Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën nën-komisionin e shtatë të MSA-së për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport

23 Mars, 2023

Prishtinë, 23 mars 2023 – Zyrtarë nga Kosova dhe Komisioni Evropian mbajtën takimin e rregullt vjetor të nën-komisionit dhe diskutuan progresin dhe zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e energjisë, mjedisit, klimës, transportit dhe zhvillimit rajonal. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në prill 2016. Temat e reformave të mbuluara nga ky takim janë drejtpërdrejt relevante për ekonominë e Kosovës duke përfshirë infrastrukturën si dhe mirëqenien e qytetarëve.

U dakordua se duhet të vlerësohen strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni, për të siguruar koherencë me parimet dhe prioritetet e iniciativës së Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe për të siguruar koherencë mes dokumenteve relevante në secilin sektor.

Sa i përket energjisë, Komisioni përshëndeti miratimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, e cila do të jetë kyçe për ofrimin e bazës për dekarbonizimin duke ruajtur sigurinë energjetike dhe furnizimin e përballueshëm, duke rritur zhvillimin e burimeve alternative të energjisë, dhe e ftoi Kosovën që të fillojë zbatimin e programit të zbatimit.  Pas disbursimit të këstit të parë të Pakos së Mbështetjes Energjetike, Komisioni e ftoi Kosovën të zbatojë planin e veprimit duke përfshirë hapat e nevojshëm për funksionalizimin e Fondit për Efiçiencën e Energjisë dhe për të siguruar shtrirjen e tij në sektorin e banimit, dhe bëri thirrje për përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar masat për efiçiencë të energjisë për amvisëritë.   Ai bëri thirrje gjithashtu që një numër i ligjeve në shqyrtim dhe reforma të tjera të miratohen në përputhje me afatet e Traktatit të Energjisë.

Për mjedisin, Komisioni vuri në dukje progresin në miratimin e ligjeve gjatë vitit 2022 dhe shprehu shqetësimin për progresin e kufizuar në zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike. Në veçanti, Komisioni theksoi nevojën për rritje të kapaciteteve dhe përpjekjeve për të siguruar nivel më të lartë të zbatimit në menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujit dhe integrimin e mjedisit në politikat e tjera.

Sa i përket veprimit për klimën, Kosova ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta përmirësuar zbatimin e saj, si dhe për të bërë progres me Planin Kombëtar për Mjedisin dhe Klimën.

U diskutuan edhe zhvillimet e fundit legjislative dhe politike në fushën e transportit. Komisioni përshëndeti pjesëmarrjen proaktive të Kosovës në Komunitetin e Transportit.  Komisioni e ftoi Kosovën që të vazhdojë punën në lidhje me sigurinë rrugore, në interes të qytetarëve.  Komisioni gjithashtu prezantoi zhvillimet më të fundit në Politikën për Lëvizshmëri Urbane dhe konceptin e planeve për lëvizshmëri të qëndrueshme urbane (PLQU), të cilat mund të mbështesin përpjekjet e Kosovës për të siguruar një tranzicion më të shpejtë drejt transportit më të gjelbër, më të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në qytete. Të dyja palët u dakorduan për nevojën e vazhdimit të reformave, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit.

Në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni përshëndeti miratimin e Ligjit për zhvillim rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e planit të veprimit për zhvillim rajonal.

Informata të përgjithshme

  • Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.  Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizimit dhe Asociimit, si dhe Nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së.  Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
  • Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.
  • Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.
  • Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.  Konkluzionet nga takimet do të jenë të disponueshme së shpejti në ueb faqet e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Zyrës së Kryeministrit.

Last modified: 29 Mars, 2023

Comments are closed.