Bruksel, 23 mars 2018 – Zyrtarët nga Kosova dhe Komisioni Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushën e Transportit, Mjedisit, Energjisë, Klimës dhe Zhvillimit Rajonal. Diskutimi u realizua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve nga Agjenda e Reformave Evropiane dhe Programi për Reforma në Ekonomi.
Për mjedisin, Komisioni shprehu shqetësim për progresin shumë të kufizuar në këtë fushë që është me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre. Në veçanti, Komisioni përsëri shprehu shqetësim rreth përparimit të kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit, siç kërkohej edhe nga Kuvendi në shkurt të vitit 2018.
Sa i përket veprimit rreth klimës, Kosova ende nuk ka filluar zbatimin e rregullave të BE-së në luftimin e ndikimit nga ndryshimet klimatike. U ra dakord që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë Strategjinë dhe Planin e Veprimit për ndryshimet klimatike.
U diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit legjislative dhe të politikave në fushën e transportit. Komisioni theksoi nevojën për vazhdimin e zhvillimit të projekteve për të ndihmuar në krijimin e rrjetit bazë të transportit për Ballkanin Perëndimor. Të dy palët ranë dakord mbi nevojën për të vazhduar reformat, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit dhe për marrjen e masave konkrete për përmirësimin e sigurisë rrugore, në interes të qytetarëve.Lidhur me energjinë, Komisioni theksoi rëndësinë e nxjerrjes së një Plani të Veprimit që do ta bënte funksionale Strategjinë e Energjisë, të miratuar në janar të vitit 2018 nga Kuvendi. Kjo do të përcaktonte qartë prioritetet e Kosovës në këtë sektor, duke përfshirë planet për përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare si pakoja e tretë e energjisë dhe dekomisionimi i Kosovës A dhe rinovimi i termocentraleve të Kosovës B. Sa i përket Kosovës së Re, Komisioni theksoi rreziqet e rëndësishme që lidhen me financimin, ndërtimin dhe ndikimin e mundshëm mjedisor, social dhe fiskal. Komisioni theksoi rëndësinë e rritjes së ndjeshme të përpjekjeve të Kosovës për energjinë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë, duke përfshirë krijimin e një mekanizmi financiar mbështetës për financimin e efiçencës së energjisë.
Gjithashtu, këtu u theksua edhe rëndësia e zhvillimit rajonal, në veçanti përgatitja e shëndoshë e dokumenteve strategjike dhe legjislative.
Informata të historikut
• Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE dhe administratën e Kosovës që të diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. Strukturat e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe Nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Mbledhjet e strukturave të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
• Çdo takim i Nën-Komiteteve monitoron dhe shoqëron realizimin e reformave nga Kosova dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces.
• Janë gjithsej shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nën-Komiteteve; për Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëri e Informacionit, Politika Sociale, Arsim dhe Kulturë; Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime; Tregun e Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorit dhe Shëndetit, Bujqësi, Peshkatari, Siguri Ushqimore; Transport, Mjedis, Energji, Ndryshime Klimatike dhe Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistika.
• Dy fusha të tjera mbulohen përmes takimeve të Grupeve të Veçanta e ato janë: ai për Reformën e Administratës Publike, dhe ai për Normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
• Takimet e Komitetit dhe Nën-Komiteteve të MSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime pasuese të përcaktuara bashkërisht e të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Konkluzionet nga takimet do të jenë në dispozicion së shpejti në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Last modified: 9 Gusht, 2022