politikat e bashkëpunimit.

Procesi negociator deri me sot

Me 28 tetor 2013 është mbajtur takimi i parë zyrtar në nivel të Kryenegociatorëve. Kjo ka shënuar fillimin e negociimit të MSA-së. Negociatat kanë filluar me hapjen e titujve më kompleks të MSA, gjegjsisht titujë IV, V dhe VI.

Raundi i dytë i negociatave ka vazhduar me takimin e dytë të Kryenegociatorëve që është mbajtur me 27 nëntor 2013. Gjatë takimit janë hapur për negociim neni 1, titulli I, III, VII, VIII, IX dhe X.

Gjatë muajit dhjetor 2013 jane mbajtur takimet e para te grupeve punuese teknike per negociimin e MSA-së. Gjatë muajit shkurt eshte mbajtur raundi i dyte i takimeve te grupeve punuese teknike te cilat kane vazhduar me diskutimin e te gjitha aspekteve teknike te MSA-se.

Me 24 mars 2014 është hapur për negociata edhe titulli i fundit i MSA, gjegjësisht titulli II i Dialogut Politik.

Presim që gjatë muajit prill të finalizohen negociatat në të gjithë titujt dhe të përmbyllen të gjitha çështjet teknike. Kjo do të hap rrugë për mbajtjen e takimit te tretë të Kryenegociatorëve i cili do të shënon edhe përfundimin e procesit negociator.

Pas finalizimit teknik të negociatave, presim që së shpejti të vendoset data për parafimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociimi, që do të përbën edhe fundin zyrtar të negociatave të MSA-së.
Pas parafimit të MSA-së, teksti i MSA-së do të fillon procesin zyrtar të miratimit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja Stabilizim Asociimi do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale në kuadër të së cilës Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian do të bëjnë zotime të ndërsjellët: nga njëra anë, vendi jonë për të ndërmarrë reforma edhe më të thella, dhe nga ana tjetër BE-ja do të ofroj mundësi reale për anëtarësim.

Kjo nuk është thjeshtë një reagim i rastit i Bashkimit Evropian përballë Kosovës, po është rezultat i një pune shumë domethënëse të ndërtuar qasjes strategjike të Qeverisë se Kosovës ndaj kërkesave të BE-së, si dhe rezultat i progresit të gjithëmbarshëm shoqëror dhe punës së palodhshme të të gjitha institucioneve shtetërore, në nivel qendror dhe lokal, pozitë dhe opozitë.

Kjo punë e bërë në këto vite nga ana e Qeverisë, jo thjeshtë në aspektin teknik por edhe në atë diplomatik dhe politik, ka sjellur një vizion ndryshe të BE-së përballë Kosovës dhe të ardhmes së saj Evropiane.

Qëllimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociimi është ofrimi i kornizës politike dhe ligjore që do të rregullon procesin e përafrimit dhe anëtarsimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Marrëveshja do të jetë bazë ligjore për të gjitha hapat e radhës të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit Evropian.

Në këtë drejtim, MSA-ja është hap i radhës i rëndësishëm i cili ka dëshmuar pjekurinë e shtetit tonë dhe ka vulosur legjitimitetin e progresit të arritur.

Shtet-ndërtimi i Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe Kosova është në vazhdimësi duke u konsoliduar si shteti më i ri Evropian. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm qoftë në kuptimin e njohjeve, qoftë në kuptimin e anëtarsimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare e cila ka forcuar pozitën e shtetit tone ne skenën e jashtme.

Liberalizimi i vizave

Sa i përket Liberalizimit të vizave, institucionet e vendit janë të angazhuara të zbatojnë kriteret dhe rekomandimet e Komisionit Evropian. Deri më tani kemi treguar përkushtim dhe kemi treguar përparime në të gjitha blloqet që ndërlidhën me liberalizim të vizave.

Dialogu ka filluar në Janar 2012, përderisa udhërrëfyesin kemi marrë në Qershor të vitit 2012. Deri më  tani kemi pranuar vetëm një raport ndërsa tani jemi në pritje të raportit të radhës i cili do ti vlerësojë të  arriturat e Kosovës.

 

Last modified: 12 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *